Deklarata e sotme e dy deputetëve të PDIU-së, Reme Lala dhe Elena Xhina se kalojnë në grupin parlamentar të PS-së nuk ishte aspak as rastësi e as thjesht një afrodiziak për entuziazmin e ulur të mazhorancës qeverisëse.
Por kemi të bëjmë me një rrezik eminent për qeverinë e Edi Ramës, i cili rrezikohet nga 12 deputetë brenda grupit parlamentar socialist, të cilët kanë bërë gati largimin e menjëhershëm nga “klubi politik” që drejton Taulant Balla.
Siç mësohet nga burime të sigurta nga brenda mazhorancës, si rezultat i përplasjes, pakënaqësive, dhe pafuqisë së deputetëve për të punësuar militantët dhe zgjidhur problemet e njerëzve, ata kanë bërë gati një largim nga PS-ja.
Akt që e nxjerr qeverinë e Edi Ramës pa mbështetje politike dhe praktikisht e rrëzon atë menjëherë.
Siç mësohet, zëdhënës të këtij grupi që thuajse ka nga një deputet nga të gjitha qarqet i ka bërë të ditur kupolës së PS-së që vendimi tashmë është afër.
Menjëherë pas këtij veprimi, grupit të 12-tëshes i janë afruar krushq nga LSI-ja dhe nga PD-ja, por ata i kanë larguar urgjent dhe kanë bërë të ditur se nuk do t’i japin votat e tyre për një qeveri të opozitës, por thjesht po synojnë të bindin PS-në se ajo duhet të formojë një ekzekutiv të ri pa Edi Ramën dhe pa frymën e rilindasve që cilësohen si një mish i huaj në PS por që e kanë zaptuar atë përfundimisht.
Largimi i 12 deputetëve mësohet se do të bëhet vetëm nëse nuk ka rrugë tjetër dhe nuk hapet debati brenda PS-së për ndryshime.
Ndaj Rama ka nisur të kërkojë partnerë të rinj dhe deklarata e dy deputetëve të PDIU-së sot ishte një thirrje ndaj të gjithë atyre parlamentarëve brenda LSI-së dhe PD-së që duan të afrohen me kyeministrin.
Dhe nuk është se s’ka pasur tentative: LSI-së i ka bërë prova ikjeje Robert Bitri dhe Agron Çela.
Ndërkohë që Argron Shehaj, miliarderi i Bashës u shfaq në krah të Edi Ramës te Blendi Fevziu si sinjal i qartë i koduar drejtuar dymbëdhjetëshes.
Jo më kot edhe sot Shpëtim Idrizi nuk e konsideroi lajm të ri ikjen e dy deputeteve të tij, që i kishin ikur me kohë nga duart, madje nuk ishin përzgjedhur fare nga ai.
“Lajmet e vjetra që sot shiten si të reja, për individë që kanë qënë thjesht kandidatë të PDIU-së, sepse janë deklaruar me PS-në qysh në përfundim të zgjedhjeve, nuk sjellin asnjë ndryshim në veprimtarinë tonë politike për zgjidhjen e çeshtjes çame”, tha Idrizi .
Sipas informacioneve brenda PS-së, po tentojnë të bashkohen me këtë grup deputetësh rebelë edhe disa ministra që Edi Rama është bërë gati t’i largojë në shtator por edhe disa prej deputetëve të lidhur me qarqe kriminale që pritet të bien në rrjetën e drejtësisë së re.
Deri tani mësohet se sinjalet nuk janë pritur mirë, pasi afrimi i ministrave vërtetë që do të rrisë grupin por nga ana tjetër do të godasë kauzën.
Në krye të dymbëdhjetëshes qëndron një “socialist i vjetër”, i cili ka qenë edhe nismëtari i nismës së deputetëve të pakënaqur.
Ata deri tani nuk kanë pranuar të bëjnë dialog me Taulant Ballën por kanë kërkuar Ruçin, por ky i fundit ka thënë se nuk ka më rolin e vjetër në PS.
Pas kësaj ata kanë përdorur një figurë shumë të njohur socialiste me figurë të paprekur dhe mjaft popullore, tashmë i tërhequr nga politika që të përfaqësojë kërkesat dhe shqetësimet e tyre në kupolën e PS-së.
“Senatori” socialist ka takuar direkt Edi Ramën, i cili kur e ka marrë vesh është xhindosur dhe ka kuptuar se bëhet fjalë për një rrezik jo thjesht eminent por fatal.
Bëhet fjalë jo thjesht për largimin e tij nga qeveria por nisjen e deramizimit të PS-së…/Pamfleti