Loading...

PD-LSI nga frika po sulmojnë Donald Lu, Spartak Ngjela: Opozita të mos pres shpëtim nga ambasadori i ri amerikan, politika për drejtësi e SHBA nuk do të ndryshojë

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim i kanë kthyer sytë tek Shtëpia e Bardhë sa i takon emërimit të ambasadorit të ri amerikan në vendin tonë. Brenda dy muajsh pritet që Donald Lu të përfundojë mandatin e tij prej diplomati në vendin tonë e të emërohet në Kirgistan, ndërsa siç duket një gjë e tillë i ka entuziazmuar partitë opozitare.

Për sa kohë që Donald Lu kreu detyrën e tij si përfaqësues i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, ai u atakua vazhdimisht nga PD-LSI si njeri i kryeministrit Edi Rama, i cili i del në mbrojtje qeverisë. Në momentin që ai u emërua ambasador në vendin tonë, Lu bënte pjesë tek administrata e Barack Obama-s, i cili ishte pjesë e Partisë Demokratike që është e njëjtë me Partinë Socialiste këtu në Shqipëri. Ndërsa tani opozitarët po shpresojnë që me ardhjen e Donald Trump në pushtet (i cili i përket Partisë Republikane që është e njëjtë me PD këtu), në vendin tonë të emërohet një diplomat amerikan që të dalë në krah të tyre.

Një shpresë e tillë vihet re edhe tek disa shkrime të disa medieve pranë opozitës, të cilat vazhdimisht ditët e fundit e kanë përcjellë me entuziazëm lajmin për largimin e Lu. Në një kohë kur Donald Lu njihet si babai i reformës në drejtësi dhe kur kjo e fundit ka nisur të japë rezultate, PD-LSI po “luten” që vendin e tij ta zërë një figurë e tillë që të përkrahë opozitën dhe të dalë kundër qeverisë dhe reformave të saj.

Reagimi i Spartak Ngjelës
Avokati Spartak Ngjela i rrëzoi ditën e djeshme pritshmëritë e opozitës sa i takon emërimit të ambasadorit të ri amerikan. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT” ai deklaroi se opozitarët nuk duhet të gëzohen dhe të nisin “festën” që po largohet ambasadori Donald Lu sepse politika amerikane do të zbatojë të njëjtën linjë siç ka bërë deri më sot me përfaqësuesin Lu.
Sipas tij, politikanët shqiptarë sulmojnë të dërguarit e Amerikës këtu sepse kanë frikë të hidhen në sulm të drejtpërdrejtë ndaj shtetit amerikan. “Ambasadori drejtohet nga qendra. A e di çfarë ndodh në Shqipëri? Duke pasur frikë të dalin hapur kundër politikës amerikane, këta merren me ambasadorin.

Ambasadori drejtpërsëdrejti është përçues i politikës amerikane. Me kë flasin këta, injorantë? Ata kanë frikë, e theksoj edhe një herë, të dalin kundër Amerikës dhe dalin kundër ambasadorit”, u shpreh kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi.

Spartak Ngjela e vijoi më tej reagimin e tij duke paralajmëruar se përfaqësuesi i ri Shteteve të Bashkuara të Amerikës që do të zërë vendin e Donald Lu do të jetë edhe më i ashpër se ky i fundit, duke lënë të nënkuptohet se shpresa e opozitës për mbrojtje duhet shuar.

“Çfarë do të bëjnë kur të vijë ambasadori i ri që do të zëvendësojë Donald Lu, i cili mund të jetë edhe më i ashpër se i pari? Do ta shikoni sesi do të shikojë kjo punë. Këta janë injorantë, nuk dinë të artikulohen politikisht. Janë injorantë! Janë edhe të ligj, edhe të korruptuar, edhe injorantë!

Çfarë pune ka ambasadori të bëjë politikë nga vetja. Ambasadori do të jetë ambasador, i cili sipas ligjit amerikan, është president i Amerikës në vendin ku punon, në shtetin ku është emëruar ambasador. Po këta kanë frikë të dalin kundër politikës amerikane se ju ikin radhët dhe merren me ambasadorët. Po ku ka forcë ambasadori të dalë jashtë politikës amerikane”, përfundoi avokati Spartak Ngjela.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com