Shqipëria ka një strategji të qartë për të krijuar një ofertë turistike rajonale. Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi gjatë një interviste televizive tha se turizmi është baza e zhvillimit ekonomik.
“Strategjia e turizmit është e punuar nga ekspertë, si z. Civici, por dhe të tjerë. Një nga detyrat është hapja e Shqipërisë për të qenë një network i gjerë, një paketë rajonale me Serbinë, Kosovën, Malin e zi në veçanti me Maqedoninë, me Bosnjën pak a shumë, pra që të kemi një zhvillim të qëndrueshëm në turizëm. Çdo ditë mund të ndodhi një problematikë që ta vështirëson një objektiv. Ne duam që të dalim nga sezoni turistik, ku hotelierët dhe operatorët të jenë të kënaqur nga rezultati. Ne duam të futemi në këtë industri që prodhon rezultate apo mirëqenie e që funksionon pozitivisht”.
Gjatë fjalës së tij, ministri Klosi theksoi se të bësh turizëm është diçka e vështirë dhe për të është e papranueshme që të ketë turizëm elitar dhe njëkohësisht të ketë hotele, të cilat ujërat e zeza i shkarkojnë në det.
“Problem i madh është se ne nuk e kuptojmë që ky është një biznes shumë i vështirë. Nuk mund të pranojmë të kemi turizëm elitar dhe të kemi ende hotele që derdhin ujëra të zeza në det. Përsëri kemi rreth 20-30 sipërmarrje që vijojnë sërish këtë praktikë negative. Pjesa tjetër është në përmirësim e sipër. Duhet një trajtim sa më i mirë i ujërave të zeza”, – theksoi Ministri.
Për ta çuar turizmin në një nivel tjetër, sipas Klosit duhet arsim profesional për hoteleri dhe agroturizëm.
Klosi bëri me dije se po punohet në pikat kufitare që të mos ketë vonesa për turistët.
“Për të zhvilluar turizmin duhet investime në infrastrukturë, edhe pse po bëhet shumë. Duhet arsim profesional për hoteleri dhe agroturizmin. Gjithashtu jemi duke punuar për të zgjidhur problemin e pikave kufitare për të kaluar me shpejtësi turisti. Pra kjo është risia e këtij sezoni, një rritje e volumit të turistëve të huaj”, – tha Klosi ndër të tjera. Sipas tij, fluksi i madh turistik po i jep besim sipërmarrësve të investojnë. “Golemi dhe Kavaja falë investimeve në kolektorë dhe trajtim të ujërave të zeza ka pësuar një rritje të madhe të turistëve”. /ATSH