Anxhela Meçani është 20-vjeçarja e cila gjeti vdekjen në mënyrë tragjike mbrëmjen e së shtunës.
Trupi i saj i dhunuar barbarisht u hodh nga një makinë në lëvizje në rrugët e Torinos, 2 km larg vendit ku qëndrojnë prostitutat.
Ajo u gjet nga kalimtarë të zonës dhe u transportua në spitalin Santa Croce di Moncalieri ku ndërroi jetë natën e së dielës për shkak të plagëve të rënda.
Fjalët e saj të fundit në spital ishin “Rashë nga makina”. Vdekja tragjike e shqiptares ende ka mbetur mister dhe duket se e reja po fshihte diçka.
20-vjeçarja ishte minorene kur kishte shkruar në Itali, kishte jetuar në Ravenna, në një apartament në qendrën historike, në rrugën Benedetto Cairoli, dy hapa nga Piazza del Popolo. Vitin e shkuar ajo ishte martuar, por më pas ishte ndarë dhe ishte larguar nga qyteti, raporton Panorama.
Sipas hetuesve është dyshuese sesi ajo ka dalë nga makina kur automjeti ka qenë në lëvizje, por sipas tyre është e sigurt që 20-vjeçarja është dhunuar dhe plagët në trupin e viktimës nuk ngjasojnë me ato të një përplasjeje në rrugë.
Prej disa javësh ishte parë në Torino. Vajzat që shesin trupin me 30 euro rreth zonës së Stupinidit kanë deklaruar se e reja shqiptare ishte njëra prej tyre. Dyshohet se edhe mbrëmjen e të shtunës Anxhela ka qenë në punë dhe një makinë që ka ndaluar e ka ftuar brenda.
Vajzës i është gjetur një fotokopje e letërnjoftimit dhe një telefon celular që ka kaluar për hetim.