Loading...

Baba Mondi i “dhuron” Ilir Metës 37 hektarë pronë, si u kthye “brekëgrisuri” i Skraparit në beun e Shqipërisë

Shteti akuzon Kryegjyshatën: Falsifikoi firma për 37 ha tokë, si si u përvetësua prona në Sarandë. Pronari i mëparshëm djalë e vajzë, shitja nga 2 vajzat!

Po zbardhën një nga një faktet se si Ilir Meta ish kryetari i LSI, ish kreu i Kuvendit dhe aktualisht President i Republikës, ka bërë pasurinë e tij.Nga një njeri që jetonte me familjen rrogtare me të ardhura të vobekta, nga një çift që siç thoshte bashkëshortja Monikë hanin tre vakte në ditë bukë e djathtë, tashmë dhe vetë nuk i di sa para dhe pasuri të tundshme dhe të patundshme ka.

Kudo që të shohësh, çdo dosje që të hapësh, çdo shkurre që të lëvizësh në Shqipëri dhe jashtë vendit, të del emri i Ilir Metës. Më pasuritë e tij, të tundshme e të patundshme. Që nga ato të mermerit, guroreve e inerteve, deri tek ato të firmave të ndërtimit brenda e jashtë vendit, linjave të dyqaneve të veshjeve luksoze brenda dhe jashtë vendit, resorteve turistike brenda dhe jashtë vendit, firmat e naftës, të kromit, të jahteve dhe gjithçka që lëviz nën tokë, në tokë dhe mbi tokë, ka pjesën e vet Ilir Meta.

Tashmë është shtrirë dhe në pasuritë e patundshme. Por me “krahëmarrje”. Diku përmes kamikazëve të tij, diku me krygjyshatën botërore. Duke u kthyer nga një “brekëgrisur” nga Skrapari në “beun” e Shqipërisë. Rasti më i fundit është dhe marrja nën zotërim përfundimisht përmes Hipotekave që janë drejtuar nga LSI të 37 hektarëve pronë në Sarandë. Një histori e kahershme, që ka pasur debate dhe përplasje dhe që është mbyllur me nder dhe lavdi nga baba Likja (Ilir Meta) me Baba Mondin. Duke e bërë përfundimisht të tijën këtë pronë. Ndërkohë që shteti ka ngritur padi në vitin 2015 përmes avokatit të shtetit. Në të gjitha librat e shenjtë, të të gjitha besimeve, ka një porosi që vjen nga Zoti vetë: Mos vidh!

Ndoshta përbën një rast unik, por në Shqipëri një komunitet fetar paditet nga shteti se i ka vjedhur pronën. Komunitetet fetare në përgjithësi, në atë mish-mash konfliktesh deri me vëllavrasje, që e kanë shoqëruar Shqipërinë e tranzicionit post-komunist 27 vitet e fundit në çështjet e pronësisë, kanë qenë deri-diku të mirë-trajtuara. Atyre iu janë kthyer një pjesë e mirë të pronave dhe objekteve të kultit që u ishin konfiskuar gjatë regjimit komunist, edhe pse mbetet ende mjaft për t’u bërë. Gjithashtu, shteti lëvron çdo vit nga buxheti i tij një fond të caktuar financiar për bashkësitë fetare.

Mund të ketë patur ndonjë rast sporadik të diskutueshëm, si një vendim i Gjykatës Kushtetuese, që u kthente pronarëve privatë një truall në Rrugën Don Bosko në Tiranë, i cili deri në ato momente administrohej nga Kisha Katolike. Por është e vështirë që të gjejmë ndonjë precedent që të ketë ndodhur e kundërta, pra që një komunitet fetar me rëndësi, i cili ka marrëveshje financimi nga buxheti i shtetit, t’i ketë hyrë në hak ndonjë tjetër pronari privat apo shtetëror.

Padia e qeverisë kundër Baba Mondit

Me një autorizim që mban datë 13.01.2015, Këshilli i Ministrave ka ngarkuar Avokaturën e Shtetit të ngrejë padi kundër Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Sarandë, për kthimin shtetit të pronës me sipërfaqe kullote prej 36.7 hektarësh, të ndodhur në Berdenesh të Sarandës.

Avokatura e Shtetit ka kërkuar nga gjykata në kërkesë padinë e saj pavlefshmërinë e vendimit nr. 116, datë 12.06.2009 të ZRKKP të Qarkut Vlorë, si dhe të çdo veprimi juridik të mëvonshëm, që mund të jetë kryer mbi pronën shkruan “shqiptarja.com”. Në kërkesë padinë e saj drejtuar Gjykatës së rrethit Gjyqësor Sarandë, Avokatura e Shtetit pretendon se Kryegjyshata Botërore Bektashiane (në vijim KBB) e ka fituar pronën në fjalë në mungesë të titullit të pronësisë dhe, madje, drejtuesit e këtij komuniteti fetar kanë bërë të mundur që KBB ta fitojë në mënyrë të parregullt dhe të paligjshme këtë pasuri.

Avokatura e Shtetit, duke iu referuar vërtetimit të pronësisë që është lëshuar nga ish-zyra e Hipotekës së Delvinës më 04.02.1996 në favor të KBB-së dhe në bazë të së cilës kjo e fundit ka ndjekur të gjithë hapat e tjera për të fituar dhe regjistruar pronën në fjalë, vëren se ky vërtetim është i falsifikuar. Falsifikimin në fjalë Avokatura e konstaton në faktin se dokumenti bazë, që ka shërbyer për njohjen e pronësisë, është “Vërtetimi i Zotnimit (Tapi)”, i nënPrefekturës së Delvinës, i vitit 1927. Ky dokument është një fotokopje e origjinalit, e noterizuar me aktin nr. 4089 rep, të noterit Bajram A. Aliko, Gjirokastër e ka nr. e përgjithshëm 16299 dhe nr. rendor 177, viti 1927.

Mirëpo, në këtë dokument thuhet se prona në fjalë i është shitur KBB-së në vitin 1927 nga dy vajzat e Riza Çoçolit nga Gjirokastra: Zylejha dhe Hanëm Çoçoli. Ky fakt bie ndesh me regjistrin kadastral të vitin 1926, ku në bashkëpronësinë e pasurisë thuhet se Riza Çoçoli ka vdekur dhe se pronën e kanë trashëguar i biri i tij Selfo dhe e bija. Ky fakt konfirmohet edhe nga çertifikatat e zyrës së Gjendjes Civile në emër të dy personave. Për këtë arsye, Avokatura e Shtetit del në përfundimin se dokumenti është i falsifikuar.

Gjithashtu, Arkiva e Shtetit ka konfirmuar në vitin 2014 për Avokaturën e Shtetit se nuk ekziston asnjë e dhënë arkivore për subjektet Zylejha Çoçoli dhe Hanëme Çoçoli. Gjithashtu në dokumentin e hipotekës së Delvinës më 4.2.1996, nga hipotekuesi Arjan Haxhi, ky i fundit u referohet transkriptimeve të vitit 1938, që, sipas tij, dëshmojnë përfitimin e pronës dhe regjistrimin e saj në emër të KBB-së. Por edhe kjo bie në kundërshtim me “aktin e zotnimit” (tapinë) e Kryegjyshatës, që është e vitit 1927, çka, sipas Avokaturës, përbën një tjetër element të falsifikimit.

Avokatura shkon edhe më tej për të provuar falsifikimin e të tjera dokumenteve, të tilla si vërtetimin hipotekor, që është i arsyetuar në “vlerësimin ligjor mbi shqyrtimin e kërkesës nr. 25, datë 28.12.2006”, që mban datën 7.09.2007, të cilin grupi i punës në Zyrën Rajonale të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në qarkun Vlorë e vlerëson si të ligjshëm.

Sipas padisë, edhe ky dokument është i falsifikuar, sepse regjistri hipotekor, ku pretendohet se është bazuar lëshimi i këtij vërtetimi, nuk ekziston pranë Hipotekës Sarandë, madje nuk ekziston as në dokumentet e librave hipotekorë. Falsiteti i të dhënave të këtij vërtetimi, thekson përfaqësuesi ligjor i shtetit shqiptar, argumentohet edhe me faktin se, në vërtetim, nuk përmenden as numri i indeksit ku është regjistruar prona, as numri i librit hipotekor ku është kryer regjistrimi i transaksionit, ekstremitete këto, që detyrimisht shoqërojnë dhe identifikojnë çdo regjistrim pasurie të paluajtshme të kryer në librat hipotekorë.

Një element tjetër, që e bën edhe më të dukshëm falsifikimin, është se KBB-ja, për të përforcuar vërtetimin e pronësisë së saj, i është referuar një deklarate që pretendon se është bërë nga Babai i Teqesë së Gjirokastrës, Ibrahim Kuka, më 25.09.1945, i cili, pasi mori njoftimin për sanksionet nga reforma agrare, ka thënë se zotëron 9/6 e një kullote në Delvinë, dokument i lëshuar nga Drejtoria e Arkivave Gjirokastër. Por, nga verifikimi që u bë nga Task Forca në këtë Arkivë, konstatohet lehtësisht se nënshkrimi i Baba Ibrahimit nuk është i njëjtë në dokumenta të ndryshëm.

Gjithashtu, një gafë edhe më trashanike, që e bën qesharak falsifikimin, është se data 4.2.1996, e lëshimit të vërtetimit të pronësisë nga ish-Zyra e Hipotekës Delvinë, bie ditë e diel, që është ditë pushimi zyrtar. Për rrjedhojë, Avokatura e Shtetit ka dalë në përfundimin se vendimi Nr.804, dt. 09.06.2009 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, që i ka njohur pronën Kryegjyshatës është nul, sepse është bazuar mbi dokumente të falsifikuara nga ana e KBB-së.

Shteti dhe kleri në Shqipëri, një marrëdhënie e vështirë

Prej vitesh, ndonëse Shqipëria ka një shtet laik, nga buxheti i këtij të fundit u akordohen komuniteteve kryesore fetare fonde monetare për t’u përdorur për investime, por edhe për shpenzime korrente.

Masa e financimit nga buxheti i vitit 2017, ishte 109 milionë lekë, e miratuar për të mbështetur financiarisht bashkësitë fetare: Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Kishën Katolike në Shqipëri dhe Kryegjyshatën Botërore Bektashiane. Kjo e fundit ka përfituar shumën 25.840.000 lekë, ose afërsisht 193 mijë euro, të ndarë në 3.696.000 për financimin deri në gjysmën e pagës minimale buxhetore për 28 punonjës të administratës; 15.144 000 për ndërtimin e Teqesë së Elbasanit, për ndërtimin e Teqesë në Shtufit, Gjirokastër dhe për ndërtimin e Teqesë së Martaneshit.

Po kështu, 7 milionë lekë i janë dhënë për shkak të pozitës unike, si Kryegjyshatë Botërore, me qendër në Tiranë, dhe të shtrirjes së veprimtarisë së saj jashtë vendit. Nga viti 2011 e deri vitin e kaluar, Kryegjyshata ka marrë nga shteti një shumë prej 1.24 milionë eurosh (167.473.000 lekë). Është në dorë të prokurorëve dhe gjyqtarëve të Vettingut të verifikojnë nëse kemi të bëjmë apo jo me vjedhje prone në Sarandë. Në rast se falsifikimet verifikohen, kjo do të hapte një faqe të re korrupsioni, të panjohur deri tani, ku përfshihen edhe klerikët, që predikojnë jetesën e përkorë, për të shpëtuar nga Ferri.

Në botë ndoshta ka patur skandale më të mëdha, po të kujtojmë hallet financiare të Vatikanit, apo ato me pedofilinë, por ndoshta ngjarje të tilla ofrojnë momentin që të shihen si çdo subjekt tjetër edhe njerëzit e veshur me petka fetare, por që operojnë në një terren të pasur me korrupsion. I cili me të vërtetë duket se këtu nuk ka lënë qelizë të jetës sociale pa prekur./Ekskluzive

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com