Loading...

Para se të vritej, gruaja denoncoi në polici të shoqin për dhunë

Njësoj si shumë viktima të tjera të krimit në familje, Ardjana Shaholli kishte denoncuar disa herë të shoqin në polici, por ky veprim nuk e parandaloi krimin. Nëna e 6 fëmijëve u vra pikërisht nga bashkëshorti i saj Çlirimi që në të gjitha rastet e denoncuara ishte lënë i lirë disa orë pasi ishte këshilluar në komisariat.

42-vjeçari tha në Polici se ai nuk ka dashur ta vrasë të shoqen, por pas një konflikti të momentit e ka shtyrë atë duke u përplasur. Koka i ka rënë nga pas në çimento dhe siç ai është shprehur para grupit të hetimit, e ka mësuar vdekjen e së shoqes vetëm pasi e kanë arrestuar.

“Nuk kisha për qëllim të vrisja nënën e fëmijëve të mi. Patëm një sherr. Kur shkova në shtëpi, ajo më kërkoi që të dilja dhe të gjeja punë pasi nuk kishim bukë për fëmijët. Pas një sherri momenti e kam shtyrë dhe asaj i është përplasur koka përtokë… por nuk e dija që kishte vdekur. E dija vetëm që ishte plagosur. Pasi erdha në Polici, e mora vesh që Ardjana kishte ndërruar jetë. Nuk di çfarë të them. Unë jam përgjegjësi i vetëm i kësaj tragjedie. Kemi gjashtë fëmijë, kush do të m’i rrisë ata”, është shprehur në Polici i arrestuari për vrasjen e gruas së tij.

Ai ka deponuar në Polici se kishin pasur probleme dhe konflikte me njëri-tjetrin, por nuk kishte pasur për qëllim ta vriste gruan e tij.

“U zumë për gjëra të përgjithshme, ‘ku ishe’, ‘pse nuk erdhe më herët’, ‘dil dhe puno’. Unë e shtyva i pari, ajo më shtyu mua dhe këtu filloi gjithçka. Unë e shtyva me forcë dhe asaj iu përplas koka në dysheme. U dëmtua pas koke. E çuam në spital. Unë tani po e marr vesh që paska vdekur. Nuk di çfarë të them, na ngelën fëmijët mes katër rrugëve. Tani që mora vesh se ka vdekur, s’ka kuptim as jeta ime, më mirë të vdes edhe unë. Jemi familje shumë e varfër, kemi jetuar prej vitesh mes skamjes dhe fukarallëkut. Zoti ruajttë fëmijët e mi. Iu kërkoj falje gjashtë fëmijëve të mi që i lashë jetimë”,– mësohet të jetë shprehur mes të tjerash për hetuesit e Policisë Çlirim Shaholli, i cili akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com