Prokurori i Apelit të Tiranës, Gentian Trenova pritet t’i bashkohet listës së personave që kanë ngelur në procesin e vetingut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zhvilluar ditën e djeshme seancën dëgjimore me subjekt prokurorin Trenova, i cili është njëkohësisht anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Vetë Trenova ishte i pranishëm në seancë, ndërsa shoqërohej edhe nga avokati Saimir Lami.
Por ndryshe nga herët e tjera, seanca dëgjimore e djeshme solli edhe një risi, ku për herë të parë aftësitë profesionale kanë vënë në pikëpyetje integritetin e një gjyqtari apo prokuroi. Thënë më drejtë, sa i takon aftësive profesionale të prokurorit të Apelit të Tiranës, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka sjellë një rast, kur Gentian Trenova ka pushuar hetimet për pasurinë për një person të arrestuar nga policia greke me kanabis dhe një pistoletë.
Sipas KPK, prokurori ka kryer hetim të paplotë, duke mos hetuar për verifikimin e këtij personi. Mirëpo, të njëjtin fat ka pasur edhe hetimi ndaj një prokurori të kapur në korrupsion. Në këtë procedim, sipas KPK kishte përgjime për përfshirjen e një prokurori me inicialet A. K. Kjo çështje u ndoq nga Trenova, i cili e mbylli hetimin, ndërsa më pas gjykata e pranoi këtë kërkesë dhe u asgjësua ky përgjim.
Interesant është fakti se në seancën e djeshme u bë protagonist edhe përfaqësuesi i ONM, Teo Jacobs, karriera e të cilit shënon 23 vite në akuzë. Prokurori belg foli gjatë duke kërkuar shpjegime nga prokurori Trenova, ndërkohë që nuk kurseu edhe kritikat ndaj këtij të fundit, sa i takon deklaratës veting dhe aftësive profesionale. I bazuar ne folklorin belg me shprehjen: “duhet zgjedhur mes dy të këqijave”, Teo i kërkoi prokurorit të pranonte nëse kishte bërë deklaratë të rreme, apo kishte krijuar rrethana fiktive për blerjen e apartamentit.
“Përgjegjshmëria juaj si prokuror deri ku shkon”, citon “Sot” Jacobs. Po ashtu, ai i kujtoi Trenovës se duhet të hetojë ata që shkelin ligjin dhe jo të bëjë të kundërtën. Pika tjetër që vështirësoi pozitën e prokurorit ishte pushimi i hetimeve për dy dosje, njëra për korrupsion ndaj prokurorit me inicialet A. K. dhe tjetra për hetimin pasuror ndaj një të arrestuari për droge.
Për këto, Teo Jacobs tha se e gjitha kjo nuk është profesionale, sepse sipas tij prokurori kishte mundësi ta hetonte kolegun dhe personin e lidhur me krimin e organizuar. Madje, Jacobs theksoi se ai së bashku me kolegët e tij ndërkombëtar janë në Shqipëri për të ndihmuar organet e vetingut, kështu që çdo hetim i KPK mban edhe vulën e ONM.