Loading...

Klemend Balili dhe njerëzit e krimit gati të blejnë në ankand pasuritë e tyre të sekuestruara nga shteti. Askush s’rrezikon të afrohet e të blejë ‘Santa Quarantan’

Janë nxjerrë në ankand pasuritë e konfiskuara të njerëzve të krimit, ndërkohë që ekziston frika se mos ata i riblejnë sërish për t’i pasur në pronësi të tyre përmes emrave të tjerë.
Një frikë e tillë ekziston për vetë faktin se kur ka politikanë, të cilët kanë pasuri përrallore dhe biznese miliona euroshe në emër të njerëzve të tyre të afërt apo bashkëpuntorëve të tyre, atëherë përse të mos veprojnë kështu dhe njerëzit e krimit. Të cilët në ankand mund të blejnë pronat dhe pasuritë e tyre për të mos i lënë me çmim të lirë në dorë të njerëzve të zakonshëm.

Njëherësh ekziston dhe frika nga ana e organeve ligjzbatuese se këto pasuri të njerëzve të krimit mund të mbeten pa shitur pavarësisht çmimit favorizues, për shkak të frikës se mund të bëhen objekt goditjeje personat që guxojnë ti blejnë. Burimet bëjnë të ditur se asnjë prej atyre që kanë para nuk u është afruar këtyre pasurive të sekuestruara dhe të nxjerra në ankan, për t’i blerë, pavarësisht ofertën favorizuese e tunduese që është bërë prezente.

Këto janë dy elementët bazë që kanë penguar deri më tani shitjen e disa prej pasurive më të mëdha të sekuestruara të njerëzve të krimit.Mes të cilave dhe pasuritë e supertrafikantit të drogës, të ashtuquajturit “Eskobari i Ballkanit”, Klemend Balili, i cili ende gjendet në kërkim ndërkombëtar por që mund të përbëjë rrezik për blerësit e pasurive të tij të sekuestruara ose mund të riblihen nga vetë ai përmes njerëzve të tij.

Pasi, nga investimet në bono thesari, te llogaritë bankare qindra mijëra dollarëshe, te hotelet e resortet luksoze, deri te makinat e shtrenjta tashmë janë në ankand. Ku arrin në rreth 10 milionë dollarë vlera totale e pasurive të konfiskuara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda gjatë dy viteve të fundit përmes 12 vendimeve. Në total, për periudhën janar-qershor 2017 vlera e aseteve të konfiskuara nga Krimet e Rënda është rreth 3.5 milionë dollarë.

Ndërkohë që konfiskime më të shtrenjta janë kryer gjatë vitit 2016. Vetëm përmes një vendimi të marrë gjatë këtij viti, janë konfiskuar një llogari bankare prej 938 mijë dollarësh, një tjetër prej 10 milionë lekësh, si dhe një sasi bonosh thesari prej 5.5 milionë lekësh.

Po në vitin 2016 rezultojnë të konfiskuara me një vendim të vetëm pesë llogari bankare në shumën totale prej 3.1 milionë dollarësh dhe katër llogari bankare në shumën totale prej 451 euro.
Në total, për vitin 2016 rezultojnë të konfiskuara një total asetesh prej rreth 5.5 milionë dollarësh.
Por çfarë do të bëhet me gjithë këeto pasuri të konfiskuara këto vitet e fundit, pasuri të vëna sipas organeve ligjzbatuese në mënyrë të paligjshme dhe që përmes tyre mendohet që shteti të nxjerrë dhe përfitimin e duhur për të rikthyer sadopak paratë në arkën e shtetit.

Rreth 40 pasuri të konfiskuara si rezultat i aktiviteteve kriminale janë nxjerrë në shitje nga Ministria e Financave për vitin 2017. Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, vlera e tyre në total arrin në rreth 5.5 milionë dollarë. Bëhet fjalë për sipërfaqe të mëdha tokash, pyjesh, restorante, dyqane e apartamente.

Ndërkohë që është resorti luksoz “Santa Quaranta” aseti më i shtrenjtë në listën e pasurive të sekuestruara e të nxjerra në shitje nga autoritet shtetërore. Resorti luksoz “Santa Quaranta” është nxjerrë në shitje nga Ministria e Financave. Çmimi fillestar i caktuar nga Agjencia është 336 milionë lekë, afërisht 3 milionë dollarë. Në njoftim specifikohet se Pasuria Bar-Restorant-Hotel “Santa Quaranta Premium Resort” ndodhet në vijën e parë të ndërtimeve në rrugën Sarandë -Butrint. Ky hotel është i përbërë nga 85 dhoma, kuzhina dhe bari. Hoteli është i kompletuar me të gjitha pajisjet dhe është i gatshëm për punë.

Bie në sy vlera shumë e lartë e disa prej pasurive. Njëra prej sipërfaqeve pyll që shtrihet në 221 mijë metra katrorë vlerësohet me çmimin 270 mijë dollarë.Po me këtë çmim vlerësohet edhe një sipërfaqe ullishte në Durrës me sipërfaqe 1,500 metra katrorë.Por deri më tani burimet saktësojnë asnjë prej këtyre pasurive të mëdha nuk është shitur, duke shtuar zërat për një frikë që ekziston për t’ju afruar këtyrev pasurive me “barrë” për blerësit./Pamfleti

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com