Loading...

16 medalje olimpiadash, maturantja më e mirë e Shqipërisë dhe tani del e para në mjekësi

Në Shqipëri vazhdojmë t’i pyesim nxënësit “Çfarë e ke babin? Po mamin?”, sikur diplomat universitare të përcilleshin në gjene, duke vazhduar me mendësinë e vjetër të diktaturës që i ndante njerëzit në intelektualë dhe punëtorë. Nga inati, shqiptarët tani shkojnë të gjithë në shkollë të lartë dhe pas ca vitesh çdo fëmijë do përgjigjet ‘jurist’ e ‘juriste’, megjithatë profesioni i prindërve të brezit të tanishëm të gjimnazistëve, ende vazhdon të merret, krejt më kot, si ndonjë tregues.

Dhe ja Elkida Zefi, maturantja me rezultatet më të mira në Shqipëri për maturën 2016-2017 ka fituar të drejtën e vazhdimit të degës së Mjekësisë, ku u rendit e para. Ajo është pikërisht vajza e dy prindërve punëtorë, që rrojnë me punën e tyre të ndershme e cila nuk ka mjaftuar për ta çuar vajzën e tyre të parë me studime jashtë Shqipërisë.
Ata janë nga Mirdita dhe janë vendosur në Durrës, ku vajza mbaroi gjimnazin ‘Naim Frashëri’ me nota të shkëlqyera, duke fituar, gjatë tre viteve të tij, 16 medalje olimpiadash të rrethit dhe kombëtare.

Tashmë me kodin 1 në renditjen e Mjekësisë, Elkida nis një udhëtim të ri, atë të fakultetit më të kërkuar në Shqipëri, Mjekësisë. “Kam dëshirë të bëhem pediatre. Të shikojmë në vazhdim. Dua të arrij rezultate të shkëlqyera në Mjekësi”, shkruan TCh.
Ekida Zefi është vlerësuar si Maturantja më e mirë e maturës shtetërore 2016-2017. “Tre provimet e maturës shtetërore i kam marrë 10, Anglisht, Matematikë dhe Fizikë e Thelluar, ndërsa Letërsinë 9.8 dhe Biologjinë 9”, rrëfen ajo. Që nga klasa e parë e deri më tani Ekida ka qenë nxënëse e shkëlqyer. Notat e saj kanë qenë vetëm dhjeta duke pasur një prirje të theksuar për shkenca.

“Ndonjëherë ndonjë 9 në fizkulturë, sigurisht përpiqesha më shumë të mësoja sesa të isha e përshtatshme fizikisht. Lexoj më shumë libra shkencorë pasi shkencat janë pasioni im”, thotë Ekida.

Edhe pse tani ka aplikuar dhe ka fituar duke u renditur e para në fakultetin e Mjekësisë, ajo fillimisht kishte dëshirë të studionte në Angli.
“Kam tentuar të aplikoj për universitet në Angli, por është e vështirë se duhen dy vjet kolegj dhe bursa nuk i mbulon të gjitha vitet e shkollës, kështu që do të vazhdoj në Shqipëri”, shton ajo.

Vlerësimi i Ekidës si maturantja më mirë në të gjithë vendin i ka surprizuar prindërit e saj. “Jam shumë krenare. U habitëm, por Ekida e meriton sepse gjithmonë ka mësuar. Ajo studion pesë orë në ditë”, thotë e ëma e saj.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com