Loading...

Boronica, xhevahiri i bjeshkëve tashmë me logo shqiptare/Video

Bjeshkët në Shqipëri të godasin me madhështinë e tyre, janë të mahnitshme për nga bukuria, por të vështira për t’u pushtuar. Mes kësaj bukurie, ndodhet një xhevahir i vogël, në ngjyrë blu të theksuar, i jashtëzakonshëm, unik, magjik, me efekte të mrekullueshme në shëndetin e njeriut, fruti që quhet boronicë.

Xhevahiret nuk është i lehtë t’i gjesh, por Shqipëria me biodiversitetin e saj specifik, ka në territorin e saj, edhe këtë xhevahir çudibërës në shëndet, që mjekësia e ka quajtur fruti magjik.

Qëkur nuk mbahet mend kjo kokërr është mbledhur si bimët e tjera, që banorët e njohin për vlerat kurative. Madje boronica ka qenë edhe në menunë e banorëve të bjeshkëve, e kanë përdorur si frut të njomë, për dimër, e kanë tharë për ta përdorur si çaj, por e kanë bërë edhe komposto.

Banorët e bjeshkëve besojnë se boronica dhe dalja në bjeshkë është kura më e mirë, për t’i mbajtur larg sëmundjeve. Pjesa tjetër e Shqipërisë nuk e ka njohur boronicën si frut. Në kohën e diktaturës nuk është tregtuar asnjëherë për shqiptarët, ajo vetëm eksportohej. Nuk ka një frut të dytë që mund të krahasohet me boronicën në lidhje me imazhin kurativ dhe reputacionin që gëzon sot si në vend ashtu edhe jashtë kufijve.

Boronica ndodhet në zonat më të varfëra të Shqipërisë. Gati 80 % e banorëve sigurojnë të ardhura me boronicën.

Banorët tregojnë se nëpërmjet boronicës ata mund të kishin shumë përfitime financiare, por realiteti është ndryshe. Mbledhja e boronicës në fakt kërkon shumë mund, por ata arrijnë ta shesin vetëm me rreth 3 euro qesen.

Pasi mblidhet nga duart e fshatarëve boronica kalon në jashtë kufijve, në Kosovë e Mal të Zi, e më pas deri në Japoni, por nuk njihet si produkt shqiptar.

Francezët këtë frut e kanë futur në projektin e “BiodivBalkan”, në mënyrë që t’i jepet marka e cilësisë.

Ky frut zhvillohet në një shkurre që shkon deri në 50 cm. Puna e përditshme e banorëve të zonës, krahas bagëtisë është edhe mbledhja e boronicës.

Boronica nga banorët transportohet me kuaj. Grumbulluesit e marrin me mjete transporti motorike, edhe ua dorëzojnë tregtarëve të mëdhenj, të cilët e ruajnë në dhoma frigorike, të cilët më pas e transportojnë jashtë kufirit.

Nga gjithë kjo sasi boronice vetëm fare pak marketohet në Shqipëri.

Shumë tropojanë që jetojnë në qytete, shkojnë në bjeshkë për frutin e rrallë. Shqipëria ka pasur fatin të ketë boronicën 100% natyrale, të rritur në natyrë, pa asnjë ndërhyrje njerëzore, por që nuk ka markën e cilësisë.

Kjo bën që të shitet edhe me një çmim qesharak. Fati tjetër i Shqipërisë është se janë rreth 5 deri në 10 mijë banorë që e mbledhin, përfshirë dhe turistë sezonalë dhe kjo është pozitive.

Nëse deri më sot boronica e Kukësit dhe Tropojës nuk kishte një logo, tashmë mbledhësit e organizuar kanë përgatitur logon e saj të cilësisë, për ta dalluar si një produkt specifik, i lidhur me territorin dhe për ta veçuar nga produktet e tjera të pakontrolluara.

Duke u tregtuar si produkt shqiptar do t’i mbajë banorët pranë alpeve, pasi do të fitojnë më shumë. Logoja e cilësisë, do t’i nxisë ata që t’i mbledhin si duhet për të ruajtur mjedisin dhe nga ana tjetër, boronica do të jetë fruti që do të joshë shumë turistë që të vizitojnë alpet për t’u njohur me të./tvklan.al

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com