Gjykatat në vend kanë vendosur të bllokojnë aksesin e qytetarëve në vendimmarrjet e tyre. Prej disa ditësh, gjykatat kanë vendosur të fshehin të dhënat për çështjet që kanë në gjykim ose për të cilat e kanë përfunduar gjykimin. Deri më tani ka qenë vetëm Gjykata e Shkallës së Apelit Tiranë ajo e cila i përballte qytetarët me këtë pengesë, ndërsa së fundmi është bashkuar edhe Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë. Në rast se futemi në faqen zyrtare në internet të kësaj gjykate dhe kërkojmë për çështje në gjykim, do të hapen disa nëntituj të vegjël ku të jepet mundësia për të kërkuar për çështjen për të cilën ti je i interesuar.
Mund të kërkosh për dosje penale, urdhra ekzekutimi, dosje penale ushtarake, kërkesa penale etj, por kufizohesh në momentin që dëshiron të marrësh më tepër informacion. Në faqe shfaqen vetëm të dhënat e gjyqtarit që e ka këtë çështje (emër, mbiemër), si edhe akuza, por të dhënat e akuzuesit dhe të pandehurit nuk bëhen të ditura. Po ashtu, anonim mbeten edhe pretendimi i prokurorit apo edhe i avokatit për një çështje të caktuar. Akoma më e blinduar është Gjykata e Apelit, pasi aty nuk mund të marrësh asnjë të dhënë. Të vetmit që mund të kenë akses janë avokati apo palët ndërgjyqëse, por dhe këto të fundit duhet të shkojnë të sekretaria gjyqësore dhe të marrin një kod special. Gazeta u interesua pranë gjykatave mbi arsyet e këtij veprimi dhe shkak sipas tyre është bërë mbrojtja e të dhënave personale.
Alarmi i avokatëve
Një mungesë e tillë transparence nga ana e dy gjykatave të lartpërmendura shton dyshimet sepse rriten mundësitë për abuzime me marrjen e vendimeve. Asnjë media apo qytetar nuk mund të denoncojë abuzimet. Mirëpo përveç kësaj, një gjë e tillë ka ndikuar edhe në punën e avokatëve. Gazeta kontaktoi ditën e djeshme me konstitucionalistin dhe juristin e njohur, Sokol Hazizaj, i cili komentoi situatën në të cilën ndodhen për shkak të kësaj pengese nga ana e Gjykatës së Tiranës dhe asaj të Apelit. Sipas tij, mungesa e transparencës është diçka e tmerrshme, duke dhënë kështu alarmin. Ndërkaq, ai shtoi se përveç ndikimit në punën e avokatëve, një gjë e tillë është edhe në kundërshtim me ligjin. “Kjo është e tmerrshme.
Është mungesë transparence totale në kundërshtim me procesin e rregullt ligjor. Një gjë e tillë nuk është konform ligjit. Gjykata e Tiranës mund të heqë emrin e plotë, po e marr si shembull: heq emrin Sokol Hazizaj dhe e lë vetëm me iniciale S. H. për të mbrojtur privatësinë. Duhet të ndihmojë domosdoshmërish për transparencën e procesit gjyqësor. Ne për çështjet tona, marrim kodin, por problemi është se humbet sensi i praktikës”, deklaroi konstitucionalisti Sokol Hazizaj.
Argumentimi i gjykatës
Gjykata e Tiranës e argumenton këtë mungesë transparence përmes një njoftimi të bërë publik në faqe, ku thuhet se një gjë e tillë bëhet për ruajtur privatësinë. “Në zbatim të detyrimeve ligjore që vijnë nga ligji Nr. 9887 dt.10/03/2008 ndryshuar me ligjin Nr.48/2012 “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale” si dhe rekomandimeve të Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë njofton të gjithë përdoruesit e ueb-it “Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë”se: Për të kërkuar informacion mbi një çështje gjyqësore do të duhet të pajisen me një kod identifikimi unik të çështjes gjyqësore. Ky kod mund t’ju vihet në dispozicion në bazë të kërkesës tuaj pranë sekretareve gjyqësore të gjyqtarit të çështjes ose pranë sporteleve të Kryesekretarisë. Kodi i jepet vetëm personave me interes të ligjshëm në proces, të parashikuar nga ligji apo aktet nën-ligjore”, thuhet në njoftim. E njëjta situatë është edhe tek faqja e Gjykatës së Apelit./Sot