Loading...

Ndërtimi pa leje në Rradhime sfidon forcën e ligjit, IMT-ja e Vlorës nuk ndërhyn

Problemet e qytetarëve nuk kanë të mbaruar. I tillë është edhe shqetësimi i zonjës Hatika Lagji, e cila ka sjellë shqetësimin e saj në emisionin BOOM në Ora News. Ajo është pronare e 10 mijë metra toke arë në Radhimë të Vlorës. Në vitin 2003 bashkëshorti i zonjes Lagji i dha me qira zonjës Irena Shyti  3000 metra tokë  për një afat 5 vjeçar. Gjatë kohës që zonja Shyti  kishte në përdorim këtë tokë ajo ndërtoi një objekt të paligjshëm  rreth 300 metra katrore. Pas përfundimit të kontratës së qirasë, pronarët e tokës i drejtohen Gjykatës  për të bërë të mundur lirimin e pronës dhe kthimin e saj në gjendjen e mëparshme.

Në vitin 2009 Gjykata shprehet me vendim të formës së prerë, se toka duhet të kthehet në gjendjen e mëparshme duke u prishur objekti i paligjshem. Ka 9 vite që ky vendim nuk gjen zbatim as nga IMT në Vlorë dhe as nga IKMT-ja  pasi  instituciomet luajnë ping –pong me njëra tjetrën. Paligjshmeria  vazhdon të sfidojë, forcën e ligjit.

Hatika Lagji: Në vitin 2003-2008 bashkëshorti im i ndjerë Mustafa Lagji dha një tokë bujqësire me qira për 5 vjet. Ia dha familjes së Roland Shytit, Irena Shytit, tokë bujqësore me qira. Që kur filloi ndërtimi i jashtëligjshëm, bashkëshorti im shkoi në cdo zyrë dhe nuk gjeti zgjidhje. U detyruam që të mbaronte kontrata dhe pas përfundimit të kontratës ata nuk donin ta lironin, nuk dhanë as qiranë ne ju drejtuam gjykatës. Gjykata dhe vendim të formës së prerë që thotë; Të lirohet dhe të dorëzohet prona në gjendjen e mëparshme. Kemi vajtur tek zyra përmbarimore e Vlorës dy herë. Kemi ardhur deri tek ekzekutimit që sa thuhej lajmërim për ekzekutim ata tërhiqeshin, nuk vepronin. U detyruam dhe vajtëm në Tiranë, morëm zyrën përmbarimore Elidon Xhindin. Ky nuk e përfundoi plotësisht sepse objekti ka mbetur i paprishur. INUK i Vlorës nuk e prish sepse ose është i lidhur me palën ose nuk do. Kemi që në 2003 paguajmë dhe taksën dhe tek kjo pronë nuk afrohemi dot. Unë nuk vij dot në pronën tonë, sepse ata na kërcënojnë, ose pronën ose jetën. Unë i lutem kryeministrit që të ma zgjidhë këtë problem, të më ndihmojë që objekti të prishet.

Kryeinspektori i Vlores: Këtë vendim duhet ta ekzekutojë Përmbaruesi

Gazetarja e BOOM shkoi tek IMT-ja Vlorë  për të pyetur se pse nuk zbatohet një vendim i formës së prere, ndonëse Kryeinspektorja Dallendyshe Bici i ka dërguar disa shkresa që të marrin masa. Kryeinspektori i Vlores thotë se këtë vendim duhet ta ekzekutojë Përmbaruesi, ndonëse ky i fundit e ka kryer punën e tij dhe i ka nxjerrë qiraxhinjtë dhe i ka rikthyer tokën pronareve të ligjshëm.

Gazetarja- Kur zonja Dallëndyshe ju thotë shkoni prishni objektin,  pse nuk e prishni?

Kryeinspektori IMT Vlorë-  Kryeinspektorja na thotë që trajtoje këtë problem.

Gazetarja- Dhe ju pse nuk e trajtoni?

Kryeinspektori IMT Vlorë –  Ne e kemi trajtuar dhe normalisht zonjën të paktën ka ardhur dy tre here që ka komunikuar me mua.

Gazetarja- E kupton sa e tmerrshme është të kesh token tënde dhe tjetri ta rrethojë, ti të paguash taksat e pronës dhe tjetri ta gëzojë. Ju të mos ekzekutoni një vendim të formës së prerë?

Kryeinspektori IMT Vlorë –  Unë s’kam qenë asnjëherë palë në këtë gjyq.

Gazetarja– Është vendim i formës së prerë, të kthehet prona në gjendjen e mëparshme.

Kryeinspektori IMT Vlorë –  Zonja vendimin gjyqësor të formës së prerë mund ta çojë te zyra përmbarimore.

Hatika–  Ka që nga 2015-ta deri më sot kam trokitur disa herë, kemi folur edhe bashkë, t’i kam treguar  nuk shkoj dot te toka por kërcënohem me jetë. Kam fituar 5 procese gjyqësore të formës së prerë.Çfarë kërkoni ju nga unë, kur ajo thotë të kthehet në gjendjen e mëparshme?

Ai i zyrës Përmbarimore thoshte kaq kam detyrë unë. Mjetet kush i ka? Në rast se ju zotëri nuk keni mjete do t’i kërkoni ju ndihmë Dallëndyshe Bicit dhe jo të më hallakasni e të talleni me familjen e Mustafa Lagjit.

Kryeinspektori IMT Vlorë –  Zoti Elidon thotë që unë e kam ekzekutuar.

Gazetarja-Elidoni thotë që ai e ka ekzekutuar për pjesën e vet, por për pjesën e ndërtimit Elidoni nuk ka skrep.

Kryeinspektori IMT Vlorë–  Në momentin që ne kemi vendim gjyqësor lërim dorëzim sendi dhe kthimin në gjendjen e mëparshme ai duhet të zbatojë të gjitha pikat e vendimit. Se si i zbaton ai dhe formen e zbatimit të tij ai i ka te ligji i përmbarimit.

Hatika- Dallëndyshja ka dërguar pesë letra që nga 2015-ta deri në 2017-tën.

Gazetarja- Elidoni i ka shkruar edhe IKMT-së, këtë gjë që sapo më kërkuat e ka bërë që në vitin 2015. Midis të tjerave është konstatuar se mbi këtë sipërfaqe ndodhet një objekt 238 m2, mur tulle i mbuluar me solet betoni. Për të bërë të mundur ekzekutimin e vendimit gjyqësor kërkoj ndihmën tuaj që të lirohet plotësisht sipërfaqja e tokës prej ndërtimit mbi të.E ka bërë që në qershor  të 2015-tës.Pse nuk është ndërhyrë?

Kryeinspektori IMT Vlorë –  Ne s’jemi IKMT-ja jemi organ tjetër.

Gazetarja-Po vendimi gjyqësor nuk është urdhër për ju?

Kryeinspektori IMT Vlorë –  Jo,jo.

Por ky problem ka marrë edhe jetë njerëzish, pasi bashkëshorti i zonjës Hatika ka ndërruar jetë si pasojë e një ataku kardiak, duke mos e gëzuar pronën e tij.

Hatika Lagji:Burri im nuk gëzoi pronën e tij, ai kishte një vendim gjykate që kurre nuk gjeti zbatim. 6 vite nga zyra në zyrë derisa  humbi jetën nga ataku kardiak. Ai e përjetoi keq mos gjetjen e drejtësisë dhe e ka vuajtur çdo ditë. Ai ishte ishqetesuar se do linte femijët në  hasmëri me pronën e tyre derisa vdiq, tani  këtë hall po e ndjek une e nuk po gjej zgjidhje. Askush nuk vjen për të prishur objektin pa lejë.

BOOM shkoi edhe në IKMT në Tiranë, por ky institucion ia delegon përgjegjësinë IMT në Vlorë dhe përmbaruesit pasi thonë se është përmbaruesi që ekzekuron vendimet e gjykates.

Saimira Ylli, specialiste për marrëdhëniet me median, IKMT: Për rastin në fjalë vendimet e gjykatës janë të ekzekutueshme për palët në proces dhe për këtë rast pala fituese i është drejtuar përmbaruesit, i cili duhet ti drejtohet Inspektoritatit vendor për ekzekutimin.

Gazetarja: Si i bëhet kur përmbaruesit janë privatë?

Saimira Ylli, specialiste për marrëdhëniet me median, IKMT: Kjo është një pyetje që i takon përmbaruesit që të japë përgjigjen dhe zgjidhjen.

Gazetarja: Përmbaruesi i është drejtuar IMT Vlorë dhe IKMT Tiranë, por ende kjo nuk ka marrë zgjidhje…

Saimira Ylli, specialiste për marrëdhëniet me median, IKMT: Nuk mund të shprehemi në lidhje me procedura që duhet t’i marrë përmbaruesi, pasi sipas ligjit specifik për ushtrimin e veprimtarisë të përmbaruesit gjyqësor, përcaktohet posacërisht procedurat dhe mjetet gjyqësore dhe ligjore për ekzekutimin e vendimeve të tilla.

Gazetarja: Kryeinspektorja Dallëndyshe Bici i ka dërguar 5 shkresa IMT Vlorë për të zgjidhur problemin e qytetarit. A keni marrë përgjigje për këto shkresa që janë nisur?

Saimira Ylli, specialiste për marrëdhëniet me median, IKMT:  Për sa ju pyesni IKMT kthen përgjigje për cdo ankesa të qytetarit shqiptar për zgjidhjen e problemit të tyre.

Institucionet luajnë ping pong me njera-tjetren ndërkohë që Përmbaruesi nuk ka mjete për të prishur objektin. Detyrën e  tij ai e ka kryer duke i vënë në dijeni të dyja këto institucione se duhet që të prishin objektin pa leje në bregdet. Shkrese e cila daton ne 29.6.2015.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com