Është një ndër gatimet më speciale nga tradita e Shqipërisë së Mesme.
Nga kuzhinat më të vjetra të shtëpive përdhese, të gatuara në zjarrin e oxhakut e deri sot në restorantet më prestigjiozë, Tava e Dheut vijon të ruajë traditën e shijes së mirë shqiptare.
Vërtetë, një traditë e Shqipërisë së Mesme, Tava e Dheut sot është ndër më të veçantat e kuzhinës shqiptare në tërësi. Shumë e preferuar nga shqiptarët, mahnitëse për turistët e huaj.
E gatuar nga tradita dhe mjeshtëria e duarve të amvisave shqiptare.
Kjo gjellë fantastike për ditët e ftohta që kanë mbërritur shërben jo vetëm si një vakt fantastik e i shijshëm, por edhe si një pjatë speciale për të kënaqur shijen e të ftuarve në raste festash e dasmash gjithashtu.
Me përbërës të thjeshtë, por të kombinuar në mënyrë fantastike dhe e pasuruar me erëza, kjo gjellë e gatuar në tavat tipike prej balte vjen me një shije të jashtëzakonshme që kënaq plotësisht shijen, organizmin dhe mendjen gjithashtu.
AgroWeb.org u sugjeron recetën tipike të trashëguar brez pas brezi në përgatitjen e tavës së dheut krejt lehtë në shtëpi.
Përgatitja e Tavës së Dheut në Shtëpi
Përbërësit
500 gr mish viçi (ose mëlçi viçi sipas preferencës)
300 gr gjizë fshati
1-2 kokrra qepë të thata
2 speca
3 domate të kuqe, të bëra mirë
Kripë
Piper
8 thelpinj hudhre
Gjethe dafine
Dy lugë gjelle uthull (sipas preferencës)
Vaj ulliri
Spec djegës
Përgatitja e gjellës në tavat e baltës
Grijmë qepët hollë bashkë me specat, i hedhim në një tenxhere dhe i kavërdisim disa minuta në zjarr me pak vaj ulliri.
Në momentin që volumi i qepëve dhe specave nis të bjerë, dhe qepët marrin një ngjyrë të verdhë në të artë shtojmë mishin e prerë në kubikë dhe vijojmë t’i kavërdisim për disa minuta.
Më pas shtojmë uthullën dhe vijojmë kavërdisjen derisa mishi ta përthithë plotësisht.
Në këtë moment shtojmë domatet e grira në rende, shtojmë kripën, piperin dhe dafinën, specin djegës dhe hudhrën gjithashtu.
I kavërdisim të gjitha bashkë, hedhim gjizën dhe një gotë me ujë dhe i lëmë në zjarr të ziejnë derisa domatja të shkrijë tërësisht.
E heqim nga zjarri dhe nisim mbushjen e tavave të baltës.
Tavat i vendosim në furrën e paranxehur dhe i lëmë të piqen për maksimumi 25 minuta.
Tava e dheut serviret e ngrohtë, e sapo dalë nga furra.
Shoqërohet në mënyrë fantastike me sallata të ndryshme të perimeve të freskëta apo të pjekura.AgroWeb.org