Shënime pas një fundjave si të tjerat…
Darka zbret e butë mbi gjirin e Vlorës, teksa shetitorja e re e qytetit nis të shpalosë spektaklin e saj të dritave. Mijëra njerëz nisin të mblidhen si milingonat nga të gjitha drejtimet, sa në lulishtet, lokalet, stolat apo këndet e shumta të lojrave të Lungomares, këtij projekti që ka bërë të flitet shumë, por që i ka ndryshuar një herë e mirë pamjen qytetit më të madh turistik të Shqipërisë. Gjithçka i ka ndarë e polarizuar opinionet, qendrimet dhe përshtypjet që ky projekt tetë milion eurosh provokoi kur nisi të ndërtohet dy vjet më parë. Kostot, pluhuri i kudondodhur, ana estetike dhe cilësia e punimeve – të gjitha u kaluan në lupën e rreptë të rrjeteve sociale, medias në Tiranë dhe politikës. Sot, kur projekti duket i përfunduar, zhurma ka rënë dhe njerëzit kanë mbushur hapësirën e madhe të bregut vlonjat. Një triumf i paqtë i ligjësive të jetës mbi përjetimet dhe emocionet skizofrenike të momentit.
Shumë kilometra para se të hysh në hinkën urbane që të çon drejt Lungomares, rruga drejt Vlorës të ofron një pamje të kundërt. Atë të një projekti tjetër, kësaj rradhe të papërfunduar, ku çdo ditë të javës, në verë por dhe në dimër, sfidohen nervat e disa mijëra shoferëve, kalimtarëve e turistëve të huaj e shqiptarë. Është unaza e Fierit, Bypass-i i Fierit, siç kanë mësuar t’ja thonë tashmë emrin edhe fëmijët e të moshuarit. Një hark asfalti dhe betoni prej pak kilometrash, mbi të cilin mbeten të ngrira vështrimet dhe shpresat e gjithë industrisë së re shqiptare të turizmit. E ndodhur në tre të katërtat e rrugës nga Tirana në Vlorë, kjo hallkë, ndoshta më e dobëta e infrastrukturës kombëtare, e krahasuar me shkëlqimin e Lungomares, shënon anën tjetër të medaljes shqiptare. Një realitet ku ekstremet, paradokset dhe të kundërtat shiten që të gjitha për normalitet. “Bussines as usual”, ose për ta përkthyer e perifrazuar me pak fantazi në shqip “gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Shqipëri”!
Qeveria Rama ka hyrë në vitin e saj të pestë. Të parin qëkurse tepsia kaloi e gjitha nga njëra anë e kandarit të pushtetit. S’ka më as LSI, as Ilir Metë. Çka do të thotë se edhe presioni e kërkesat në profilin e Facebook-ut të Edi Ramës marrin çdo mëngjes nuanca gjithnjë e më të forta. Gjithfarë ankesash, ironish dhe deri akuza e sharje, të cilave kryeministri duhet t’u përgjigjet në një farë mënyre.
Qeverisja e dytë e Edi Ramës i ngjan sot autostradës Tiranë-Durrës. Gjysma e segmentit, deri në kthesën që merr për në aeroportin e Rinasit, është e shtruar rishtas, e vijëzuar dhe me ndriçim. Ashtu siç duhet të jetë një autostradë e standartit europian normal. Pjesa tjetër nga Kashari në Durrës është ndërkaq një rrugë fshati, më shumë sesa një arterie e madhe kombëtare. Pas vitesh durimi, më në fund udhëtarët po shohin sesi edhe ky segment po asfaltohet.
Në pesë vjet drejtimi të shtetit, Rama ja ka dalë të nisë disa reforma të mëdha, të avancojë konturet e disa ndryshimeve në punën e sjelljen e administratës, të premtojë dhe t’i mbajë ose jo premtimet, duke vendosur në vitrinë jo pa dredhi një bilanc, ku të mirat i konsideron të vetat dhe të këqiat ja “faturon” tepsisë (kupto LSI-së)! Kjo lëkurë leopardi që sot është bilanci zyrtar i Rilindjes, pasqyron dukshëm konsumin dhe vitet, por nëse ka një oaz suksesi që ende vijon të meritojë më shumë lëvdata se akuza e përbuzje, janë ndryshimet që kryeministri shqiptar ka sjellë në qendrat e mëdha dhe të vogla urbane të vendit.
Këto projekte të grupuara në termin “Rilindja urbane”, kanë ndryshuar sot faqen e shumë qyteteve të degraduara deri në dhimbje, duke krijuar atmosferë, jetë nate, rivlerësuar pronat, bizneset e banesat, si dhe kanë tërhequr turistë në cepat më të pamendueshëm të vendit. Kinezë në Korçë, francezë në Pogradec, gjermanë, çekë e Sllovakë në Theth e masivet malore, pa llogaritur qytetet bregdetare që po nisin t’i përshtaten turizmit “shumëkombësh”.
Ishte e paimagjinueshme që të shihje bregun e liqenit të Belshit me shetitore të rregulluar, ndriçim nate dhe me banorë që shetisin fëmijët mes stolave dhe barit. Ishte gjithashtu e pamundur ta imagjinoje ndryshe Himarën apo Qeparoin, përveçse me kaosin e kafeneve të shëmtuara dhe makinave që të merrnin frymën dimër e verë. E vështirë ka qenë t’i konsideroje qytete Prrenjasin, Kukësin, Urën Vajgurore, Rrëshenin e Kavajën pas vitit ’97, ashtu siç konsideroheshin fshatra të harruara Libohova, Petrela etj. Mbi 500 projekte deri tani në të gjithë hartën e Shqipërisë. I gjithë ky dispozitiv i ri arkitekturor përbën vitrinën më të dëshëruar të turizmit të ri shqiptar, që po mundohet të joshë të huajt jo vetëm me çmimet e lira dhe plazhet e bukura, por edhe me qytetet e fshatrat ku nuk ka vetëm pisllëk, papunësi dhe degradim.
Fjetinat gjigande, qytetet e trashëguara nga socializmi dhe të rrënuara më pas nga tranzicioni shkatërrimtar mbi 20 vjeçar, sot kanë të paktën një qendër, një bulevard a një kompleks godinash që i ka shkëputur “me dhunë” nga mizerabiliteti dhjetravjeçar, ku qendrat e lokaliteteve gëlonin nga qentë rrugaçë dhe autobusët që gjithmonë niseshin për diku! Dhe ky është një vizion me të cilin Rama, përtej të gjitha kritikave, gabimeve, akuzave e rrudhjeve të buzëve të rastit, i ka dhënë udhë një transformimi të dukshëm, një etape të re të evolucionit urban në Shqipëri.
Nuk është e rastit që nga i gjithë pesëvjeçari i qeverisjes së deritanishme, kryeministrit aktual me gjasë do t’i mbahen mend më së shumti punët që bëri në kufinjtë gjeografikë të një qendre urbane, një lagjeje historike apo një sheshi të njohur të një qyteti. Instiktivisht Edi Rama i është rikthyer, jo pa shkaktuar debate e dyshime tek kundërshtarët, petkut të vjetër të kryebashkiakut, duke treguar fokus dhe ndjeshmëri për qendrat urbane në të gjithë vendin. Instiktivisht, edhe Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit, një grua që i ka qëndruar në distancë me klas dhe dinjitet mishmashit politik ku ndodhet përditë i shoqi, shprehej se fundi në një emision televiziv se ajo që do mbahet mend gjatë nga qeverisja e Ramës, do të jenë qendrat urbane të transformuara. Një konstatim “cerebral” dhe i vetvetishëm i kujtdo që e njeh mirë të shkuarën dhe të tashmen e Edi Ramës si politikan, si artist dhe si njeri.
Në fund të dekadës së parë të mijëvjeçarit të ri Tirana e kishte marrë statusin e qytetit që ecte me shpejtësi të ndryshme nga pjesa tjetër e vendit. Rilindja urbane po tenton ta mbushë këtë humnerë zhvillimi dhe rigjallërimi ekonomik e social. Një anomali historike e cila është në sytë e të gjithëve, me përjashtim të asaj pjese të medias dhe politikës që shohë gjysmën bosh të gotës për interesat dhe hallet e saj. Në këtë prag-Botërori dhe fund-sezoni politik, kjo zhurmnajë bëhet edhe më e vështirë për t’u duruar. Ky nuk është një vend normal, ka një mijë probleme e kriza. Por ja vlen të hapësh sytë e të shohësh gjithçka normale që shfaqet diku në këtë faqe dheu që na ra për pjesë. Jo gjithmonë lajmi i mirë nuk është lajm…
Skënder Minxhozi