Loading...

Meta bllokon 9 muaj dekretin për kreun e SHISH, s’ka inat me Ramën po ka hallin e tij. Kryetari i shërbimit sekret do hetojë pasuritë jashtë vendit

Kanë kaluar afër nëntë muaj që kur kryeministri Edi Rama i dorëzoi presidentit Ilir Meta propozimin për emërimin e Helidon Bendos në postin e kryetarit të SHISH.

Vendi i kreut të shërbimit sekret shqiptar kishte mbetur vakant pas dorëheqjes së Visho Ajazi Likës nga ky post.

Kryeministri propozoi njëherësh ish kreun e SHISH për postin e ambasadorit të Shqipërisë në NATO dhe zv.kreun e SHISH Helidon Bendo për postin e kreut të shërbimit sekret shqiptar.

Presidenti i Republikës Ilir Meta e dekretoi menjëherë Visho Ajazi Likën për ambasador të Shqipërisë në NATO, pavarësisht se në media kishin dalë lajmet se Visho kishte përgjuar Metën, Ramën dhe bashkëpunëtorët e tyre kur ishin në opozitë por dhe gjatë kohës në pushtet.

Ndonëse Visho Ajazi Lika asnjëherë nuk e mohoi as pohoi këtë akuzë, Ilir Meta e firmosi pa hezitim emërimin e tij në krye të ambasadës sonë në NATO.

Ndërkohë që, ndonëse kanë kaluar nëntë muaj nga propozimi i Ramës për kreun e ri të SHISH Bendo, Presidenti Meta ende po “mendohet” dhe po e “studion” dosjen e tij pa e vënë firmën akoma mbi dekretin e emërimit në krye të shërbimit sekret.

Ndonëse nuk ka asnjë limit ligjor për të firmosur dekretimin e kreut të ri të SHISH, zvarritja për nëntë muaj i zhbën të gjitha deklarimet dhe justifikimet zyrtare dhe publike të Ilir Metës për mosdekretimin e Helidon Bendos si kreu i ri i SHISH.

Interesimit të medias për mosdekretimin e kreut të SHISH, Meta ose i është shmangur duke folur për tema të tjera ose i është përgjigjur se po e studion dosjen e tij.

“Duhet të keni në konsideratë që një vendimmarrje e tillë është e rëndësishme. Presidenti i Republikës duhet të jete i bindur që vendim përfundimtar tregon pavarësinë dhe efikasitetin e një institucioni kaq të rëndësishëm si ai i sigurisë kombëtare”, tha Meta në dhjetor të vitit të kaluar, kur kishin kaluar vetëm dy muaj nga propozimi i kryeministrit Rama për Bendon.

Ndërkohë herë tjetër është shprehur se “fakti që zotëria mban postin e zv/drejtorit tregon që është gjykuar i përshtatshëm nga autoritetet që e kanë propozuar dhe e kanë emëruar në këtë detyrë. Dhe njëkohësisht fakti që ky shërbim ka zv/drejtor është fakt pozitiv, sepse tregon që mund të vazhdojë të funksionojë.

Sa i takon çështjes së dekretimit, sigurisht që nëse nuk mund të mbash dikë përtej vullnetit të tij asnjë minutë më shumë në një detyrë nuk ka asnjë arsye për t’u nxituar për të nënshkruar një dekret mendoj të rëndësishëm”.

Pra Meta po e shqyrton me “qetësi” por pa asnjë “dashuri” propozimin e Ramës për kreun e SHISH, ndërkohë që vonesa prej 9 muajsh deri më tani, ku gjasat janë që të mos e dekretojë dhe për shumë kohë, tregon se arsyet janë më të thella se sa “studimi”.

Në krye të herës duhet të themi se Ilir Meta nuk e firmos dekretin për emërimin e Helidon Bendos në krye të SHISH jo për shkak se ka ndonjë inat me Edi Ramën.

Presidenti e di se Kryeministri nuk e vret mendjen shumë se kush është në krye të SHISH, është dekretuar ose jo dhe për më tepër në shumë gjëra Rama është në unison me Metën, sidomos përsa i përket abuzimit me pushtetin dhe klientelizmin.

Por nga ana tjetër Ilir Meta ka një hall të tijin, që është me të vërtetë hall jete dhe burgu por dhe pasurie, të cilët e ka në Shqipëri dhe jashtë vendit.

Pavarësisht se çfarë deklarohet apo çfarë thuhet nëpër deklarata e kundërdeklarata, asnjëherë zv.kryetari i SHSH nuk është me të njejtat kompetenca si kryetari i SHISH.

Thuhet se numri dy është si numri një, por nuk është kurrë numri 1 i instucionit përsa i përket vendimmarrjes dhe aksesit mbi dokumentacionin sekret, marrëveshjet bilaterale me shërbimet partnere dhe një sërë detyrash të tjera funksionale për kreun e SHISH.

Në këtë kontekst, Helidon Bendo si nënkryetar i SHISH ka të drejtën e firmës për shumë procese bazike të funksionimit të institucionit, por asnjëherë me kapacitet të plotë.

Duke qënë se SHISH ka për detyrë që të gjurmojë bashkë me shërbimet partnere jo vetëm krimin brenda dhe jashtë vendit por dhe në kuadër të një vendi anëtar të NATO-s në vendet jomike dhe armike të kësaj organizate dhe krimin dhe terrorizmin apo rreziqet që i kanosen Aleancës, deri më tani pa kreun e SHISH ky kontribut ka qënë i mangët.

Në kuadër të reformës në drejtësi dhe Vettingut, SHISH ka për detyrë që bashkë me shërbimet partnere të gjurmojë të gjitha pasuritë e paligjshme brenda dhe jashtë vendit, përfshirë këtu dhe llogaritë bankare të zyrtarëve të lartë që kanë abuzuar me pushtetin, një gjë e tillë nuk mund të bëhet pa firmën e kreut të SHISH, ndërkohë që zv.kryetari nuk firmos me kompetencë të plotë.

Pasi kreu i asnjë shërbimi partner me shërbimin sekret shqiptar, nuk mund të firmosë me numrin dy të institucionit të SHISH.

Vlen të theksohet se dhe ambasada amerikane, një nga arësyet që nuk i ka dhënë ende numrat e llogarisë së deputetëve dhe zyrtarëve që kanë pasuri në bankat e huaja, ka qënë me Visho Ajazi Likën në krye të SHISH mungesa e besimit, ndërsa me Helidon Bendon, posti i padekretuar ende i kryetarit të SHISH.

Këtu me sa duket e ka arsyen dhe Ilir Meta që nuk firmos emrin e Helidon Bendos si propozim i kryeministrit Edi Rama për kryetar të SHISH.

Meta nuk ka besim te Bendo se do të veprojë sipas udhëzimeve të tij për të shpëtuar pasurinë e tij dhe miqve të tij që të mos dekonspirohen dhe sekuestrohen.

Kjo sepse Bendo me sa duket nuk bën pjesë në rrethin e njerëzve të besuar të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, dhe emërimi i tij në këtë detyrë nuk ngjall shumë besim tek ata se do të veprojë sipas rregullave të ish kreut të LSI dhe Monikës.

Ndaj e ka refuzuar firmën për nëntë muaj me radhë mbi dekretin e emërimit të Bendos në krye të SHISH dhe pritet ta refuzojë pa limit, pavarësisht se Rama as që kujtohet më të propozojë ndonjë tjetër, përderisa Presidenti nuk e ka refuzuar zyrtarisht kandidaturën./Pamfleti

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com