Deputetja e PDIU Reme Lala deklaroi dje nga Peshkopia kalimin e saj në grupin Parlamentar të PS. Mirëpo Lala i tha kryeministrit Rama se nuk do i bashkohej e vetme socialistëve dhe se bashkë me të do të vinte edhe deputetja tjetër e PDIU-së në Elbasan, Elena Xhina.
Ndërsa nuk ka vonuar shumë dhe ka ardhur edhe reagimi i kësaj të fundit. Xhina shprehet se ajo është pjesë e një grupi të pavarur deputetësh në parlamentin e Shqipërisë.
“Sot pata kënaqësinë të isha e pranishme në inagurimin e fillimit të punimeve të Rrugës së Arbrit, në Dibër e ftuar nga mikja ime Reme Lala, të cilën e falenderoj që më dha mundësinë që ti bashkohesha dhe unë gëzimit të saj, për këtë ëndërr të vjetër të dibranëve!Marr shkas nga titujt e gazetave për të bërë një sqarim për opinion publik: Unë jam në grupimin e deputetëve të pavarur të Parlamentit të Shqipërisë ! Ju faleminderit!” shkruan ajo.
Megjithatë ajo ka reaguar sërish përmes një tjetër statusi, ku kërkon që votuesit e saj në Elbasan ta kuptojnë qartë situatën e saj politike.
“Meqenese mediat vazhdojnë të pasqyrojnë gjerësisht lajmin se unë kam kaluar në grupin parlamentar te PS, më duhet të sqaroj edhe një herë se nuk kam bërë asnjë lëvizje të pozicionit politik dhe jam aty ku kam qenë. Diçka të tillë e kam sqaruar edhe me anë të statusit të mëparshëm, gjithsesi për mua është e rëndësishme që situata ime politike të jetë e kuptuar qartë nga votuesit e mi të Elbasanit, të cilët janë interesi im i vërtetë!”
Sakaq, në një reagim PDIU deklaroi se dy deputetet janë larguar nga PDIU që në përfundim të zgjedhjeve dhe se kjo nuk përbën tashmë asnjë ndryshim.