Mediat greke kanë publikuar fotot e tre shtetasve shqiptarë të cilët u arratisën mëngjesin e sotëm nga qelitë e rajonit të policisë të Argjirupolit. Ata kanë mundur të presin shufrat e hekurta të dritares së banjës së qelisë dhe u hodhën përtokë nga një lartësi prej 10 metrash.
Shqiptarët ishin arrestuar më 13 qershor, të akuzuar si pjesëtarë të një bande kriminale, që kishte kryer të paktën 70 vjedhje spektakolare.
Ata ishin posaçërisht të specializuar për t’u ngjitur nëpër muret e pallateve. Në mjaft raste, merrnin me vete edhe makinat e viktimave, atëherë kur mjetet ndodheshin në garazh.Nga kontrollet në banesat e tyre policia gjeti një numër të madh pajisjesh elektronike, bizhuteri, sahate, syze dielli, çelësa makinash, çanta, dokumente personale personash të tretë, etj.
Vlera e sendeve të vjedhura përllogaritet në 400.000 euro. Përveç vjedhjeve, ata akuzohen edhe për trafik droge, pasi në shtëpinë e kreut të bandës u gjetën 18 kilogramë kanabis dhe tre peshore precizioni.