Kjo është receta fantastike e bukës së përgatitur në shtëpi me ullinj, erëza e hudhër.
Një shije mahnitëse që shoqëron e i shton lezetin çdo gatimi po aq sa të kënaq nepsin e oreksin duke e ngrënë edhe thjeshtë pa asnjë ushqim tjetër shtesë.
E ngrohtë, pak krokante nga jashtë dhe e butë brenda, buka me ullinj është ndër gatimet më të shijshme për të shoqëruar të gjitha vaktet, sidomos drekën e darkën.
Ata që kanë provuar të pjekin bukë në shtëpi, nuk kanë hequr më dorë prej saj.
Recetat e bukës së bërë në shtëpi janë të shumta dhe tepër të shijshme.
AgroWeb.org ka publikuar disa prej tyre dhe në këtë artikull do të mësoni më shumë për recetën e bukës me ullinj.
Buka e Pjekur me Ullinj
Buka me ullinj të zinj është një recetë tipike mesdhetare.
Ajo është shumë e shijshme, sidomos për ata që preferojnë ullinjtë.
Kjo recetë është shumë e thjeshtë dhe ka nevojë për pak përbërës.
Përbërësit:
3 filxhanë me miell gruri
2 lugë çaji me maja buke
Kripë
Pak sheqer
Një lugë e gjysëm çaji me hudhër pluhur
1 lugë çaji me erëza (piper, rigon, rozmarinë)
Gjysëm filxhani me ullinj
3 lugë gjelle me vaj ulliri
1 filxhan e gjysëm me ujë të ngrohtë
1 lugë gjelle me miell misri.
Udhëzimet
Në një enë të madhe përzieni miellin, majanë, sheqerin, kripën, hudhrën, erëzat, ullinjtë e zinj, vajin e ullirit dhe ujin.
Përziejini mirë dhe më pas transferojeni brumin në një sipërfaqe të sheshtë.
Punojeni brumin me duar për 5-10 minuta dhe lëreni të vijë për 45 minuta deri sa të dyfishohet në masë.
Pasi të ketë ardhur brumi, punojeni sërish për 5 deri në 10 minuta dhe lëreni sërish të vijë për 30 minuta të tjera.
Më pas, punojeni sërish dhe jepini brumit një formë rrumbullake.
Mbështilleni me një napë të lyer me miell dhe dhe lëreni sërish të vijë për 30 minuta të tjera.
Teksa brumi fryhet për të tretën herë, ndizeni furrën dhe në të vendosni një tenxhere të vogël me ujë.
Merrni një tepsi dhe lyejeni lehtas me vaj ulliri dhe me miell misri.
Jepini brumit formën e preferuar dhe futeni në furrë.
AgroWeb.org u sugjeron ta piqni për 15 minuta në temperaturë prej 250 gradësh dhe më pas 30 minuta të tjera në temperaturë 180 gradësh deri sa të piqet plotësisht./AgroWeb.org