Janë vënë në prangat e policisë një administrator I një pike farmacie, një farmaciste si dhe në kërkim është shpallur drejtuesja teknike, pasi shisnin mallra kontrabandë. Në kuadër të operacionit policor të koduar ‘’Medikamenti’’ nga Sektori për Krimin Ekonomik dhe Financiar, janë sekuestruar 520 medikamente dhe produkte farmaceutike të llojeve të ndryshme.
Njoftimi i plotë
Operacion policor i koduar “Medikamenti” nga Sektori për Krimin Ekonomik dhe Financiar.
Arrestohet administratori dhe punonjësja e farmacisë për kontrabandë produktesh farmaceutike, si dhe shpallet në kërkim drejtuesja teknike e farmacisë.
Sekuestrohen 520 medikamente dhe produkte farmaceutike të llojeve të ndryshme.
Më datë 12.05.2018, Sektori për Krimin Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Medikamenti”, arrestoi shtetasit :
– Julian Ll., 40 vjeç, banues në Tiranë (me detyrë administrator farmacie)
– E. P., 29 vjeçe, banuese në Tiranë, (me detyrë punonjëse farmacie)
Si dhe u shpall në kërkim dhe po punohet për ndalimin e shtetases:
– A. P., 66 vjeçe, banuese në Tiranë (me detyrë drejtuese teknike e farmacisë)
Shtetasit e mësipërm në një pikë farmacie në rrugën “Kongresi i Manastirit”, tregtonin dhe shisnin produkte farmaceutike kontrabandë.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Riprodhimi pa të drejtë i veprës së tjetrit”, parashikuar nga nenet 178, 180 dhe 149/a të Kodit Penal.