Shoqëria në krizë, reflekton imponimin politik që i bëhet pa mëshirë prej vitesh. Dhe si i kemi vrarë vlerat…
Ka disa gjëra me të cilat nuk merret kush publikisht në Shqipëri, e përfundojmë duke parë përdorimin e thikës nga adoleshentët sikur të ishte stilolaps, jo armë; kilogramë të tërë heroine, çudira oligarkësh, atlete politike e trukime sportive; vrasje e vjedhje, lopata e pemë që mbillen si shenja “këtu do jetë kulla tjetër”, abuzim fondesh për të cilat nuk mërzitet kush, provime qesharake mësuesish e kredite që blihen nga organizma fantazmë, e në fund, reagime të frikshme të një shoqërie që përjetimi i këtyre ngjarjeve, e ka çuar në krizë.
Pse? Sepse mbushja e ditës me këtë ushqim, ka vrarë disa elementë të tjerë që e mbajnë shoqërinë me mendjen në vend: Vlerat!
Dhe lidhjen e ngushtë të tyre me tre elemente të thjeshta: leximin, arsimin dhe punën.
Për shkak se gjendja e sotme i ka asgjësuar vlerat, leximin, arsimin e besimin te puna, vihet re qartë ndikimi i kësaj mungese në sjelljet ndërpersonale mes njerëzve dhe si reagojmë ndaj njëri-tjetrit: me shpatë në dorë!
Thikë në shkolla, plumba rrugëve, vrer pas krahëve, shpifje e negativizëm online.
Ky frustrim ka bazë të fortë ekonomike, por është edhe tregues i rrënimit të vlerave. Përqafojmë të keqen! Pranojmë shkeljet! Reagojmë pa e njohur pasojën apo përgjegjësinë!
Kjo gjendje ankthi e pranimit të anti-vlerave e të negativizmit si normë, për fat të keq duket sikur është institucionalizuar. Shembujt vijnë nga qeveritarët e njerëzit publikë. Dhe efektet hedhin lehtë rrënjë mes njerëzve që i kanë sytë tek ta, e jo tek libri, arsimi apo puna (temë e trishtë e më vete).
E keqja më e madhe është se kjo gjendje e talljes së vlerave nuk refuzohet më as nga të rinjtë. Thika është përgjigjia! Motori. Luksi i rremë. Cepat e frikshëm. Rrugët pa krye.
Mund të duket utopike, po ja që ato 3 gjërat e thjeshta (leximi, arsimi dhe puna) i mbajnë njerëzit larg situatave krizë që pasqyron media, e që mes të tjerash, gjeneron tensione dhe pa dashur, ushqen kriza të reja.
Kriza e thellë shoqërore dhe negativizmi që ka kapur Shqipërinë, është ndikim i drejtpërdrejtë i politikës në vend. I lidhjeve të saj me krimin dhe i abuzimit të pafre me paratë e shqiptarëve.
27 vjet me të njëjtat përqasje e krime politike, janë shumë. Dhe mjaftueshëm që ta paralizojnë shoqërinë e ta shndërrojnë në masë pasive që i pranon anti-vlerat si normë.
Bota jeton sot në një kohë ku shkenca është e aftë të provojë trajektoret e secilit trup qiellor në galaktikë, që ndodhet edhe 6 milionë vite drite larg sistemit diellor. Kurse politika shqiptare nuk ka vullnetin të zgjidhë sot e të parashikojë punësimin e denjë të 54% të të rinjve të saj, që pranimi i çuditshëm i gjendjes së imponuar nga politika, i çon tek përdorimi i thikës.
Ky është shembulli që transmeton politika: hipokrizi që as nuk ka standarte, as nuk i respekton ato. Dhe shoqëria nga kritike, u shndërrua në cinike e së fundmi, apatike për shembujt që vinë nga politika dhe skandalet e saj. Ideja e përhapur në popull është se “mund të bësh ç’të duash, se nuk të gjen asgjë”. Drogë, vjedhje, krim, vrasje, shtyp njerëz me makinë në rrugë e me gisht nga kolltuku i pushtetit. Madje, sa më lart në pushtet, aq më thjesht të bësh çdo krim që të shkon ndër mend. E mund edhe të bësh të fortin, prepotentin e arrogantin po të sulmoi njeri publikisht.
Ja kjo është Shqipëria e sotme, kazani jo i medias, po i antivlerave të kthyer në normë, të pranuara si të tilla, e të reflektuara në thikat, vrasjet, mashtrimet, djegiet e shthurjet e një shoqërie të mpirë.
Mbase leximi, arsimi e puna nuk duken ilaçe të forta. Por në vendet ku njerëzit lexojnë libra dhe në autobuz, ku arsimohen për dije e jo për karton, e ku puna i shërben njeriut (e jo e kundërta), dhe punë ka për të gjithë, të tria duken si ilaçe e me jo pak efekt.