“Akademia e Shkencave nuk është çështje qeveritare, ajo është çështje kombëtare”.Kështu ka shkruar shkrimtari Dritëro Agolli në një shkrim publikuar sot nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë.
Letra është shkruar një vit më parë. Duhet të kujtojmë që Dritëro Agolli ishte dhe anëtar I Akademisë së Shkencave.Më poshtë po botojmë letrën:
Akademia e Shkencave është një institucion që duhet të forcohet, jo të dobësohet. Është e gabuar të mendohet se Akademia jonë është një trashëgimi e së shkuarës. Ajo u themelua nga dijetarë të mëdhenj, që ishin formuar në universitete me emër.
Akademia e Shkencave gjithnjë ka pasur njerëz të zotë, të ditur e të mençëm. Çdo diskutim, çdo reformë, është me vend vetëm nëse merret për ta bërë Akademinë e Shkencave më të mirë, më të suksesshme.
Shihni çfarë po bëjnë vendet fqinje. A po e dobësojnë apo po e fuqizojnë akademinë e tyre të shkencave maqedonasit, grekët, serbët, malazezët? Edhe Kosova po e fuqizon akademinë e vet dhe mirë bën.
Popujt që nuk e kanë bërë ende të njohur plotësisht veten në Europë e në botë akademitë detyrimisht duhet t’i ruajnë e t’i forcojnë. Po të më pyesnin mua, unë do të thoja se Akademia e Shkencave jo vetëm duhet të bëhet më e suksesshme, por duhet ngarkuar me detyra.
Ka shumë pyetje të cilave qeveria nuk mund t’u japë vetë përgjigje. Atëherë kujt do t’ia kërkojë përgjigjen?
Reforma është çështje mendimi dhe projekti, jo çështje numrash. Unë besoj se Akademia e Shkencave ka njerëz me mend që mund ta bëjnë vetë reformën, prandaj duhen dëgjuar si thonë ata, sepse ata e dinë më mirë si mund të ndryshojë gjendja dhe si mund të jetë më e dobishme për vendin. Duhet një reformë që të kemi një akademi më dinjitoze.
Dhe kur them kështu kuptoj se Akademia është mpakur e rrudhur më shumë për shkak të qendrimeve të pamençme në reformat politike, se për fajin e vet. Sigurisht Akademia duhet të lëvizë, duhet të bëhet më e gjallë, më energjike, por më parë të bëjmë pyetjen pse nuk është ashtu si e duam.
Pse është zvogëluar Akademia jonë?
Kjo pyetje duhet të na shqetësojë. Do të ishte një gabim i madh të bëheshin reforma për ta zvogëluar akoma. Shkenca shqiptare ka shumë kundërshtarë, tezat e kësaj shkence nuk mund të braktisen, të lihen jetime.
Përkundrazi, Akademia vetë duhet të lëvizë, të përtërihet, të gjallërohet, dhe qeveria duhet ta mbrojë, ta mbështesë, ta dëgjojë, ta përfillë.
T’i kërkohet përgjegjësi Akademisë për të ndryshuar pozitivisht, por mendimi për ta kufizuar rolin e saj dhe aq më keq për ta zhbërë nuk duhet t’i shkojë askujt në mend. Akademia e Shkencave nuk është një çështje qeveritare, është çështje kombëtare.