Marrëveshja e detit me Greqinë ka sjellë një përshtjellim akoma më të madh në opinionin publik. Teksa Shqipëria humbi milje të tëra, qeveria është zotuar se do t’i rekuperojë dhe do të përfitojë akoma më shumë. Të dhënat e siguruara nga TPZ.al tregojnë se shteti shqiptar ka qenë i papërgatitur për rinegocimin e kësaj marrëveshje.
Më datë 21 maj të këtij viti, ministria e Mbrojtjes shpalli fituesin e një tenderi të bërë pa shpallje paraprake të njoftimit, ku bëhet publike edhe firma fituese. TPZ.al ka siguruar dokumentet, ku thuhet se ministria ka kërkuar “blerje programi dhe kompjuter për nevoja të Grupit Ndërinstitucional të Punës për negocimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Greke, për kufizimin e zonave të tyre detare”.
Fondi për këtë tender është 50 milionë lekë pa TVSH, ndërsa afati për ekzekutimin ka qenë 1 ditë nga lidhja e kontratës. Nisur edhe nga afati, pala shqiptare ka kërkuar me shpejtësi një kompjuter dhe program në “treg të zi” për grupin negociator, çka tregon një papjekuri të palës sonë. Përse duhej një kompjuter me shpejtësi? Çfarë programi ka blerë ministria e Mbrojtjes? A nuk ishin të përgatitur këta ekspertë? Përse komjuteri u mor nga një kompani private? A është e çertifikuar dhe licensuar ajo kompani për të tilla kompjuterë? Duket se të gjitha këto pikëpyetje do të ngelin në “ajër”, pa asnjë përgjigje.
Veprimet janë të nxituara, pasi askush nuk tregon çfarë po ndodh brënda këtij grupi. Gjithësesi, firma që fitoi tenderin për kompjuterin dhe programet është “AESS” sh.p.k., e cila është private dhe, nëse qeveria paguan, atëherë ajo i jep produktin. Sipas dokumenteve, kompjuteri i blerë është paraqitur pranë Institutit të Gjeografisë dhe Infrastrukturës Ushtarake, me adresë Rruga e Dibrës në Tiranë.