Janë fruta krejt të veçanta, me një shije fantastike e të mrekullueshme. Aq sa, nëse nis të konsumosh disa kokrra nga këto fruta të vogla të shijshme, vështirë se mund të ndalesh.
Dikur, kur fshatrat kanë qenë më të populluara se sa sot, vallzat kanë qenë ndër frutat që jo vetëm kënaqnin fëmijë, të rritur e mysafirë me ëmbëlsinë e tyre. Një pjesë e mirë e tyre përgatitej nga gratë si pjesë e zahireve të dimrit.
Ato ndaheshin me një thikë në mes. Kaloheshin përmes një gjilpëre në një fill të trashë dhe lidheshin në formën e një vargu.
Më pas, vargjet e përgatitura gratë i linin që të thaheshin në diell. Për t’i konsumuar më pas gjatë stinëve të tjera të vitit, si fruta të thata apo si çaj gjatë dimrit.
Të Rrallat e Maleve të Shqipërisë
Nga veriu në jug të saj, Shqipëria është e bekuar me këtë frut unik. Sot, vallzat nuk gjenden lehtë në treg ato janë përherë pjesë e sasive të vogla me fruta që shiten në tregjet e fshatarëve.
Vallzat, emri botanik i të cilave është Sorbus aucuparia janë fruta kokërr vogla të cilat rriten kryesisht në male e kodra.
Ky frut është i rrallë për pjesë më të madhe të botës. Më shumë e përhapur është në zonën e Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë, Amerikën e Veriut si dhe Azinë Veriore gjithashtu.
Vallëzat rriten në klimë të ftohtë ndaj dhe karakteristikë e tyre është rritja në zonat malore.
Frutat e Vogla me Vlera të Mëdha
Këto fruta kokër vogla janë të paketuara me një numër të lartë vlerash ushqyese. Përfshirë këtu një nivel të lartë të vitaminës C, fibra ndërsa cilësohen gjithashtu sit ë çmuara për vetitë e tyre antioksiduese.
Falë nivelit të lartë të vitaminës C, vallzat ndihmojnë në forcimin e imunitetit. Përfshirë këtu edhe përmirësimin e nivelit të kolagjenit, i cili ndihmon në forcimin e muskujve dhe ndihmon në mirëfunksionimin e enëve të gjakut.
Kundër baktereve
Këto fruta janë fantastike përsa i përket aktivitetit të tyre antibakterial. Acidi sorbik tek këto fruta ndihmon në eliminimin e baktereve dhe mikrobeve që prekin lëkurën dhe trupin gjithashtu.
Vallzat kanë gjithashtu veti shumë të mira përsa i përket ndikimit të tyre në mirëfunksionimin e sistemit të tretjes.
Çaji i vallzave të thara është përdorur që në lashtësi për të kuruar dhimbje e barkut, diarrenë si dhe dhimbjet e stomakut./AgroWeb.org