Lëvizja Socialiste për Integrim, LSI kishte emëruar drejtorë të cilët kishin kryer korrupsion galopant në rrugën e Elbasanit dhe sot janë në burg. Po LSI ka bashkëpunuar me PD-në e Sali Berishës duke vjedhur e plaçkitur Rrugën e Kombit, atë rrugë për të cilën sot bëjnë sikur iu dhimbset.
Ishte nënkryetari i LSI Petrit Vasili ai i cili ka shkruar se duhet të hiqet taksa për Rrugën e Kombit. Çfarë hipokrizie. Të tillë thirrje e bën Lëvizja Socialiste për Integrim, shkatërruesja më e madhe e pasurisë kombëtare të vendit, ku ka punësuar njerëz e ka punuar vetëm për rrënim dhe maskarallëk. Është LSI që sot bën sikur është me kuksianët. Kjo parti ka shkretuar veriorë e jugorë me klanet e veta mafioze kudo në naftë, në gurore, në mal e det, kudo ku shkel këmba e shqiptarit.
Kuksianët janë në burg. Disa prej tyre janë përdorur ndoshta, disa kanë qenë idealistë dhe kanë rrezikuar që vendi ynë te jetë më i mirë. Kuksianë idealistë ka, por te LSI mund të jetë vetëm djalli i punëve të pista dhe intrigave që gatuan në kuzhinën e vet politike Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi. Këta të dy, së bashku me grupin e vet kriminal që ka lemerisur Shqipërinë janë të gatshëm që të citojnë Biblën vetëm që të shpëtojnë vetë. Ata keqpërdorin çdo kauzë idealiste për të shpëtuar, madje janë të gatshëm të shkatërrojnë atdheun tonë vetëm që të shpëtojnë vetë gjallë.
Soji i tyre është mënxyra që gatuhet nga klanet e errëta dhe mafia e nëntokës. Vjedhja dhe plaçkitja nuk do të kalojnë lehtë pa dhënë llogari përpara shqiptarëve. Bashkëpunëtorët me duar të përgjakura, të Berishës dhe të Metës kanë përfunduar në pranga, kurse vetë kokat e krimit, ata që kanë dhënë urdhra për vrasje e tmerre në dëm të vendit harrojnë lirinë e thërrasin kauzat idealiste, duke vepruar si i mbyturi që kapet pas fijes së kashtës. Por fundi i tyre është pranë. Drejtësia ndërkombëtare ka zbritur në Tiranë dhe prangat janë merita e shqiptarëve të thjeshtë mbi kryekriminelët e kombit.\Dionis Xhafa – Pamfleti/