Loading...

Një gjurmë e panjohur shqiptare

Nga: Marin Mema

Çdo vit jemi mësuar që në prag sezoni të citohen media të huaja sipas të cilave Shqipëria është një destinacion që ja vlen të eksplorohet. Do t’i mirëkuptoja ata shqiptarë të shumtë që ndoshta e shohin me dyshim një konstatim të tillë. Madje kam dëgjuar edhe syresh të thonë se shkrime apo reportazhe të tilla janë të sponsorizuara dhe jo fort objektive. Ashtu sikundër nga ana tjetër si një njeri që për shkaqe profesionale më është dashur të udhëtoj anë e mbanë Shqipërisë dhe mund të them se ajo është realisht një potencial me vlera gjithnjë nëse do të dinin “ta menaxhonin” siç duhet…

Do të doja të ndalesha më thellë tek ajo çfarë mund t’i ofrohjë Shqipëria jugore një turisti që kërkon më shumë se sa det dhe diell, por kjo vlen jo vetëm për të huajt, por edhe për çdo shqiptar që do të bëjë pushime apo udhëtime përtej shullimit në diell.

Natyra na ka falur mjaft bukuri natyrore por Shqipëria nuk mbetet pas edhe sa i takon siteve parahistorike. Në vitin 1991 arkeologu Jano Koçi publikoi një listë të detajuar të tyre, çka tregon për një pasuri të jashtëzakonshme arkeologjike që sot dergjet praktikisht e braktisur. Ky studim i 27 viteve më parë ka bashkëlidhur një hartë që evidenton një numër shumë të madh qendrash të cilat janë lehtësisht të dallueshme.

Më konkretisht një hapësirë e tejmbushur me fortifikime parahistorike është ajo e bregdetit nga zona e Palasës e deri në Sarandë. Pavarësisht se duket e çuditshme këto site sot në masë të panjohura shtrihen në zona të ndryshme të këtij territori të gjerë, kryesisht në zona të ngritura, me mure të lartë që përshtateshin me terrenin e thyer.

Ajo çfarë të bën përshtypje në studimin e publikuar në revistën Iliria, përtej analizës shkencore është përqëndrimi i dendur i tyre.Territori mes Vunoit dhe Dhërmiut ka mëse 5 fortifikime të tilla, të tjera gjenden në luginën e Qeparoit, natyrshëm në atë të Himarës, në zonën e Borshit, Piqerasit, Lukovës, e kështu me radhë. Kaonët e lashtë ishin ata që jetonin në të gjitha këto territore dhe studimi hedh dritë me detaje për zhvillimin e këtij fisi që para krijimit të federatave.

Një tjetër detaj interesant që spikat është Kukumi, një qendër që gjendet mbi një kodër në Qeparo dhe i përket sipas arkeologëve periudhës së bronzit të hershëm diku mes 2200 deri 1600 vjet Para Krishtit. Sigurisht qoftë ky fortifikim, ashtu edhe të tjerët kanë periudhën e tyre të mbivendosjeve që i japin një trajtë edhe më interesante historisë së kësaj zone.

Të fortifikuara me kujdes, këto qendra janë vendosur në afërsi me detin pikërisht për shkak të pritshmërisë që kishte nga sulmet e mundshme që mund të vinin prej tij.

Të gjitha këto gjurmë parahistorike janë aty, të gjitha për t’u zbuluar. Flasin me gjuhën mijëvjeçare dhe në fakt duhet të na bënin të ndiheshim krenare dhe jo të mëshirohen se s’kanë vëmendjen e duhur… fundja e kanë të fortë konkurencën me plazhin dhe festat me shkumë.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com