Loading...

Agroturizmi, Rama: Investitorët të kthejnë sytë nga fshati

Investimet në sektorin e agroturizmit do të kenë një impakt të lartë në ekonominë e familjeve të cilat ndodhen në zonat rurale të vendit.

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në inaugurimin e një hoteli në Golem, theksoi se shumë familje e kanë të vështirë që të tregtojnë produktet e tyre, për shkak se ndodhen në zona të thella, por përmes agroturizmit do të jenë turistët ata që do të shkojnë në zonat e tyre.

“Zhvillimi i investimeve në agroturizëm do të sjellë shumë impakt në ekonominë e turizmit, në ekonominë rurale dhe në ekonominë e shumë familjeve në fshat, që për momentin ndihen pa një perspektivë të qartë zhvillimi.

Dhe në të gjitha zonat ku bukuria është e mahnitshme, por izolimi është i fortë, ku terreni, aksesi në treg, nuk e mundësojnë pjesëmarrjen e individëve apo të familjeve në zhvillimin e një bujqësie intensive, është plotësisht e mundur që të krijohet një rrugë tërësisht e re, produktive dhe fitimprurëse përmes agroturizmit.

Shumë familje e kanë të pamundur që atë që prodhojnë në zona disi më të largëta ta tregtojnë, ose tregtimi i asaj që prodhojnë është me një kosto aq të lartë, sa është thjesht për mbijetesë, por është plotësisht e mundur që në vend se këto familje të kërkojnë rrugën për të dalë drejt tregut, në rrugën që i ndan nga tregu të vijnë turistët tek ata”, – theksoi Kryeministri Rama.

Kreu i qeverisë u bëri thirrje banorëve të cilët kanë kapital për të investuar që të zgjedhin agroturizmin si një mundësi e suksesshme fitimi, duke u bërë thirrje këtyre të fundit që të nxitojnë për ta bërë diçka të tillë pasi lehtësirat në këtë sektor nuk do të zgjasin përjetë.

“Paketa për mbështetjen e agroturizmit duke ulur tatimin mbi TVSH 6%, duke ulur tatimin e fitimit vetëm 5% dhe duke financuar projekte bashkarisht, pra nëpërmjet kontributeve të shtetit nëpërmjet Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR), është një bazë që të gjithë ata që janë të interesuar, të mendojnë dhe të punojnë për të pasur projekte për të cilat ne mund të japim mbështetje.

Është edhe një bazë për sipërmarrësit e mëdhenj që të kthejnë sytë nga vendlindja e tyre, të kthejnë sytë nga bukuritë e këtij vendi në zonën rurale dhe të marrin pjesë në këtë iniciativë.

Iniciativa nuk do të jetë e pakufishme, pra gjithë këto lehtësira do të jenë të garantuara në harkun e tre viteve dhe pas 3 viteve kush do të investojë në agroturizëm nuk do të ketë më lehtësira të tilla.

Unë do t’i bëja apel të gjithëve që të nxitojnë dhe të përfitojnë nga këto lehtësira”, – u shpreh Kryeministri./ATSH

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com