Loading...

Misteret e ishullit të Sazanit që presin të zbulohen nga turistët

Me një histori enigmatike, Sazani është i vetmi ishull i mirëfilltë i bregdetit shqiptar. Një bukuri e pashoqe e natyrës sonë ujore, që përsëri mbetet në kuadrin e misteriozes.

Historia ka folur për Sazanin si një nga fortesat më të përshtatshme për të mbrojtur qytetin e Vlorës dhe brigjet përreth. Sot, kjo histori ka përfunduar sepse Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe Sazani mund të kthehet në një nga perlat turistike më interesante të Mesdheut.

Emri i Ishullit të Sazanit përmendet që në kohërat antike, duke filluar nga shekulli i VI p.e.s. me emrin SASON. Gjatë mesjetës, ishulli kaloi në zotërimin Venecian ndërsa gjatë Luftërave Ballkanike, Greqia e pushtoi ishullin. Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913 e detyruan atë që të tërhiqej nga Sazani. Gjatë Luftës së Parë Botërore, ishulli u pushtua nga Italia. Lufta e Vlorës në vitin 1920 bëri të mundur që ata të tërhiqeshin nga Vlora, por mbajtën ende nën sundim Sazanin, deri më 1943, kur Shqipëria u pushtua nga nazistët gjermanë.

Më 21 tetor 1944 ishulli u çlirua dhe që nga ajo kohë është pjesë e integritetit dhe sovranitetit të shtetit shqiptar.

Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, Sazani së bashku me bazën detare ushtarake të Pasha Limanit, në Orikum të Vlorës, u shndërrua në një ndër pikat kyçe të Ushtrisë së Kuqe sovjetike dhe asaj shqiptare në Mesdhe. Që nga koha e Jul Çezarit e deri në Luftën e Dytë Botërore në bregdetin përreth Gjirit të Vlorës janë zhvilluar një numër betejash detare, pasojë e të cilave kanë qenë disa anije të mbytura.

Një pjesë relikesh nënujore si amfora e objekte të tjera janë rikuperuar nga arkeologët shqiptarë dhe janë ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar dhe atë arkeologjik në Durrës. Gjatë kohës së Luftës së Ftohtë, ishulli i Sazanit ka shërbyer si bazë ushtarake detare ku ishin vendosur kryesisht anijet katerasiluruese, artilieria bregdetare etj. Gjatë asaj periudhe, ishulli ka qenë i banuar nga rreth 10 mijë banorë të cilët kryesisht ishin familjarë të oficerëve që shërbenin në ishull. Gjatë luftës së Ftohtë, ishulli i Sazanit bashkë me gjirin e Vlorës konsideroheshin si fronti me i vështirë për Ushtrinë Shqiptare. Për këtë arsye, njerëzit që shërbenin në ishull kishin trajtim të veçantë nga qeveria e asaj kohe.

Sipërfaqja e ishullit është 5.7 kilometër katrorë dhe shtrihet në hyrje të Gjirit të Vlorës. Shtrirja gjeografike e tij është juglindje-veriperëndim në një gjatësi prej 4.8 kilometër. Gjerësia më e madhe e tij është 2 kilometër. Vija bregdetare e ishullit është pak e thyer. Në anën perëndimore gati në mes të tij formohet Gryka e Xhehenemit, që është një gji i vogël, por i hapur dhe shumë i thellë. Në bregun lindor formohet Gjiri i Shënkollës, ku është ndërtuar edhe porti detaro-ushtarak i ishullit dhe në jug të tij shtrihet Gjiri i Japrakut.

Pikërisht këtu gjendet edhe Plazhi zallor i Admiralit. Ishulli përbëhet nga dy kodra shkëmbore monolite me lartësi maksimale 342 metra. Ngritja e këtij relievi në mënyrë të menjëhershme nga deti, të krijon përshtypjen e një lartësie shumë të madhe. Lartësitë e ishullit ulen nga skajet në drejtim të qendrës. Dy luginat e tij, ajo e Përroit të Xhehenemit dhe Përroi i Shënkollit, që nisen nga Qafa e Vidheve, e ndajnë ishullin në dy pjesë, në atë Veriore, që është më e larta, plot 342 metra dhe në atë Jugore, me lartësi 331 metra.

Duke qenë një zonë e mbrojtur ushtarake, flora dhe fauna e ishullit kanë ngelur të paprekura. Kjo ka mundësuar shmangien e gjuetisë së paligjshme, si dhe të abuzimeve e dëmtimeve të tjera.

Periferia e ishullit ka shumë plazhe të bukura e të pashfrytëzuara.

Dhe vërtet, po t’i hedhësh një sy brigjeve të këtij ishulli, mrekullohesh nga bukuria e plazheve, shpellave, guvave dhe historisë së tij.

Shpellat nënujore, si ajo e Haxhi Alisë, Gjirit të Djallit e të tjera janë nga më të mëdhatë që mund të gjenden në Mesdhe. Ato sot përbëjnë një sfidë të vërtetë për zhytësit dhe një atraksion të veçantë për sportet nënujore.

Ishulli i Sazanit, sot vizitohet nga eksploratorë amatorë nënujorë, spelologë, admirues të natyrës por së fundmi, ishulli është kthyer në një atraksion për turizmin e lirë.

Sazani mbetet një mundësi e re për turizmin shqiptar./ATSH

 

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com