Me nisjen e sezonit turistik të vitit 2018, një nga destinacionet kryesore turistike për Qarkun e Vlorës është parku arkeologjik i Amantias, ku interesi i vizitorëve vendas dhe të huaj për të vizituar këtë park arkeologjik vitet e fundit shënon rritje të dukshme.
Për të garantuar një infrastrukturë normale dhe akses në monumentet e atraksionet kryesore që ofron ky park, për vizitorët e interesuar, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë, ka vijuar me rinovimin dhe mirëmbajtjen e sinjalistikës orientuese dhe shpjeguese të parkut, mirëmbajtjen e monumenteve të vizitueshme së bashku me rrugëkalimet e itinerarit që të çon drejt tyre.
Për këtë sezon turistik, parku arkeologjik i Amantias ofron një mundësi interesante dhe atraktive në monumentet e saj unike si, stadiumi antik, bazilika paleokristjane, tempulli i Afërditës, varret monumentale të nekropolit verilindor etj.
Amantia u themelua në fund të shekullit V para Krishtit. Ajo ndodhet në një kodër dhe është e fortifikuar me mure.
Në shekullin e III-të para Krishtit qyteti u forcua ekonomikisht dhe nxori monedhat e tij të para.
Në vitin 268 para Krishtit, qyteti preu monedhën e vet. Ka ende gjurmë të tempullit të Afërditës, teatrit dhe stadiumit.