Presidenti i Republikës, Ilir Meta prej shtatë muajsh mban peng dekretimin e kreut të ri të Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo. Me dorëheqjen e Visho Ajazi Likës në tetor të vitit 2017, kryeministri Edi Rama nuk vonoi t’i propozonte Metës si kandidaturë për zëvendësimin e tij emrin e Helidon Bendos.
Por edhe pse kanë kaluar shtatë muaj, situata vazhdon të jetë e njëjtë. Kreu i shtetit po e zvarrit pafundësisht dekretimin e propozimit të Edi Ramës, ndërsa sa herë pyetet nga mediat, ai shprehet se nuk ka asnjë urgjencë për këtë çështje dhe se do ta studiojë mirë kandidaturën. Ndërkohë që një veprim i tillë po shkakton përplasje mes Presidencës dhe Qeverisë, deputetët e Partisë Socialiste e shohin këtë gjë si një lëvizje të mirëmenduar nga Ilir Meta.
Përfaqësuesi i PS në qarkun e Fierit, Bujar Çela deklaroi gjatë një prononcimi për gazetën “SOT” se Helidon Bendo po mbetet peng i pazareve të presidentit. Sipas Çelës, Presidenti po e ruan dekretimin si një gurë rezervë për një moment ku të kërkojë diçka në interes të tij.
“Zvarritja do zgjatet akoma sepse Meta e ka të qartë një gjë: Presidentit kjo kandidaturë nuk i shërben. Por nga ana tjetër, ai nuk ka çfarë t’i bëjë. Helidon Bendo mund të rrijë nënkryetar me detyrën e kryetarit sa të dojë kryeministri. Kështu që ai thotë, unë po bëj atë që kam në dorë. Mos ta quaj kryetar, por ai detyrën e kryetarit e bën. Meta e bën këtë lojë i macja me miun për të thënë që kam në dorë këtë. Ai e mban si një gur rezervë për të thënë që kur të më kërkosh X-person, do të kem në dorë Helidonin. Do të vijë një moment kur ai do të ketë nevoja, sepse Meta është i zhytur në nevoja. Meta ka nevoja më shumë se kushdo tjetër sepse ka përballë reformën në drejtësi, por bën të fortin me atë që nuk i prish punë as kryeministrit Edi Rama, as qeverisjes dhe askujt”, tha deputeti i PS.
Prapaskenat
Sakaq, sipas informacioneve të gazetës, janë pikërisht dy çështje për të cilat Ilir Meta po e ruan dekretin e Bendos: Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Banka e Shqipërisë. Kryetari i KLSH pritet që të ndryshohet shumë shpejt, ndërsa për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka debate nëse duhet të vijojë më tej detyrën me mandat të plotë ose jo sepse ai mori postin e lënë përgjysmë nga Ardian Fullani. Pikërisht këto dy institucione Meta po përpiqet t’i “kapë” sepse në momentin që do të kryhen ndryshimet, ai ka ndërmend të propozojë emrat e tij për drejtues. Në këtë mënyrë, kreu i shtetit duket se po planifikon t’i bëjë “presion” kryeministrit Edi Rama se: Helidon Bendon e dekreton vetëm nëse lideri i qeverisë i pranon propozimet për drejtues në KLSH dhe Bankën e Shqipërisë.
Bllokimi i punës
Nga ana tjetër, socialistët theksuan se pavarësisht zvarritjes së dekretimit nga ana e Metës, një gjë e tillë nuk ndikon aspak në punën e Helidon Bendos. “Mos-dekretimi i Metës nuk ka asnjë ndikim. Helidon Bendo i ushtron të gjitha kompetencat që i jep Kushtetuta, por thjesht nuk mban dot titullin e kryetarit. Normale një situatë e tillë nuk është, por Meta ka në dorë vetëm një gjë: ta dekretojë, të mos e dekretojë”, tha Bujar Çela. Në të njëjtën linjë me të ishte edhe kolegu i tij, deputeti Sadri Abazi. “Meta e vonon, por zoti Helidon vazhdon detyrën. Është kompetencë e kryeministrit se kush do të jetë në krye të SHISH, nuk është kompetencë e Presidentit. Ai e vazhdon detyrën e tij si i komanduar. Problem është për zotin Meta, nuk është për institucionin e SHISH dhe Helidon Bendon”, u shpreh ai./Pamfleti