Loading...

Aksioni i fshehtë i policisë në plantacionin e kanabisit në Poro të Vlorës: Hashashi çel sërish

Report TV zbulon parcelën me 300 rrënjë kanabis në Poro të Vlorës, e asgjësuar nga policia vetëm 3 ditë më parë, falë vëzhgimeve ajrore. Plantacioni me kanabis ishte ndërtuar në një zonë të izoluar dhe pa pronar.

Report Tv zbulon parcelën me 300 rrënjë kanabis në “Pyllin e Poros” në Vlorë, e cila është asgjësuar nga policia vetëm tre ditë më parë.

Sipas burimeve nga policia, fillimisht parcela me kanabis është identifikuar nga patrullimet e Avionit të Guardia di Finanza, Frontex dhe më pas është bërë ndërhyrja nga toka për të asgjësuar bimët narkotike. Në pamje, duken qartë bimët e prera dhe një gropë uji, e cila u shërbente trafikantëve për të vaditur lëndën narkotike.

Hashashi çel sërish në vendin ku ishte kultivuar
Edhe pse policia ka asgjësuar bimët e mëdha, në këtë plantacion vijon ende të ketë bimë të vogla që kanë çelur. E gjithë parcela ishte e vendosur në një zonë që nuk frekuentohej nga barinjtë, aq më pak nga banorët e zonës.

Ankohen barinjtë: Sa herë zbulohet drogë, na shoqërojnë
Kultivimi i kanabisit në këtë zonë është kthyer në problem edhe për banorët e zonës apo edhe për barinjtë që kanë stane në këtë zonë. Duke qenë se ende nuk është bërë identifikimi i kultivuesve dhe toka është pa pronar, policia shoqëron për të marrë në pyetje barinjtë e zonës, të cilët ky veprim i policisë po i shqetëson kohët e fundit.

Vetëm për këtë rast policia ka shoqeruar barinjtë e 11 staneve të zonës së Poros dhe Akernisë. Për Report Tv barinjtë e shoqëruar dhe mbajtur për afro 8 orë në polici deklarojnë se nuk është përgjegjësia e tyre që mbillet drogë në pyll dhe sa herë ka ndërhyrje të policisë ata shoqërohen për orë të tëra. Ata shprehen se vetëm kohët e fundit janë shoqëruar dy herë, edhe pse kanabisi nuk është gjetur në tokat që ata kanë marrë me firmë.

Çdo ditë në pyllin e Poros dhe Akërnicë patrullojnë forcat kufitare dhe patrullat që vëzhgojnë si për kultivimin dhe trafikun e kanabisit ashtu edhe për parandalimin e krimeve të tjera. Në të shkuarën kjo zonë ka qenë tepër problematike për kultivimin e kanabisit, por në vitet e fundit numri i parcelave të asgjesuara me kanabis është reduktuar ndjeshëm./shqiptarja.com

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com