Kombëtarja do të startojë në shtator ndeshjet për Ligën e Kombeve, por duket se trajneri Kristian Panuci nuk ka gati një skuadër cilësore, pasi lojtarët kryesorë të ekipit nuk kanë skuadër dhe mjaft titullarë kanë dalë në treg duke pritur ofertën më të mirë.
Duke nisur nga mbrojtja, lojtari i parë që është me “valixhe” në duar është Mërgim Mavraj, i cili nuk bën më pjesë në planet e Hamburgut dhe me shumë gjasë destinacioni i ri do të jetë kampionati turk.
Edhe Elseid Hysaj ka një të ardhme të paqartë, pasi me ardhjen e Ancelotit te Napoli dhe largimin e Sarrit, ai është ende në pritje të mësojë se ku do të luajë sezonin tjetër. Natyrisht, ai është pjesë e Napolit, por nëse trajneri Sarri merr detyrë në një klub tjetër, sic flitet për te Celsi, atëherë shkodrani do të shkojë pas trajnerit të tij.
Ivan Balliu do të largohet nga Metz, sepse kjo skuadër ra nga kategoria në Francë, prandaj mbrojtësi kuqezi i dalë nga akademia La Masia e Barcelonës do të kërkojë skuadër tjetër, me shumë mundësi në Spanjë.
Dy qendërmbrojtësit, Berat Gjimshiti dhe Frederik Veseli, gjithashtu mund të jenë surprizë në këtë merkato vere, sidomos Gjimshiti, Benevento e të cilit ra nga kategoria në Itali dhe mbrojtësi kuqezi mund të kthehet në Serie A me ndonjë skuadër tjetër.
Edhe Arlind Ajeti, kartoni i të cilit mbahet nga Torino, duket se do të huazohet në ndonjë klub tjetër italian dhe nuk e ka të ardhmen e sigurt. Në krahun e majtë të mbrojtjes nuk kemi praktikisht asnjë lojtar në formë që mund të zëvendësojë Ansi Agollin dhe Panuci ka dështuar ta mbulojë këtë pozicion me elementin e duhur.
Lenjani nuk është aspak në formë dhe ka gjasa të dalë në treg të kërkojë skuadër të re. Pra e gjithë mbrojtja e Shqipërisë është me probleme dhe me përjashtim të Hysajt, të tjerët nuk japin siguri maksimale, pasi nuk janë titullarë me ekipet e tyre e madje disa prej tyre janë pa skuadër.
Në mesfushë ka të tjera probleme. Ledian Memushaj e Migjen Basha, dy nga mesfushorët më cilësorë të ekipit janë pa skuadër. Memushaj kërkohet nga ish-skuadra Peskara, por do të shihet cfarë qëndrimi do të mbajë Benevento ku ai luajti këtë sezon që lamë pas. Edhe Basha nuk ka rinovuar me Barin në Serie B kështu që pritet të dalë në treg.
Mesfushori të tjerë me probleme janë Abrashi i dëmtuar, Roshi me problem aktivizimi në Ceceni, apo dhe Grezda që pret të largohet nga Osijeku në një skuadër më të madhe. Lojtarët e rinj si Ramadani, Qaka e ndonjë tjetër ende nuk janë shtruar.
Në sulm, nuk kemi një bomber të mirëfilltë, nga ata që shënojnë shumë gola. Sadiku pritet të largohet nga Levante, ndoshta i huazuar ose do të dalë në treg, kurse Balaj ka luajtur me pikatore te Ahkmat Grozni në kampionatin rus. Sulmuesit e tjerë si Manaj etj, nuk bindin, ndërsa Cikalleshi e ka humbur shkëlqimin e dikurshëm në Kombëtare. Praktikisht, vetëm portierët Berisha e Strakosha japin siguri, falë dhe rolit të tyre
E thënë ndryshe, skuadra e Kristian Panucit nuk jep siguri për të shkuar në Europianin e vitit 2020, sepse lojtarët ose nuk janë në formë, ose qëndrojnë në stol në ekipet e tyre ose kanë humbur skuadër e kanë dalë në treg të hapur me shpresën se do të kenë shans për të ardhmen e karrierës së tyre. /Pamfleti Sport