540 fermerë nga qarku i Elbasanit janë përfitues të skemës kombëtare të qeverisë për mbështetjen e bujqësisë.
Zëvendësministri i Bujqësisë, Dhimitër Kote gjatë turit për prezantimin e projekteve zhvilluese për qarkun e Elbasanit ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, bëri të ditur se skema kombëtare e qeverisë parashikon mbështetje për fermerët në vlerën e 20 milionë eurove.
Sipas Kotes, nga kjo skemë kanë përfituar 540 fermerë të qarkut Elbasan, nga të cilët 100 janë blegtorë.
“Përmes mbështetjes me skemën direkte u bë e mundur mbjellja e 300 ha në këtë qark”, – tha Kote, ndërsa ftoi fermerët të zgjerojnë investimet e tyre duke i siguruar ata për fonde dhe mbështetje teknike.
Por, mbështetje për fermerët shqiptarë, sipas numrit 2 të Ministrisë së Bujqësisë, po vjen edhe nga institucionet ndërkombëtare financiare.
Përmes IPARD II, projekt i Bashkimit Europian po mbështetet ndjeshëm zhvillimi i bujqësisë shqiptare.
Kote u bëri thirrje të gjithë emigrantëve shqiptarë të kthehen e të investojnë kapitalet e tyre në agroturizëm, i vetmi sektor, siç u shpreh ai, fitimprurës.
“E keni mbështetjen financiare. Modelet kanë dhënë rezultate të jashtëzakonshme. Nevojitet orientimi i fermerëve dhe një strategji afatgjatë që t’i rezistojë kohës dhe produkti të shkojë për eksport e agroturizëm”, – deklaroi ai.