Kampionët e Manchester City-t i kanë qëllimet e qarta: duan të rikonfirmohen si kampionë, por të tentojnë dhe Champions Leaguen. Trajneri Pep Guardiola ka bërë gati listën e merkatos. Një nga dëshirat e tij të mëdha është ylli i Licester-it, Riyad Mahrez.
Mediet angleze hedhin dritë në transferimin e mundshëm të tij te “qytetarët”. Tekniku spanjoll është gati të ofrojë 80 milionë euro për ta rrëmbyer futbollistin 27-vjeçar. Ky i fundit dëshiron largimin nga Leicester, pasi mendon se do të mbesë në nivele mesatare.
Oferta e City-t duket se është pranuar nga klubi i “dhelprave” dhe lojtari do të jetë futbollisti më i ri i City-t. Menaxheri i tij dhe drejtuesit e klubit po mendojnë që të mbyllin përfundimisht marrëveshjen mes palëve. Merkatoja në Angli është e frikshme, pasi ka marrë vlera të jashtëzakonshme monetare.