Rezultatet e para ndaj luftës antikorrupsion që ka ndërmarrë qeveria kanë nisur të japin frutet e saj. Gjatë periudhës 16 prill-30 maj 2018 25 punonjës të ZRPP dhe ALUIZNIT janë dërguar për ndjekje penale, pasi akuzohen për korrupsion.
Një gjë të tillë e bëri të ditur sot ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj gjatë një takimi me banorët e Vlorës.
Ndër të tjera ajo tha:
Që nga 16 prilli deri në 30 maj, pra në një periudhë 1 muaj e gjysmë janë dërguar për ndjekje penale 25 zyrtarë të Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe ALUIZNI-t. Pra vetëm në 1 muaj e gjysmë janë marrë masa represive duke përfshirë që nga regjistruesit dhe deri te punonjësit më të thjeshtë.
Pas kësaj ajo ka reaguar edhe përmes një statusi në rrjetet sociale ku shkruan :
“Me banorët e njësive administrative Orikum dhe Qendër në qarkun e Vlorës në kuadër të turit të llogaridhënies “Puna për Shqipërinë që duam”, diskutuam për problematikat e pronës, investimet në infrastrukturë , luftën kundër korrupsionit në administratën publike dhe çështje të tjera që lidhen me përgjegjësitë e qeverisjes vendore”, shkruan në Facebook Gjonaj.