Loading...

Lufta kundër bimëve narkotike, në 5 muaj 70 mijë kontrolle

Drejtori i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë Gjovalin Loka deklaroi sot se “Policia e Shtetit, në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga Plani i Veprimit për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike për vitin 2018, po zbaton me përgjegjshmëri të gjitha masat organizuese dhe operacionale në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët e huaj”.

Në zbatim të këtyre masave në të gjithë vendin, tha Loka, që prej muajit janar deri në fund të majit, janë ushtruar kontrolle intensive për të parandaluar, evidentuar dhe goditur kultivimin e bimëve narkotike, si dhe për të çuar para drejtësisë autorët e kësaj veprimtarie antiligjore.

“Rastet e konstatuara të kultivimit në këto 5 muaj të vitit 2018, janë 23 parcela me 2579 bimë dhe 878 bimë të asgjësuara në kubikë. Dhe për krahasim me vitin 2017, kur Shqipëria doli përfundimisht nga harta e vendeve problematike që kultivonin kanabis, janë 53 parcela më pak, ose rreth 21,500 bimë më pak të kultivuara”, – tha ai.

Që nga ditët e para të vitit, theksoi Loka, Policia e Shtetit ka zhvilluar rreth 70 mijë kontrolle dhe ri-kontrolle masive të territorit, në ambiente të hapura, ish-objekte ushtarake, serra, magazina e shtëpi të braktisura.

Ai tha se të gjitha grupet e kontrollit janë monitoruar nga drejtues të lartë policorë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA).

Këtë vit, për një kontroll më të plotë të territorit kanë nisur më herët në kohë monitorimet ajrore nga Guarda di Finanza.

“Nga fillimi i prillit deri sot janë kryer 29 misione fluturimi. Misioni ka hartuar 17 raporte monitorimi ajror, por nuk është konstatuar asnjë bimë narkotike e kultivuar. Këto monitorime ajrore do të vijojnë deri në vjeshtë, duke zgjatur periudhën kohore të kontrollit të territorit”, – tha ai.

Ditën e djeshme, në mbarë vendin, 220 grupe kontrolli të Policisë së Shtetit kanë ushtruar 3590 kontrolle.

Policia ka evidentuar 2 raste të kultivimit të narkotikëve, konkretisht 1 rast në pyllin e fshatit Nikël, Krujë, me 23 bimë dhe 1 rast në fshatin Frashër, Përmet në një zonë të pyllëzuar ku u asgjësuan 1800 bimë narkotike.

Në Përmet është arrestuar në flagrancë autori i dyshuar banues në Frashër.

Që nga fillimi i vitit, janë arrestuar 13 autorë të dyshuar për kultivim, 6 shtetas janë në kërkim dhe 5 ndiqen në gjendje të lirë.

Gjithashtu, Policia ka proceduar penalisht 4 persona, administratorë të Njësive Administrative dhe inspektorë të shërbimit pyjor, për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallëzim krimi”.

Në 15 raste, Policia ka zbuluar dhe sekuestruar rreth 21 mijë fara kanabis duke vënë para ligjit personat përgjegjës.

Policia e Shtetit, në zbatim të Planit Kombëtar Antikanabis ka bashkëpunim konstant me agjencitë e zbatimit të ligjit në vend si dhe vijon shkëmbimin e informacionit me partnerët, për goditjen e tentativave të implikimit të grupeve kriminale që operojnë jashtë Shqipërisë në këtë aktivitet kriminal.

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është funksional sistemi dixhital GIS-Narkotik, për monitorimin e territorit.

Loka vlerësoi bashkëpunimin me pushtetin vendor dhe strukturat e tjera shtetërore, bashkëpunuese në këtë luftë.

“Kontributi i partnerëve tanë është i çmuar, e këtu veçoj misionin e Guardia di Finanzas. Gjithashtu vlerësojmë mbështetjen e opinionit të gjerë publik ndaj punës së Policisë së Shtetit për goditjen e këtij fenomeni. Këtë betejë do ta fitojmë të gjithë bashkë, për një të ardhme më të mirë dhe Shqipëri më të sigurt”, – përfundoi ai. /e.malaj/  /a.g/ATSH

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com