Gushti është shumë afër dhe me të po afron edhe piku i sezonit turistik. Jeni në mëdyshje dhe nuk e dini çfarë të zgjidhni? Epo ja tek vjen edhe një sugjerim për ju. Mrekullia mbi tokë, bukuri e pamasë, ujë i kristaltë dhe kujtime të paharrueshme në Parkun Kombëtar detar Karaburun-Sazan.
E gjithë kjo zonë njihet për vlerat e saj të larta dhe unike të biodiversitetit detar dhe rëndësinë e madhe që ka për sa i takon potencialit të zhvillimit të qëndrueshëm për rajonin e Vlorës.
Zona e Mbrojtur Detare Karaburun-Sazan ose, siç njihet Parku Kombëtar i ekosistemit natyror detar pranë Gadishullit të Karaburunit dhe ishullit të Sazanit, është shpallur si zonë e mbrojtur më 28 prill 2010 nga Këshilli i Ministrave.
Vlerat e identifikuara në këtë ekosistem janë të shumta dhe përfshijnë vlera natyrore, në radhë të parë livadhe detare, vlera socio-ekonomike (peshkimi artizanal, turizmi) si dhe vlera kulturore, arkeologjike dhe historike. Këto vlera e bëjnë këtë zonë, një nga më tërheqëset për zhvillimin e turizmit me burime të balancuara në tokë dhe në det.
Por le të flasim pak më gjerë për dy nga zonat më të bukura, për Gadishullin e Karaburunit dhe për ishullin e Sazanit.
Si fillim Karaburuni ndodhet midis Gjirit të Vlorës në Lindje dhe Detit Jon në Perëndim. Gadishulli i Karaburunit është gadishulli më i madh i jugut të Adriatikut lindor dhe një nga pikat më strategjike në rrafshin ushtarak, që ndan Kanalin e Otrantos midis Shqipërisë dhe Italisë. Lartësia e Karaburunit shkon nga 15-30 m deri në 800 m mbi nivelin e detit. Pikat më të larta janë Maja e Flamurit (826 m) e ajo e Caderes (839 m). Kjo zonë ka statusin Rezervat Natyror i Menaxhuar, kategoria e IV.
Zona e Karaburunit karakterizohet nga një diversitet biologjik dhe peisazhor, i cili i dedikohet pozitës gjeografike, orografisë, hidrografisë, vertikalitetit, kushteve tokësore dhe klimatike të ndryshme. Kjo zonë mban habitate të ndryshme, të cilat nga ana e tyre përdoren nga një numër i konsiderueshëm kafshësh (shpend e gjitarë) të një rëndësie kombëtare dhe rajonale për ruajtje. Zona e Karaburunit aktualisht gjendet afër një popullate të konsiderueshme ku qendra më e madhe urbane është qyteti i Orikumit.
Mjedisi social ekonomik i zonës është pothuajse agrar, ndërsa në verë merren me turizëm. Banorët përreth zonës së Karaburunit merren kryesisht me pemëtari, vreshtari, bimë foragjere, blegtori. Brenda zonës Karaburun gjatë periudhës së dimrit, është zhvilluar aktiviteti i blegtorisë (dhi e dhënë). Duke qenë në një pozicion të ndërmjetëm në rrugën e vetme nacionale që lidh Vlorën me Orikumin, Himarën e me tej deri ne Sarandë, ajo ka favorin të ofrojë pika me interes historik si Vlora, Kanina, Amantia, Mavrova, Orikumi, Himara etj.
Karaburuni është gadishulli më i pasur me shpella të lashta në të gjithë Shqipërinë. Rreth 20 shpella të shoqërojnë në të gjithë gjatësinë e Karaburunit në të dyja anët e deteve Adriatik dhe Jon. Shpella më e madhe që i ngjan një katedraleje gjigante është ajo e Haxhi Aliut, e cila përbënë një dukuri të pazakontë të këtij gadishulli.
E lartë sa një pallat 20 katësh, ku thellësia e shpellës shkon në rreth 40 m, kjo shpellë të ofron një magji të vërtetë pasi brenda saj ujërat e errëta nga thellësia dhe të qeta nga magjia të krijojnë përshtypjen e zhytjes në pjesën tjetër të botës, apo në botë paralele.
E për sa i përket ishullit të Sazanit ai ka një sipërfaqe prej 5.7 kilometërash katror dhe shtrihet në hyrje të Gjirit të Vlorës. Shtrirja gjeografike e tij është juglindje-veriperëndim në një gjatësi prej 4.8 kilometër. Gjerësia më e madhe e tij është 2 kilometër. Vija bregdetare e ishullit është pak e thyer.
Në anën perëndimore gati në mes të tij formohet Gryka e Xhehenemit, që është një gji i vogël, por i hapur dhe shumë i thellë. Në bregun lindor formohet Gjiri i Shënkollës, ku është ndërtuar edhe porti detaro-ushtarak i ishullit dhe në jug të tij shtrihet Gjiri i Japrakut. Pikërisht këtu gjendet edhe Plazhi zallor i Admiralit. Ishulli përbëhet nga dy kodra shkëmbore monolite me lartësi maksimale 342 metra.
Dy luginat e tij, ajo e Përroit të Xhehenemit dhe Përroi i Shënkollit, që nisen nga Qafa e Vidheve, e ndajnë ishullin në dy pjesë, në atë Veriore, që është më e larta, plot 342 metra dhe në atë Jugore, me lartësi 331 metra. Klima e Sazanit është e butë, mesdhetare. Temperatura mesatare vjetore është 16,2 gradë Celsius. Mesatarja e janarit është 10 gradë Celsius dhe e korrikut 23,4 Celsius.
Sasia mesatare e reshjeve është 715 mm në vit. Ishulli nga pikëpamja e ekosistemit është një park i vërtetë, shumë i pasur dhe i mbrojtur, si rezultat i të qenit vazhdimisht zonë ushtarake. Kjo ka mundësuar shmangien e gjuetisë së paligjshme, si dhe të abuzimeve e dëmtimeve të tjera. Në Sazan ndodhen 7 specie amfibësh, nga të cilat 3 janë specie të rralla.
Ishulli përmban 15 specie zvarranikësh, nga të cilët 13 specie zvarranikësh janë të rrallë. Disa nga këto amfibë dhe reptilë janë: Hardhucë luspore me gushë blu, hardhuca jeshile ballkanase, zhapiku evropian i bakrit, nepërka amodite gjendet në pjesën tokësore të afërt, por mungon në Ishullin e Sazanit. Mungesa e kësaj nepërke prezanton një interes të lartë shkencor sepse tregon formimin dhe ndarjen e ishullit përpara shfaqjes së kësaj specieje.
I quajtur “Ishulli i thesareve”, ishulli i Sazanit e mbart mbi vete histori mijëravjeçare. Sapo zbret në breg dallon bunkerët, objektet ushtarake dhe ndërtesat e shkatërruara të periudhës komuniste, ku strehoheshin rreth 300 familje. Ishte një ndër sekretet më të mëdha të Shqipërisë komuniste.
Për 50 vjet u përdor si bazë ushtarake e ndërtuar nën influencën e rusëve dhe të kinezëve si vija e parë e frontit të mbrojtjes nga pushtimet e bllokut perëndimor. Me ndërrimin e sistemeve, baza u braktis dhe prej 20 vjetësh objektet ushtarake dhe civile janë lënë në mëshirën e fatit dhe të elementëve të natyrës. Tani është hapur një kapitull i ri për ishullin, ka projekte për ta kthyer në një destinacion turistik dhe ekologjik të vizitueshëm.
Parku Kombëtar i Karaburun-Sazanit ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike. Tani zona mund të vizitohet nëpërmjet udhëtimeve ditore. Kjo ofron mundësi reale për të vizituar parkun dhe ofruar një dite ndryshe ne gjirin e Vlorës.
Në tërësinë e tij ky park është një mrekulli natyrore më vete që të fal magjinë e të qenit pjesë e një hapësire gati magjike. Po cilat janë vendet më të vizituara në këtë park? Mjafton këtu të kujtojmë monumentin e natyrës, Shpellën e Haxhi Alisë (atraksioni me i vizituar nga turistët), gjiri natyror dhe kulturor i Gramës (skaji më i largët jugor i parkut detar),ishullin e Sazanit dhe falezat e tij si atraksioni më i madh që prej hapjes së tij për publikun.
Për të gjithë ata që dëshirojnë të kalojnë momente relaksi në natyrën dhe qetësinë, parku detar ofron me brigjet e tij të Shën Vasilit, Shën Janit, Gjirit të Djallit,eksperiencë natyrore unike.
Në hapësirat e gadishullit të Karaburunit, në fund, aty ku bashkohet me luginën e Dukatit gjendet Kisha e Marmiroit, ndërsa në faqen jugore, në lartësinë 400 m, në vendin e quajtur Petrunë, gjendet një shpellë shumë e bukur, që quhet Shpella e Dukë Gjonit.
Për të gjithë të apasionuarit e zhytjes ofrohen shtigje nënujore për të parë boten unike dhe pasuritë nënujore. Po kështu një rëndësi kanë edhe studimet e ndryshme nga partnerë ndërkombëtarë dhe ekspertët vendas, të cilat e cilësojnë zonën e mbrojtur Karaburun-Sazan në parametra të kënaqshme për sa i përket peshkut, cilësisë së lartë të ujitdhe monitorimit e kontrollit që ka në zonë.