Loading...

Rizgjohet pas 9 muajsh Shpëtim Idrizi: Rama dhe miqtë e tij grekë donin të na heqin qafe, por ne u ringjallëm

Shpëtim Idrizi ka akuzuar sot Edi Ramën se ka hequr atë, Mesila Dodën dhe Aqif Rakipin nga Parlamenti për të qeverisur pa çamë nëpër këmbë.

Në Këshillin Kombëtar Idrizi mbajti një fjalë të gjatë ku akuzoi në radhë të parë Ramën se ka vjedhur zgjedhjet për të larguar çamët nga Kuvendi në mënyrë që t’I bëjë qejfin grekëve, por nga ana tjetër akuzoi edhe Ilir Metën edhe pse më butë, edhe opozitën për heshtje për çështjën çame.

“Një nga poetët më të mëdhenj shqiptarë, Migjeni tek “Të birtë e shekullit të ri” shkruan: “…të jem’ nji thumb i ngulun nder trutë e njerëzis”.

“Ja, kur ritakohemi sërish në Këshillin Kombëtar të PDIU-së dhe më kujtohet pikërisht ky varg, sa për t’u thënë keqdashësve, mjeshtrave të intrigës, frymëzuesve që tentuan të na zhduknin politikisht dhe jo vetëm, se ja ku na kanë si një thumb i ngulun në trurin e tyre të sëmurë.

Kështu do të na kenë sa herë që ata mendojnë se fitojnë, sa herë që mendojnë se nëpërmjet kulisës do ia dalin të zhdukin këtë aspiratë kombëtare që quhet Çamëri

Këtu do të na kenë si thumb i ngulun në trurin e tyre pervers, sa herë që do të mendojnë se do të zhdukin vullnetin politik të një partie kombëtare si PDIU.

Sido që të numërojnë votat, sido që të bëjnë llogaritë e mandateve tona, nuk shbëjnë dot një fakt të thjeshtë që gati 80 mijë shqiptarë votuan PDIU-në nga veriu në jug, pa kurrfarë dallimi krahinor, toskë e gegë, kristjanë dhe myslimanë.

Këtu do të na kenë si thumb të ngulun në trurin e tyre marrok sa herë mendojnë që do të shpërbëjnë një organizim politik si PDIU apo Shoqatën “Çamëria”.

Le të çojnë emisarë, apo të shpërndajnë viruse si krimba toke, por nuk e prishin dot gjithë këtë lëvizje, sepse kjo nuk është partia e dikujt, por është Partia e një kauze që kërkon drejtësi. Ata me marrëveshje, Kod a presion mund të vjedhin mandatin e Shpëtim Idrizit, Takut, Mesilës a Nustretit, por ti nuk vjedh dot historinë tonë, misionin, arsyen përse Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet është në politikë.Nuk e vjedh dot Çamërinë, sado që të flasësh për të! Nuk e vjedh dot shqiptarinë, sado të përbetohesh për të!”, deklaroi Idrizi.

Kreu i PDIU-së ka akuzuar egërsisht qeverinë se e ka shitur detin, çështjen çame dhe çdo gjë siç do Athina, madje e akuzoi edhe ministrin e Jashtëm si agjent të saj, kur e quajti “Dhimitër Bushati”. “Ka qenë një strategji e qartë që mos të kishte përfaqësim të Çamërisë në këtë Kuvend, madje kërkesë e prerë e “vëllezërve” grekë të miqve të rinj të valleve, sepse vetëm kështu mund të kalonin:

– Ligjin per toponimet, ku pleqtë tanë 75-85 vjeç të ishin të detyruar të ndryshonin vendlindjet e tyre në pasaportat shqiptare, sepse grekët kërkonin të zhduknin identitetin çam, madje duke kërkuar të zhduknin dhe emrin e Çamërisë.

– Ligji për minoritetet, ku Shqipëria na doli vend multientnik me nëntë pakica kombëtare , e zonat minoritare të vendosura që në kohën e mbretit Zog në Finiq e Dropull të ishin koncept hoxhist. Varrezat e ushtarëve grekë që e kanë bërë Këlcyrën qilizëm dhe po mbledhin kockat e të parëve tanë duke na i quajtur Jani e Mihal.

– Marrëveshjen e detit që na e kanë sjellë kufirin deri tek bregu i dytë. A e dëgjuat gëzimin e Panos Kammenos që shpalli se po zgjerojmë ujërat territoriale? A e patë se si fryhen gjelat e Greqisë tani, që po përpiqen të marrin gjithë atë pasuri si mbi, ashtu dhe nën ujë. A po ndjehet kush? Nuk pipëtin asnjë, as Kryeministri, as Presidenti, as ministri i Jashtëm Dhimitër Bushati, askush. Madje, as këta të opozitës nuk hapin gojën. Askush. Po mirë, po ju pyes unë juve çfarë fituan këta nga gjithë kjo tollovi që kanë krijuar? E hoqën gjë Ligjin e Luftës? Jo! Jo! Dhe jo!

Vetë Cipras dhe Kocias kanë deklaruar se formalisht jemi në luftë me Shqipërinë. Ne i lëmë të ngrenë varreza të ushtarëve grekë, ndërsa këta thonë që jemi në luftë me Shqipërinë. Atëherë mos nuk duhen mbyllur këto varreza, sepse meqë lufta vazhdon ka për të patur të tjerë të kufoma, të tjerë të vrarë. Po për kërkesën e Shoqatës “Çamëria” për ngritjen e Varrezave në Çamëri dhe të një përmendoreje për partizanët çam të Ellasit? Asgjë, se mirë për grekun të vdekurit tanë s’janë njësoj, por dhe për palën tonë nuk vlekan njësoj.

Po për kërkesën tonë të përsëritur që shqiptarët e Çamërisë dhe arvanitasit që jetojnë në trojet e tyre në Greqi të marin statusit e Minoritetit Etnik Shqiptar? Këtë status e kanë patur qysh në vitin 1927. Po për hapjen e shkollave shqipe? Mos më thoni se nuk e dini apo s’i mbani mend, se i takoni çdo verë, kur shkoni me pushime në Volë, Pargë, Artë, e më deklaronit sa vend i bukur është e të gjithë flisnin shqip.

Kurse për Çështjen Çame tashmë lehtësisht e me bezdi sa herë ju pyesin  deklaroni që e përdorëm për të ngritur temperaturën me Greqinë. Ç’deklaratë mendjelehtë nga dikush që mendon se ka fatet e Çamërisë në dorë dhe të vendit?!

Pastaj e harruan fare, ose më saktë ju deshën pesë vjet kësaj qeverie që të thoshte që Çështja Çame është çështje e të drejtave të njeriut, por grekët nuk e e pranojnë?! Kaq!!”, tha më tej Idrizi.Por kryetari i PDIU-së ka lënë pezull se më kë do të bëjë aleancë në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm, vetëm tha se do të riorganizohet kjo forcë, që sipas tij do të jetë factor kyç në një numër të madh bashkish. Pamfleti

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com