Guarda di Finanza ka sekuestruar mbrëmjen e të shtunës duke u gdhirë e diela një sasi prej 2,5 ton drogë pranë brigjeve italiane, ndërsa trafikantët kanë mundur të shpëtojnë. Dyshimet e para janë që droga ishte nga Shqipëri dhe më konkretisht nga Vlora. Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, operacioni ishte zhvilluar në kuadër të goditjes së trafikut të drogës mes trafikantëve shqiptarë dhe atyre italian. Media italiane “Brindisireport”, shkruan se operacioni i zhvilluar dy ditë më parë, është zhvilluar kundër trafikut të drogës midis Shqipërisë dhe bregut të Salentos, në ujërat e Brindisit.
Brindisireport, shkruan më tej se, njësia e seksionit detar të Brindisi della Guardia di Finanza, e koordinuar nga Departamenti i Operacioneve Detare të Barit, ka identifikuar dhe ka ndaluar një anije që mbante një ngarkesë të madhe të substancave narkotike. Pas një operacioni i cili zgjati pothuajse 3 orë është bërë e mundur kapja e 2.5 ton marijuanë, që po sipas mediave italiane, ishte prodhuar dhe bërë gati për trafikim ndërkombëtar, nga zonat e prodhimit të kësaj lënde narkotike, siç është qyteti i Vlorës. Nga një përllogaritje e bërë nga mediat e vendit fqinj, vlera e drogës, nëse do arrinte tregun italian dhe më gjerë, atë evropian, do kapte 20 milionë euro.
Këtë drogë dhe rrjetin që u mundua ta trafikonte atë drejtë brigjeve italiane, “Brindisireport” e konsideron si të kontrolluar nga mafiet lokale në Shqipëri. “Nga ajo që është bërë e ditur nga policia, ekuipazhi i anijes që mbante rreth 2.5 ton marijuanë, pas disa përpjekjesh për t’u arratisur bashkë me drogën, e hodhën atë në det dhe vetë arritën t’i shpëtonin arrestimit.”-shkruajnë mediat italiane. Sipas të cilave, forcat operacionale do të bëjnë të ditur më shumë informacion në lidhje me çështjen, sapo të përfundoj edhe një pjesë tjetër e operacionit. Ndërkohë, konfiskimi i lëndës narkotike që u zhvillua gjatë natës, ndryshon krejt lojën për investigimet që janë duke u zhvilluar në kuadër të goditjes së rrjeteve të trafikantëve shqiptar. Sipas “Brindisireport”, ky operacion, me shumë gjasë do të integrohet në një nga shumë hetimet e hapura dhe të vazhdueshme për goditjen drogës shqiptare, i koordinuar nga Drejtoria e Qarkut Anti-Mafia të Leçes.
Policia shqiptare Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me sekuestrimin e 2.5 tonë drogë në brigjet italiane, pas një operacioni të Guarda di Finanza zhvilluar mbrëmjen e të shtunës. Sipas njoftimit të policisë, ndryshe nga sa thuhet në mediat italiane, që droga është nga rrethinat e Vlorës dhe që trafiku drejtohet nga mafia lokale, njofton se ende nuk është bërë e ditur dhe sqaruar se nga cili vend është ngarkuar sasia e lëndës narkotike, për t’u trafikuar në tregun italian. Më tej, policia e shtetit tregon edhe detaje të operacionit, që është zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet e tre vendeve, Shqipërisë, Malit të Zi dhe atyre Italiane.
“Në datë 9 Qershor 2018, rreth orës 16:25, një avion i Guardia di Finanza të Pulias gjatë kontrollit në hapësirën detare, pikasi një mjet lundrues që lëvizte me shpejtësi në ujërat italiane, në largësi rreth 40 milje nga bregu. Menjëherë në ndjekje janë vënë 2 mjete lundruese të Guarda di Finanza, duke e interceptuar mjetin lundrues të llojit gomone, i cili ishte i ngarkuar dhe lëvizte me shpejtësi. Ndërkohë partnerët italianë kanë njoftuar Policinë Kufitare në Shqipëri. Disa mjete të Policisë Kufitare dhe të Guardia di Finanza në Durrës dhe Vlorë janë vënë në gatishmëri, në pritje të hyrjes së gomones në ujërat territoriale shqiptare. Por gomonia e ngarkuar, në ndjekje nga GdF ka shtuar shpejtësinë duke hedhur në det ngarkesën. Më pas ajo i është drejtuar territorit të Malit të Zi, duke u futur në këto ujëra. Policia malazeze e ka interceptuar gomonen, por pas një ndjekje për rreth 1 orë, ka humbur gjurmët e saj.”-njoftoi policia e Shtetit.
IDENTIFIKIMI
Policia shqiptare njofton se, pasi trafikantët të cilët shoqëronin gomonen, e kanë hedhur atë në det dhe janë arratisur, forcat e ndërhyrjes së Guardia di Finanza kanë bërë të mundur rikuperimin mallit të hedhur në det në ujërat ndërkombëtare në afërsi të ujërave territoriale të Malit të Zi, ku rezultoi se ishin rreth 2 ton e 475 kilogramë marijuanë. Sipas njoftimit të policisë së Shtetit, autoritetet policore në 3 shtetet po vijojnë hetimet dhe shkëmbimin e informacionit për zbulimin dhe ndalimin e trafikantëve, por thekson se ende nuk ka të dhëna për origjinën e mallit dhe shtetin nga ku mund të jetë nisur gomonia./shekulli