Loading...

Turistët që bëjnë namin duke harxhuar para në Shqipëri. Duhet t’i mbajmë në pëllëmbë të dorës

Kur vjen puna tek turizmi dhe shpenzimet që çdo vizitor bën në Shqipëri, pronarët e hoteleve, shtëpive të pushimit, bareve dhe restoranteve e dinë mirë se çdo turist ndryshon nga tjetri.

Vitin e kaluar, shpenzimet e turistëve arritën 15% të PBB, megjithatë disa grupe janë kontribuues më të mëdhenj se sa të tjerë.

Si grupi më i madh i turistëve, ku 87% vijnë për pushime, shqiptarët nga Kosova janë padyshim edhe ata që i sjellin më shumë përfitime ekonomisë shqiptare. Një shtetas nga Kosova qëndron në Shqipëri mesatarisht 3.8 ditë dhe 83% e tyre qëndrojnë në hotel, ndërsa shpenzimi mesatar ditor për person arrin në 55 euro.

Në numra të ngjashëm llogaritet dhe eksperienca turistike e shtetasve nga Maqedonia, të cilët qëndrojnë në Shqipëri mesatarisht 3.6 ditë dhe 74% e tyre flenë në hotele. Ashtu si turistët nga Kosova, edhe maqedonasit shpenzojnë në vendin tonë mesatarisht 55 euro për person.

Të dy grupet, si dhe turistët nga Mali i Zi, për shkak se janë vende fqinje, preferojnë të vijnë me automjetet e tyre 86-90% dhe pjesa e mbetur me autobus.

Megjithatë, turistët nga Mali i Zi janë më të pakursyer kur vjen puna tek shpenzimet për akomodim dhe argëtim. Shpenzimet ditore për person të një turisti nga Mali i Zi arrijnë në 105 euro dhe 93% e tyre zgjedhin luksin e një hoteli, për një kohëzgjatje mesatare prej 2.7 ditësh.

Malazezët janë kombësia që shpenzon më tepër ndër grupin e 5 shteteve me vizitorët më të shumtë në Shqipëri. Pas tyre ndjekin italianët që prishin 92 euro në ditë për person, por për një kohëzgjatje më të madhe me mesatarisht 6.2 ditë. Më pak se gjysma e italianëve zgjedhin të vijnë me automjetin e tyre, ndërkohë që 28% parapëlqejnë fluturimin me avion dhe 20% kapërcejnë detin Adriatik me anije.

Edhe turistët nga Greqia kanë një mesatare të mirë shpenzimi, prej 78 eurosh në ditë, duke llogaritur që një turist i huaj në vendin tonë shpenzon mesatarisht 63 euro në ditë. Grekët qëndrojnë mesatarisht 3.7 ditë dhe 78% e tyre zgjedhin të flenë në hotel, një raport më i ulët se për turistët nga Kosova apo Mali i Zi.

Ndërkohë, me diversifikimin e ofertës turistike të Shqipërisë dhe shtimin e vizitorëve nga Europa Qendrore, Veriore dhe Perëndimore pritet që të ardhurat për ekonominë shqiptare nga turistët të rriten më tej, duke zënë një vend edhe më të rëndësishëm në bilancin vjetor.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com