Loading...

Anijet turistike drejt Sazanit dhe Karaburunit /Foto

Sazani dhe Karaburuni,  janë ndër destinacionet më mbresëlënëse për turistët vendas dhe të huaj, të cilët shijojnë bukuritë dhe magjitë që natyra i ka falur kësaj zone.

Me fillimin e sezonit turistik anijet e vogla turistike të ankoruara në Portin Detar, Vlorë kanë nisur tashmë udhëtimet e para drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit.

Drejtori i Portit Detar Vlorë, Admir Malaj, tha për ATSH-në, se “udhëtimi drejt Sazanit dhe Karaburunit këtë vit ka filluar pak më herët. Gjatë kësaj jave janë nisur nga dy anije me turistë çdo ditë për të zbuluar bukuritë natyrore të tyre”.

“Ky është viti i dytë që anijet turistike nisen nga Porti i Vlorës, por këtë vit ka më shumë kërkesa. Pranë drejtorisë së sh.a. Portit Detar Vlorë kanë aplikuar për licencë 12 anije”.

Sipas tij, deri tani pesë anije kanë lidhur kontratë me portin e Vlorës, ndërsa shpresojmë që kërkesat të rriten.

Drejtori Malaj shprehet se “vitin e kaluar ishin katër anije, këtë vit është dyfishuar numri i tyre”.

I shpallur në vitin 2010 Parku Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, është i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë. Parku ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike. Tani zona mund të vizitohet nëpërmjet udhëtimeve ditore që zhvillojnë operatorët turistik që nisen nga porti i Vlorës. Kjo ofron mundësi reale për të vizituar parkun dhe ofruar një dite ndryshe ne gjirin e Vlorës.

Mjafton këtu të kujtojmë monumentin e natyrës, Shpellën e Haxhi Alisë (atraksioni me i vizituar nga turistët), gjiri natyror dhe kulturor i Gramës (skaji më i largët jugor i parkut detar), ishullin e Sazanit dhe falezat e tij si atraksioni më i madh që prej hapjes së tij për publikun. Për të gjithë ata që dëshirojnë të kalojnë momente relaksi në natyrën dhe qetësinë, parku detar ofron me brigjet e tij të Shën Vasilit, Shën Janit, Gjirit të Djallit, eksperiencë natyrore unike.

Në hapësirat e gadishullit të Karaburunit, në fund, aty ku bashkohet me luginën e Dukatit gjendet Kisha e Marmiroit, ndërsa në faqen jugore, në lartësinë 400 m, në vendin e quajtur Petrunë, gjendet një shpellë shumë e bukur, që quhet Shpella e Dukë Gjonit.

Për të gjithë të apasionuarit e zhytjes ofrohen shtigje nënujore për të parë botën unike dhe pasuritë nënujore./ATSH

  

 

 

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com