Loading...

Sot nis beteja e Izet Haxhisë me drejtësinë dhe fati i dosjes “Hajdari”

Gjykata e Tiranës do të vendosë sot për fatin e Izet Haxhisë. Pas ekstradimit të tij, sot do të mbahet seanca e parë gjyqësore, në të cilën pritet të merret vendimi për rigjykimin e Haxhisë. Ai është dënuar në mungesë me 25 vite burg, si i akuzuar për bashkëpunim në vrasjen e ish-deputetit të PD, Azem Hajdari.

Haxhia asnjëherë nuk e ka pranuar diçka të tillë, ndërsa ka bërë përgjegjës ish-kryeministrin Sali Berisha. Më 8 maj Izet Haxhia u ekstradua nga Turqia dhe pak ditë më pas avokati i tij Bashkim Nikolla ju drejtua Gjykatës së Tiranës, ku kërkoi rigjykim për klientin tij.

Vetë avokati ka folur dje për gazetën “Sot”, duke deklaruar që pret që gjykata sot të pranojë kërkesën e tij. Ai ka dhënë dhe argumentet se përse duhet rigjykim, duke thënë se diçka e tillë garantohet si nga konventat, ashtu dhe nga ligjet shqiptare. “

E enjtja do të jetë dita e parë e nisjes së një beteje të gjatë ligjore. Edhe unë, edhe klienti im do te jemi në gjykatë. Ne kërkojmë vetëm të dëgjohemi. Ne duam të merret vendimi të dëgjohemi. Kjo e drejtë është e mbështetur në Kushtetutë, në Kodin e Procedurës Penale, në konventa dhe në precedentë që ka pasur Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut. Të gjitha materialet ne i kemi dorëzuar dhe presim vendim pozitiv nga gjykata”, tha ai. Avokati ka kërkuar rigjykim, në zbatim edhe të garancisë që shteti shqiptar dha për ekstradimin e tij nga Turqia në Shqipëri.

Sipas kërkesës të dorëzuar në gjykatë, Haxhia është dënuar në një proces gjyqësor në mungesë dhe ku ai nuk ka dhënë asnjëherë prokurë për t’u përfaqësuar nga ndonjë avokat. Gjithashtu theksohet se Izet Haxhia nuk është pyetur dhe nuk ka folur asnjëherë për drejtësinë shqiptare për këtë çështje. Sipas kërkesës, gjykimi i kësaj çështjeje në të gjitha shkallët e gjykimit është zhvilluar në mungesë të të pandehurit Izet Haxhia dhe pa dijeninë e tij.

“Ai nuk ka lëshuar asnjë lloj prokure për avokatin që e ka përfaqësuar në gjykimin në Gjykatën e Shkallës së Parë. Ai nuk ka pasur dijeni për ankimimin që i është bërë vendimit në Gjykatën e Apelit Tiranë, e cila ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë. Vetë Izet Haxhia provohet se nuk ka bërë deklarime para organeve proceduese”, thuhet në kërkesë. Po ashtu aty përmendet dhe shkresa e Ministrisë së Drejtësisë drejtuar autoriteteve turke, ku jepte garanci për rihapjen e dosjes.

Ja për çfarë akuzohet Haxhia

Izet Haxhia, ish-oficeri i Gardës Kombëtare, është i dënuar me 25 vjet burg për veprën penale të “vrasjes për shkak të detyrës”. Ai u arrestua më 3 qershor të vitit 2006 në shtetin turk, pasi ishte shpallur në kërkim për vrasjen e Hajdarit. Arrestimi i tij në atë kohë u bë i mundur falë një bashkëpunimi mes policisë shqiptare dhe Interpol Ankarasë në mesditën e datës 3 qershor, në Kushadasi të Turqisë. Pak kohë pas vrasjes së Hajdarit, Haxhia u arratis përtej detit.

Sipas informacioneve të policisë, ai jetoi në Stamboll deri në vitin 2004, ndërsa më pas lëvizi drejt Antalias, në Kushadasi, vend në të cilin dhe u arrestua. Haxhia ka qenë truproja e ish-presidentit Sali Berisha. Ai është akuzuar gjithashtu edhe për ngjarjet e 14 shtatorit të po atij viti, kur u sulmua Kryeministria. Madje, për këtë akuzë ai është hetuar nën masën e sigurisë arrest shtëpie. Izet Haxhia u largua nga vendi në fillim të vitit 1999, kur hetimet për vrasjen e ish-deputetit Hajdari po implikonin edhe vëllezërit Haxhia. Deputeti i Partisë Demokratike, Azem Hajdari, u ekzekutua mbrëmjen e 12 shtatorit 1998, pak metra larg selisë së PD-së në kryeqytet. Nga breshëritë e plumbave gjeti vdekjen dhe truproja i tij, Besim Cera nga Dibra

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com