Një ngjarje e rëndë ndodhi më 27 maj në një prej ishujve të Greqisë, ku një shqiptar i moshës 26-vjeçare qëlloi disa herë me çifte dhe la të vdekur në vend, të atin, i cili dyshohet se ka abuzuar seksualisht me të dhe me motrat e vëllezërit e tij të tjerë.
I riu ka treguar në një rrëfim prej 6 orësh para gjykatës dhe prokurorëve, se fillimisht i ati dhunonte të ëmën dhe kjo ishte një ndër arsyet e divorcit mes tyre. Gjithashtu, ai është shprehur konfuz në momentin që është pyetur në lidhje me përdhunimin nga 70-vjeçari, kur autori i ngjarjes ishte i ri.
Djali ka thënë:
Rrihte mamanë time dhe ajo u divorcua me të 16 vite më parë, kur unë isha 10 vjeç. Vinte në dhomën time kur flija dhe… nuk më kujtohet më shumë, mos më pyesni prapë për këtë temë.
Kur vdiq në tetor 2010 gruaja e tretë rumune, unë shkoja shpesh dhe shikoja motrën dhe vëllain tim nga babai. U trondita një ditë kur mësova se motra ime 9-vjeçare ankohej se ndiente dhimbje në organet e saj gjenitale.
Dhe pastaj mendova se do të bënte të njëjtën edhe me atë. Që atëherë unë vendosa se ky përbindësh nuk duhet të jetonte më, që mos të bëjë vëllain e motrën time të vuajnë. Ishte thjesht çështje kohe që ta vrisja”.
Më tej i riu shqiptar ka rrëfyer me detaje dhe mënyrën se si kreu vrasjen e babait të tij, duke thënë se e kishte qëlluar plot tri herë për t’u siguruar se do të vdiste.
Ai vijon dëshminë:
Shkova në takimin që kisha lënë me babanë tim dhe mora makinën e motrës që kam nga martesa e parë e mamasë sime. I hoqa targat dhe mora armën e gjahut të bashkëshortit grek të mamasë. Pasi dola nga makina, mbështolla kokën dhe fytyrën me bluzë dhe në duar vendosa dorashka që të mos më ngeleshin gjurmë të barutit.
Këtë e kisha lexuar në internet. Babai ishte ulur në vendin e shoferit, ishte darkë dhe nuk e kishte kuptuar që isha kamufluar. E qëllova direkt nga dritarja e derës së tij.
Dëgjoi vetëm hapat e mia dhe u kthye për të më parë. E kisha mbushur çiften me 9 saçma që përdoren për të vrarë zogj, por e dija që po ta qëlloja nga afër ishte vdekjeprurëse për njerëzit.
E qëllova tri herë, në fytyrë, në zemër dhe në shpatull nga një distancë prej vetëm 1.5 metrash largësi”.
Sipas asaj që raportojnë mediat greke, 70-vjeçari i kishte kërkuar djalit të tij që t’i gjente një grua për të kaluar natën. Kjo është edhe arsyeja pse të dy kishin lënë takim atë natë, që në fakt përfundoi tragjike për të moshuarin.
Vrasja ndodhi mbrëmjen e 27 majit në ishullin grek Zakynthos. Viktima ishte një postier i dalë në pension dhe ishte martuar tri herë dhe nga këto martesa kishte katër fëmijë.
Vetë djali i tij nuk e pranoi fillimisht se ishte autori i vrasjes. Krimi u zbulua dy ditë pas ngjarjes. Hetuesit dyshuan nga dëshmitë kontradiktore të djalit dhe mamasë së tij. Këto dyshime u përforcuan akoma më tepër kur as djali dhe as mamaja nuk shkuan në varrimin e 70vjeçarit. Pas arrestimit, i riu pranoi krimin dhe shpjegoi arsyet përse kishte kryer vrasjen e babait të tij.