Investimet e huaja direkte shënuan një rritje të ndjeshme me 61.6% në tremujorin e parë të vitit 2018, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, bëri të ditur Banka e Shqipërisë.
Sipas statistikave të bilancit të pagesave të Bankës Qendrore, investimet e huaja në tremujorin e parë të këtij viti arritën në vlerën 283 milionë euro, duke ndjekur ecurinë pozitive të rritjes me 22% edhe në tremujorin e fundit.
Në këtë tremujor investimet u përqendruan kryesisht në sektorin e energjisë (në masën 62%), në sektorin e hidrokarbureve (me rreth 10%) dhe atë të ndërmjetësimit financiar (në masën 8%).
Vlerat e larta të investimeve të huaja mbetet një ndër kontribuesit kryesorë në rritjen ekonomike të vendit gjatë viteve të fundit dhe një nga shtysat kryesore për rritjen e punësimit dhe të ardhurave ekonomike.
Ndërkohë që sipas Bankës së Shqipërisë, investimet e huaja direkte kanë qenë një faktor me ndikim të rëndësishëm në balancat e tregut valutor./atsh