Dy të rinj nga Kukësi kanë përfunduar në prangat e policisë, pasi janë kapur me armë dhe me doza të kokainës, ndërsa ishin strehuar në banesën e një personi të dënuar në Kosovë. Këta dy persona do të përgjigjen penalisht për tri vepra penale.
Njoftimi:
Kukës.
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Drini 2”.
Operacioni nga strukturat e DVP Kukës në bashkëpunim me FNSH Shkodër.
Arrestohen në flagrancë dy shtetas.
Sekuestrohen 2 armë zjarri, 1 armë gjahu, 2 doza kokainë, si dhe 18 fishekë.
Nga strukturat e D.V.P Kukës në bashkëpunim me me FNSH Shkodër, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “DRINI 2”, me arrestimin në flagrancë të shtetasve:
-H.S, 24 vjeç, banues në Kukës, (person në kërkim nga DVP Lezhë.)
-U.U. 23 vjeç, banues në fshatin Kalisë, Kukës.
Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative se në vendin e quajtur “Zona Industriale”, Kukës, në banesën e shtetasit N.D ( i cili vuan dënimin në Kosovë për veprën penale “Trafik Narkotikësh”) strehoheshin persona në kërkim, mbi bazën e këtyre informacioneve u organizua, zhvillua dhe u finalizua me sukses operacioni “Drini 2”, ku u bë e mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve të lartëpërmendur.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia në banesë, këtyre shtetasve ju gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri, një armë gjahu, 2 doza lëndë narkotike e dyshuar kokainë, si dhe 18 fishekë pistolete dhe çifteje.
Vazhdojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike” e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 278, 280 dhe 283/2 i Kodit Penal.