Loading...

Plan-propozimi i CIA-s për ndërhyrjen në Shqipëri, tentativat për të rrëzuar Enver Hoxhën në kuadër të Luftës së Ftohtë. Zbardhen detajet

CIA zbardh planin e saj fillestar për të rrëzuar regjimin komunist të Enver Hoxhës. Në një dokument të deklasifikuar nga gazeta, tregohet se më 10 qershor 1949 CIA kishte gati një projekt mbi të gjitha lëvizjet që do të ndiqeshin për të larguar Hoxhën nga pushteti. Aty tregohet se gjithçka bëhej në kuadër të luftës së ftohtë, ndërsa më tej përshkruhen mënyrat që do të ndiqeshin.

10 qershor 1949

Plan-propozimi i CIA-s për ndërhyrjen në Shqipëri

Operacioni që ne kemi parashikuar për Shqipërinë nuk është i madh, sipas standardeve moderne dhe me gjithë suksesin e tij të mundshëm, nuk do të jetë vendimtar për Luftën e Ftohtë. Por ne besojmë se meriton vëmendjen tuaj në këtë kohë, për tre arsye.Së pari ai do të jetë operacioni i parë i balancuar i grupeve OPC me një numër të gjerë teknikash. Operacioni ka sigurisht implikacione ushtarake dhe me të ne kërkojmë të rrisin dhe të demonstrojmë aftësitë e Këshillit Kombëtar të Sigurisë në operacionet klandestine të SHBA, me kontroll të centralizuar dhe politika të udhëzuara nga Departamenti i Shtetit dhe stabilimenti kombëtar ushtarak.

Projekti shqiptar nisi pas përçarjes politike mes Kremlinit dhe Jugosllavisë, kur dhe u bë e qartë se Shqipëria mbeti fizikisht e izoluar nga pjesa tjetër e bllokut komunist. Prandaj Departamenti i Shtetit mendoi se nisja e trazirave në Shqipëri mund të lehtësojë presionin që ushtrohet në Greqi nga guerrilasit komunistë me bazë në Shqipëri dhe përmbysja e pushtetit në Shqipëri do të kishte kështu efekte të gjera përtej perdes së hekurt. Gjithashtu është e qartë se Bashkimi Sovjetik nuk ka mundësi kundërsulmi ndaj operacioneve klandestine kundër Shqipërisë, prandaj OPC nisi planifikimet në mesin e dimrit është në fazën e gatishmërisë për të nisur operacionet më 1 korrik.

Siç mund ta shihni nga harta Shqipëria është një vend thuajse katërkëndor i kufizuar me Adriatikun, Jugosllavinë dhe Greqinë. Terreni i saj është fushor në zonat bregdetare duke u rritur në kodrinor drejt lindjes, dhe ka një kompleks malor qendror nga veriu drejt jugut. Zona e kufirit me Jugosllavinë është malore me Alpet që ngrohen deri në 3000 metra lartësi. Rruga ka vetëm në zonat bregdetare dhe hyrja klandestine në vend është e thjeshtë si gjatë bregdetit dhe gjatë kufirit grek.

Informacione

Shqiptarët janë një popull i trazuar që gjithmonë kanë pranuar të luftojnë për para ose për të grabitur. Grupet kryesore shoqërore janë klanet familjare, prandaj dhe ata refuzojnë kontrollin e ashpër qendror që përfaqësohet nga komunizmi. Vendi raportohet se është përfshirë nga trazira, ku dominon popullsia gegë në veri, me disa qindra guerrilë anti-qeveritarë në terren. Shqipëria është një vend fshatar po nuk plotëson dot nevojat e saj të ushqimit për nga prodhimi. Industria nuk ekziston, vendi prodhon disa minerale dhe një sasi nafte, të cilat eksportohen në këmbim të ushqimit. Jugosllavia ka qenë partneri kryesor tregtar i Shqipërisë dhe ndarja me Titon ka sjellë krizë të gjerë në vend.

Sovjetikët po përpiqen të mbushin këtë boshllëk por deri tani pa sukses. Forcat ushtarake të vendit arrijnë në 65 000 njerëz që janë të pajisur keq dhe nuk konsiderohen të besueshëm. Policia e sigurisë përbën forcën më të madhe dhe janë shumë më të efektshëm se ushtria, por dhe në ta ka elementë rebelë. Qeveria aktuale është radikale komuniste dhe drejtohet nga Enver Hoxha.

Ai erdhi në pushtet në 1945 duke shpallur atë që sot është bërë standardi komunist i “Demokracisë Popullore”. Fillimisht e gjithë makineria e shtetit kontrollohej nga Jugosllavia, si për shembull valuta jugosllave që qarkullonte lirisht në Shqipëri.

Me ndarjen me Titon, Hoxha u bë një ushtar i Moskës dhe duket se është veçuar nga stabilimenti sovjetik për trajtim të veçantë. Por ai duhet të zgjidhë punët me devijacionistët brenda qeverisë së tij, pasi ka raportime për fraksione brenda partisë. Sinjalet e mësipërme tregojnë se Shqipëria është e gatshme për revoltë dhe ajo çka nevojitet është vetëm udhëheqje, pak financim dhe pak armë. Në fushën e politikës së jashtme situata ka disa tipare delikate.

Situata jashtë kufijve

Jashtë Shqipërisë ka rreth 1500 azilantë anti-komunistë të cilët janë të ndarë në fraksione kundërshtare dhe asnjëri nuk është i rangut të lartë. Nga grupet e shumta tre janë më të rëndësishme, ai i ish-mbretit Zog që është përzënë nga italianët në 1939 dhe që përçmohej nga shumica e shqiptarëve. Balli Kombëtar, që është grupi më i fortë ka ide republikane liberale dhe drejtohet nga Mit’hat Frashëri. Grupi tjetër është Blloku Kombëtar Indipendent, monarkist konservator.

Këto grupe antagoniste mund të detyrohen të arrijnë në farë bashkëpunimi në rast të lëvizjes së suksesshme popullore kundër komunizmit. Një tjetër problem lind në lidhje me pretendimet greke për Epirin e Veriut, prej minoritetit ortodoks në rajon, por kjo është kryesisht vetëm për qëllime strategjike. Qeveria greke është e zemëruar me Shqiptarët prej mbështetjes së tyre ndaj lëvizjes së guerrilasve komunistë, prandaj nuk është koha e duhur për t’i nxitur të heqin dorë nga pretendimet. Gjithsesi qëndrimi i tyre duhet mbajtur i moderuar për të evituar akuzat e mëpasshme se revolta ishte pararendëse e ndarjes së territorit.

Një tjetër drejtim i çështjes që duhet të kemi parasysh është koncepti i Maqedonisë së pavarur që mbrohet nga blloku sovjetik. Ky rrezik nuk është ende urgjent por mud të zhvillohet më vonë. Kemi gjithashtu çështjen e ndërhyrjes direkte ruse në Shqipëri, prej rrezikut për rreth 3000 rezidentë rusë në vend, në formë teknikësh dhe këshilltarësh. Por gjithsesi shifra mund të jetë e fryrë dhe ne besojmë se në rast të zgjatjes së operacioneve sovjetikët mund të forcojnë kuadrin e sigurisë. Dhe në fund kemi problemin e Titos, për të cilin Shqipëria është një gjemb në këmbë.

Ai mund ta eliminojë lehtësisht Shqipërinë me anë të forcës ushtarake, por përmbahet prej tensioneve të shumta që ekzistojnë në Ballkan. Tito me sa duket ka tentuar operacione guerile në rajonin e Ohrit por nuk ka arritur rezultatet konkrete. Dhe në fakt duhet pranuar se një Shqipëri e lirë do të ishte më shumë objekt tentativash nga Jugosllavia sesa në sistemin aktual komunist, prandaj ne besojmë se mund të ushtrojmë presion të mjaftueshëm për ta mbajtur Titon në linjë.

Bashkëpunimi me britanikët

Gjatë mbledhjes së të dhënave e gjykimeve të mësipërme ne zbuluan se Shqipëria ishte gjithashtu objekt operacionesh të tjera sekrete. Pasi përmendën tentativat jugosllave, kohët e fundit mësuam se britanikët po nisin një operacion në Shqipëri. Koncepti i tyre është më i kufizuar se i yni, duke përfshirë një masë më të vogël grupesh guerile dhe operacione njohjeje në zonën e Epirit, me qëllim prishjen e mbështetjes për guerrilasit grekë. Për operacionin tonë duhet të marrim parasysh veprimet e armiqve dhe aleatëve tanë pro në rastin e britanikëve ne kemi vendosur të bashkojmë përpjekjet tona.

Ne do të kemi politika të përbashkëta drejtuese nga Uashingtoni. Ne insistuam dhe britanikët ranë dakord të vendosim operacionet tona nën mbulimin e Komitetit Kombëtar SHqiëptar. Ne ramë dakord që çdo palë të veprojë sipas politikave të saj, që do të thotë se britanikët nuk janë të detyruar të bëjnë më shumë nga plani i tyre origjinal, por dera do të jetë e hapur për përfshirje më të madhe nëse ata e dëshirojnë.

Plani i operacionit

Teksa plani ynë është ende në zhvillim, fazat e tij kryesore janë ajo politike, propaganda, veprimi direkt dhe shfrytëzimi. Në fazën politike është thelbësore krijimi i grupit politik shqiptar të diasporës që do të prezantohet si drejtues i operacioneve. Kjo është e rëndësishme pasi SHBA nuk mund të jetë në pozitën e autorit direkt të nxitjes së trazirave në Shqipëri. Kjo do të ishte e sikletshme pasi mund të ngrihet kundër nesh në Kombet e Bashkuara. Prandaj ne kemi nisur krijimin e Komitetit Kombëtar Shqiptar, me pjesëmarrjen e të gjitha grupeve përveç fashistëve dhe komunistëve. Përfaqësuesit tanë kanë nisur kontaktet me grupet e emigrantëve dhe kanë siguruar një masë të konsiderueshme dakordësie për të bashkëpunuar për përmbysjen e regjimit të Hoxhës.

Komiteti do të marrë formë konkrete prej 1 korrikut, nën drejtimin e Frashërit nga Balli Kombëtar. Komiteti është në fakt agjenti ynë dhe do të veprojë nga ambientet që ne kontrollojmë. Fjalët që ata do të thonë në radio do të diktohen nga ne dhe njerëzit që do të dërgohen në Shqipëri do të zgjidhen dhe do të stërviten nga ne. Një problem dytësor politik është influencimi i zyrtarëve grekë në qasjen e tyre ndaj Shqipërisë. Ne shpresojmë që të bindim grekët të ndalojnë pretendimet territoriale ndaj Shqipërisë për momentin, dhe pas përmbysjes së pushtetit në Shqipëri dhe rivendosjes së rendit në Greqi, t’i ngrenë ato në OKB.

Rreth dy javë pas inaugurimit të komitetit shqiptar, pra rreth 15 korrikut ne do të nisim në emër të tij një fushatë propagande kundër regjimit në Shqipëri, me mjete klandestine dhe gjysmë-klandestine, pra me të gjitha mjetet e mundshme, duke përfshirë transmetimet radio, materialet e shtypura dhe thashethemet. Ne besojmë se kjo fushatë do të ketë efekte të ndjeshme në prishjen e stabilitetit të regjimit.

Trajnimi

Prej 1 korrikut do të nisim trajnimin e një grupi prej rreth 50 agjentë për operacione në Shqipëri. Agjentët do të jenë shqiptarë dhe do të stërviten në mënyrë të tillë që të mos tregojnë se janë trajnuar nga amerikanët apo nga britanikët. Po hasim disa vështirësi në gjetjen e vendit për kampin e stërvitjes dhe mendojnë të vendosemi në Maltë. Bashkë me kampin e stërvitjes do të krijojmë një bazë të specializuar me britanikët në Korfuz. Deri në 1 shtator ne planifikojmë të kemi nisur infiltrimet e grupeve të vogla të agjentëve të pajisur me radio-transmetues.

Hyrja e tyre do të bëhet nga bregdeti ose nga kufiri grek. Misioni i tyre do të jetë krijimi i kontakteve me grupet opozitare në Shqipëri, organizimi i tyre dhe demonstrimi se është koha e duhur për nisjen e operacioneve guerile dhe për ndihmat në armë e para. Në besojmë se fushata e infiltrimit do të na japë deri në nëntor një ide të qartë nëse revolta e armatosur do të jetë e suksesshme apo jo. Nëse raportimet janë të favorshme, atëherë deri në pranverën e ardhshme do të kemi nisur revoltën. Ajo do të ketë si bazë forcën e vogël të emigratëve shqiptarë por për vendime të mëtejshme duhet të presim deri në vjeshtë.

Ne parashikojmë një periudhë prej nëntë deri në 18 muaj deri në arritjen e suksesit. Ne po marrim në konsideratë gjithashtu operacione dytësore siç mund të jenë veprimet për shtypjen e ekonomisë shqiptare me anë të lëshimit të parave fallto. Kjo do të ishte një detyrë e lehtë pasi të kemi hyrë fizikisht në vend. Së dytë, sipas informacioneve tona ndihmat ushtarake ruse për Shqiëprinë vijnë me anije polake që lundrojnë nga Balltiku deri në Adriatik prandaj në të ardhmen, ne mund të ndalojmë këtë trafik.

Ne kemi zgjedhur ndërkohë komandantin në terren për operacionin shqiptar dhe ai tashmë është nisur drejt Mesdheut. Kostot e operacionit nuk mund të llogariten me saktësi në këtë kohë, por pritet të jenë nga 200 000 deri në 1 milionë dollarë./SOT

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com