Vrasja e biznesmenit të kafesë në Vlorë, 29-vjeçarit Vasil Dervishaj po shkon drejt zbardhjes. “BalkanWeb” mëson detaje të reja nga grupi hetimor, që lidhen me autorët e krimit.
Shtetasi A.C. 28-vjeç i ndaluar sot në Vlorë si një nga ekzekutorët e dyshuar mësohet të jetë i afërm i personit tjetër të dyshuar si autor E.A., 31 vjeç, të dy lindur në Tepelenë dhe banues në Vlorë.
Referuar tabulateve telefonike, “BalkanWeb” mëson se viktima Dervishaj ka debatuar me ta në telefon para se të ndodhte krimi.
Një ditë më parë policia arrestoi dy bashkëpunëtorët që ndihmuan dy autorët e vrasjes të largoheshin pas krimit Nekid Arapi, 21 vjeç dhe Amarildo Grembi (Muka), 28 vjeç, të dy banues në Vlorë.
Vrasja e biznesmenit, baba i një djali të vogël ndodhi tek ish-kombinati i peshkut në lagjen “Pavarësia”, ku Dervishaj u qëllua disa herë me armë nga dy persona ndërsa ndodhej në mjetin e tij tip “Ford” me targa italiane “OD 476 AF” me të cilën po udhëtonte.
I riu ka tentuar të hapë derën e makinës për t’u larguar, por nuk ka mundur dot dhe ka ndërruar jetë jashtë mjetit të tij. Vasil Dervishaj ishte pronar i dy bizneseve në Vlorë si dhe tregtar kafeje.
Viktima rezultonte person me precedent penal, pasi ishte dënuar më herët për trafik droge.