Njëri shante muslimanet dhe zezakët, tjetri shante qeverinë, i treti premtonte se do ua digjte kampet emigrantëve që do dyndeshin në Shqiperi…
Shkruan Bledi Mane-Public Enemy
Refiku, Faiku dhe Namiku ia benë fora. Tre vëllezër kurajoze që nuk pyetën as nga frika e regjimit e as nga dalldia e tranzicionit halabak shqiptar.
Refiku u fut në ambasadën gjermane në korrik të vitit 1990 dhe mbajti më pas frymën në Mynih. Aty e priten si pasha e i ofruan strehë, bukë, marka gjermame, leje pune e brenda 5 vitesh u bë qytetar gjerman.
Faiku, vellai i dyte zbriti nga Tirana copa-copa drejt Gjirokastres dhe atje buzë kufirit nisi rrugën me këmbë drejt Greqisë. Ishte shkurti i ftohtë i vitit 1991, por në fshatrat dhe qytetet e komshiut jugor gjeti ngrohtësi dhe punë. U sistemua dhe tani kapardiset edhe si shtetas grek, edhe si pronar sufllaqesh.
Ndryshe nga Refiku dhe Faiku, Namiku më i vogli vëlla zgjodhi te emigronte në marsin e 1991 me anije drejt Italisë. Vuajti pak si fillim në stadiumin e Barit ku i mbajtën disa ditë mijëra e mijëra shqiptarë, por më pas, fati i qeshi si ngjyrat në pikturat e rilindjes italiane dhe gjeti mikpritje e punë në Firencen e bukur që nuk e kishte parë as në endrrat e fëmijërisë.
27 vjet me pas, të tre vëllezërit tashmë me familje, me prona e me lekë menjanë janë kthyer në Shqipëri ku kanë hapur të tjera biznese. Kodoshe të mëdhenj mbetën si gjithmonë e megjithëse janë shtetas të huaj ende vazhdojnë dallaveret duke manipuluar taksat, duke masakruar punonjësit e tyre me 12 orë pune çdo ditë e duke mos u paguar as sigurimet shoqërore. E kanë kapur veten të tre vëllezërit dikur refugjatë dhe emigrantë e tani kapardisur bëjnë moral e flasin si kompetentë të gjithçkaje.
Madje mbrëmë kur ishin ulur e pinin birra e hanin qofte me shoqërinë e tyre, ulërisnin e bërtisnin me shumë se të tjerët. Teksa muhabeti në tavolinën e tyre proftasi për kampet e emigranteve nga Lindja e Mesme ose Afrika që mund të ndërtohen në Shqipëri, tre vëllezërit si tre lugetër të një nate të kobshme, shanin dhe mallkonin plot pasion.
Njëri shante muslimanet dhe zezakët, tjetri shante qeverinë, i treti premtonte se do ua digjte kampet emigrantëve që do dyndeshin në Shqiperi…
Zgjodha pikërisht 3 personazhe shqiptarësh që kanë provuar në kurizin e tyre emigracionin, mikpritjen e vendeve ku kanë bujtur, respektin e atjeshëm, bukën që kanë ngrenë, punët q kanë bërë, paratë që kanë fituar e ndërsa tani klithin si virgjereshat hipokrite kur bëjnë seks pas qepjes së tretë. Debati cinik e i pështirë që ka pllakosur bashkë me vapën e qershorit, nuk tregon gjë tjetër veçse na gris e na gris maskën që ia kemi veshur vetës, gjasmë si mikpritës. Këta mysybetër harrojnë se nuk ka bir kurve ta ndalojë globalizmin dhe multikulturalizmon në çdo cep të Evropës.
Dynjaja ndaj u prosperitua e u zhvillua se mikpriti raca, mendje, krahë pune nga cilido vend tjetër. Dhe shembulli më i qartë është kur çdo vit rreth 500 mijë shqiptarë aplikojnë për Llotarinë Amerikane. Duan të shkojnë në një vend me 350 milione banorë ku të bardhë, të zinj, hespanike, arabë, atesitë, të krishterë, budistë, komunistë, mallistë, muslimane, talebanë, zaberzanë, të rinj, pleq, engjej, dreq, të kamur, kotherë, të bukur, sakatë, lugatë, renegatë, burra e gra jetojnë e punojnë në harmoni duke e kthyer Amerikën në një superfuqi që bën ligjin në këtë planet.
Deri dje mallkonit malokët dhe leberit pse erdhën në Tiranë e më pas u puthet, u palluat, u martuat dhe lindet pasardhës. Të njejtën gjë po bëni edhe tani me emigrantet, por mos harroni, shumë shpejt fëmijët tuaj nuk do i ndalojë dot askush nëse do dashurojnë një brun, një kinez,një zezak, një arab.
Janë punët e Perëndisë, jo të Qeverisë!