Në vitin 2017, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në Shqipëri është 48.967 lekë. Kjo shifër, sipas publikimit të djeshëm të INSTAT-it, është 3 për qind më e lartë krahasuar me vitin 2016. Kjo do të thotë se vjet paga mesatare u rrit me 3 për qind. Por realisht, të dhënat tregojnë se rritje kanë pasur pagat e sektorit publik, ndërsa bizneset private i kanë ngrirë pagesat mujore për punonjësit.
Të ndarë sipas kategorive, siç tregohet edhe në tabelë, pagat janë rritur me gati 10 për qind për nëpunësit, nga 47.826 lekë në muaj në vitin 2016, në 50.878 lekë në muaj në vitin 2017. Vjet para fushatës qeveria vendosi të rrisë fort pagat e administratës me justifikimin se kishte 3 vjet pa ia lëvizur pagesën nëpunësve të vet.
Ajo çka bie në sy në tabelat e INSTAT-it është ulja e pagës për drejtuesit, pra, elitën e kompanive dhe qeverisë. Duket se ulja e pagave, pasi INSTAT raporton mesataren, ka qenë më e fortë në sektorin privat, pasi shteti vjet i indeksoi rrogat e larta. Në grupin, “Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë”, pagat u ulën nga 95.961 lekë në muaj në vitin 2016, në 95.380 lekë në muaj në vitin 2017.
Sipas INSTAT-it, “Gjatë vitit 2017, 29,6% e kontribuuesve në kategorinë e të punësuarve me pagë marrin një pagë mesatare mujore bruto deri në nivelin e pagës minimale zyrtare”. Paga minimale e lejueshme është 24 mijë lekë në muaj dhe sipas statistikave, gati 1 në 3 të punë- suar paguhet në këtë limit.
PROFESIONET “E PASURA” DHE “TË VARFRA”
Vetëm 6,9 për qind e 1,195 milionë të punësuarve në Shqipëri paguhen mbi 95 mijë lekë në muaj. Profesionet më të paguara që kalojnë pagën 50 mijë lekë në muaj, pra mbi mesataren, janë “Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë”, “Specialistë me arsim të lartë (profesionistë)”, “Teknikë dhe specialistë në zbatim” dhe “Nëpunësit”.
Në pagat e larta hyn edhe ushtria, me një mesatare prej 58.075 lekë në muaj. Ndërsa profesionet me pagë nën mesataren janë “Punonjës të shitjeve dhe të shërbimeve”, “Punonjës të kualifikuar të bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit”, “Zejtarë, artizanë dhe profesione të lidhura me to”, “Punonjës të montimit dhe përdorimit të makinerive dhe pajisjeve” dhe “Punëtorë (Profesione elementare)”. Pra, përgjithë- sisht e gjithë kategoria që merret me biznes të vogël apo që nuk punon në shtet, ka një pagë të deklaruar nën mesataren e të gjithë vendit.
Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë 95.380 lekë/muaj Specialistë me arsim të lartë (profesionistë) 66.297 lekë/muaj Teknikë dhe specialistë në zbatim 54.088 lekë/muaj Nëpunësit 50.878 lekë/muaj Punonjës të shitjeve dhe të shërbimeve 36.844 lekë/muaj Punonjës të kualifikuar të bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit 29.910 lekë/muaj Zejtarë, artizanë dhe profesione të lidhura me to 33.604 lekë/muaj Punonjës të montimit dhe përdorimit të makinerive dhe pajisjeve 34.123 lekë/muaj Punëtorë (Profesione elementare) 28.990 lekë/muaj Forcat e armatosura 58.075 lekë/muaj./Panorama