Trajneri i Shqipërisë, Christian Panucci, nuk ka treguar asgjë të mirë në aventurën e tij me Kombëtaren. Disa ndeshje pozitive si inerci e atij ekipi që la ish-tekniku Gianni De Biasi, ndërsa pjesa tjetër: skandal. Numri një i stolit të kuqezinjëve e kishte idenë e mirë, pasi donte të bënte revolucion dhe të afronte futbollistë të rinj, por nuk ja doli mbanë. Lojtarët e afruar prej tij kanë çaluar shumë dhe janë nën-nivelin e kërkuar për një Kombëtare kompetitive.
Humbjet e fundit me Kosovën (0-3) dhe Ukrainën (4-1) ishin shumë të vështira për t’u pranuar, pasi skuadra nuk dhuroi asgjë në fushën e lojës dhe dukej sikur lojtarën i kishin futur me zor në tapetin e gjelbërt. Në fakt, Panucci dhe futbollistët e pranuan vetë se ishin shumë dobët. Nga krahu tjetër, tifozët nuk i pritën mirë këto rezultate dhe nisën vërshëllimat për trajnerin italian. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe!
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, foli në lidhje me këtë çështje dhe konfirmoi sërish teknikun italian në krye të stolit. Arsyeja? E thjeshtë, burime pranë FSHF-së bëjnë me dije për Pamfletin se në rast se Duka shkarkon Panuccin atëherë kostoja financiare do të jetë shumë e lartë. Italiani ka kontratë me FSHF-në deri në vitin 2020. Në rast se Federata merr masën e largimit të tij nga puna duhet t’i paguajë pagën. Kjo gjë ka efekt boomerang, pasi duhet të paguajë kontratën e Panuccit, por dhe të teknikut tjetër që do ta zëvendësojë. Kosotja e lartë financiare mban Panuccin në stol, pasi Duka e ka menduar largimin e tij.