“Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e së enjtes veprimet e Policisë së Vaut të Dejës në shoqërimin e një 47-vjeçari, i cili pasi u lirua nga qelia vrau veten. Ardjan Kallmi i dha fund jetës në fillim të javës, ndërsa vajza e tij, Romina, kërkon drejtësi. Ajo thotë se punonjësit e policisë e dhunuan fizikisht dhe psikologjikisht vetëm që të pranonte një vjedhje që se kishte kryer kurrë. Ata i shkruan një letër, kur në fakt, Ardjani, nuk dinte as shkrim e këndim. Madje, veprimet e policisë vijuan me kontrollin e banesës së Kallmit, megjithëse ai nuk ishte arrestuar në flagrancë, nuk ishte ndaluar apo të kishte një vendim gjykate. Përpos këtyre shkeljeve, shefi i komisariatit të Vaut të Dejës Paulin Çuni, në një bisedë me gazetarët e Fiksit, tha se “shumë mirë që vrau veten!”.
Denoncimi i vajzës
Fiks Fare udhëtoi në fshatin Barbullush, në Vaun e Dejës, te familja e 47-vjeçarit Ardjan Kallmi. Familja kishte hapur dyert, ndërsa në banesë ishin të afërmit, mes të cilëve vajza dhe djali i të ndjerit. Romina, 22-vjeçare, që jeton prej disa vitesh në Itali me bashkëshortin dhe dy fëmijët, thotë se ka folur gjatë gjithë kohës me babanë, që nga dita e shtunë, kur u shoqërua për herë të parë, e deri 1 orë para ngjarjes fatale të së hënës.
“Të shtunën, në orën 8 të darkës, më mori babai dhe më tha se ka ardhur policia të kontrollojë banesën se është grabitur një banesë. Ishin futur në shtëpi dy punonjës dhe kërkonin disa plaçka të vjedhura. Nuk gjetën asnjë gjë. Në dijeninë time nuk ka pasur asnjë urdhër për kontroll. I thanë ‘Ardjan, je akuzuar se ke thyer banesën dhe do vish me ne’. Shkoi në komisariat dhe qëndroi deri në orën 02.30 të së dielës” thotë Romina. Pasi doli nga komisariati, Romina është telefonuar nga babai.
“Policia e kishte akuzuar për vjedhje, por ai më tha ‘jam i pafajshëm. I thashë babi qetësohu, ka shtet dhe do e zgjidhim me ligj nëse je i pafajshëm. Ai ishte tip i ndrojtur dhe vetëm me mua hapej. Atë natë në polici i kishin bërë presion psikologjik dhe më tha se i kishin ushtruar dhunë. Më tha se e kishin goditur me grushte dy persona të policisë, njëkohësisht. Në komisariat dha shenjat e gishtave dhe më pas e kanë liruar, pasi nuk i kanë gjetur plaçka në shtëpi” vijon Romina.
Më tej shton se, të hënën në mëngjes, në orën 09.30, është shoqëruar sërish në polici.
“I thash do të incizosh të gjithë bisedën me policët. Ai ka incizuar me video dhe fjalët që ka thënë janë; pse do më bëni të pranoj një faj që se kam bërë. Mos më rëndoni me këtë akuzë. Jam
i pafajshëm, pse më dhunoni të pranoj këtë gjë. Videon e plotë e ka prokuroria, të bëjë ekspertizën” pohon ajo, ndërsa shton se babai i saj nuk dinte të shkruante dhe lexonte, pasi ka bërë vetëm 3 vjet shkollë.
“Të hënën, pasi doli nga komisariati, më telefonoi babai. Kishte një fytyrë që shfaqte presion, mu duk tepër i shqetësuar. E kam parasysh krejt figurën e tij. Fola me Ëatsupp. Më tha që më kanë bërë të pranoj akuzën, por jam i pafajshëm. Biseda e fundit ishte se ‘s’ka drejtësi për mua. Më dhunuan, policia duhet të jetë kundër dhunës’. Kjo ishte telefonata e fundit me të. Ngjarjen e mora vesh pas rreth një ore, apo dy orë, se mbaj mënd shumë mirë…” përfundon Romina.
Shkeljet e policisë
Natën e 26 majit, shtetasi Ardjan kallmi, është shoqëruar në komisariatin e policisë së Vaut të Dejës. Ai ka qëndruar nga ora 20.00 deri në orën 02.00 të datës 27 maj. Ndërkohë që, në datën 28 maj, një patrullë policie, e ka shoqëruar sërish dhe e ka futur në këtë komisariat. Ka qëndruar disa orë dhe në fund ka nënshkruar një deklaratë. Ne disponojmë këtë deklaratë, ku thuhet se; Unë Ardjan Ndeli Kallmi ju garantoj se brenda dy ditëve do shkojnë materialet tek banesa e Lind Mandit. Deklaroj nën përgjegjësinë time se çfarë deklarova më sipër ishin me vullnetin tim dhe se moskryerja e kësaj pune që premtova jam dakord që të mbaj përgjegjësi ligjore.
“Fiks Fare” pyeti në prokurori dhe në polici dhe në asnjë rast, shërbimet e policisë nuk kanë një procedurë të tillë, pra që t’i marrin një deklaratë të tillë personit që shoqërohet. Në asnjë Kod, ligj apo rregullore, nuk është një procedurë e tillë. Ndërkohë, familjarët pretendojnë se policia ushtroi kontroll banese pa një mandat. Në Kodin e Procedurës Penale përcaktohet se, kontrolli i banesës bëhet vetëm në tre kushte; arrestimi në flagrancë, pas një urdhër ndalimi dhe me vendim gjykatë. Siç na shpjegoi shefi i komisariatit, shtetasi Ardjan Kallmi nuk është arrestuar apo ndaluar. Ai vetëm është shoqëruar dhe policia nuk duhet t’i kontrollonte banesën.
Bisedë me shefin e komisariatit, Paulin Çupi;
Shefi komisariatit – Problem me atë është, person i shoqëruar pas një ngjarje që ka ndodhur në momentin e flagrancës. I është marrë deklarim, është pyetur dhe është lënë i lirë. Pasnesër, pas dy ditësh, ka ardhur vetë. Ka kërkuar takim me mua, e kam prit në takim. Ka qëndruar rreth 25 minuta dhe ka dalë i lirë, ka ikur në shtëpi.
Gazetari – Ai ka firmosur një deklaratë, shkrimi i vetë është ky këtu?
Shefi komisariatit – Jo, jo. Ka shprehur dëshirën, ku ka kërkuar…
Gazetari – Kush e ka shkruar.
Shefi komisariatit – Ku ka kërkuar për dy ditë…
Gazetari – E ke shkruar ti?
Shefi komisariatit – Jo more, s’e kam shkruar unë.
Gazetari – E ka shkruar një punonjës policie?
Shefi komisariatit – E kanë shkruar këtu, s’e e kanë kërkuar t’a shkruar. Shkrimi është i një punonjësi të policisë.
Gazetari – Ai (viktima) dinte të shkruante?
Shefi komisariatit – Jo. Na ka kërkuar, nuk di me shkru, është ky kusht që ju jap. Më jepni aq kohë që t’ju bie materialet, e mbarojnë këtë punë. Shkrimin e kemi deklaruar, punonjësi i policisë e ka deklaruar që unë e kam bërë shkrimin
Gazetari – Ka dhe një filmim, kishte bërë dhe një filmim.
Shefi komisariatit – Jo, nuk ka filmim fare.
Gazetari – Ka 17 minuta. Ka filmuar, të gjithë ngjarjen.
Shefi komisariatit – Jo, s’ka filmuar. Ka tentuar. Ka ardhur dhe ka kërkuar takim me mua. Dhe ka ardh, kjo tregon se është diçka e inskenuar, e përgatitur nga ata. Dhe ka hyrë në territorin tonë, këtu, në ambientet e komisariatit me telefonin gati për inçizim.
Gazetari – Është kontrolluar banesa?
Shefi komisariatit – Po, normal.
Gazetari – Me çfarë urdhri?
Shefi komisariatit – S’ka urdhër në kushte flagrance.
Gazetari – Po ça flagrance ishte?
Shefi komisariatit – Po a ishte vjedhja e banesës?!
Gazetari – Po ishte, po duhet një urdhër gjykate, prokuroria për të kontrolluar banesën. Policia është futur…
Shefi komisariatit – Jo zotëri.
Gazetari – Duhet një urdhër…
Shefi komisariatit – Në kushte flagrance nuk ka urdhër.
Gazetari – Po s’ishte flagrancë, ai s’ishte flagrancë. Aty ishte informacioni operativ. Personi që iu vodh shtëpia nuk akuzoi Ardjanin. Kush u fut?
Shefi komisariatit – Kemi zbatuar…
Gazetari – Kush u fut në shtëpi?
Shefi komisariatit – Policia, forcat e policisë.
Gazetari – Me urdhër?
Shefi komisariatit – Me urdhër të Kodit të Procedurës Penale.
Gazetari – Në këtë rast, ju i jeni futur në shtëpi, i keni kontrolluar banesën. Nuk i keni gjetur asnjë gjë brenda në banesë.
Shefi komisariatit – Brenda 10 orëve kam të drejtën ligjore të shoqëroj çdo person për dyshime të mundshme.
Gazetari – Shoqërim po, po jo t’i futesh brenda në shtëpi.
Shefi komisariatit – Po shoqërim është pra.
Gazetari – Po jo t’i futesh brenda në shtëpi.
Shefi komisariatit – Edhe në shtëpi mo. Rri një ditë, rri sot këtu ti. Të më kërcasë një telefonatë që më ka ndodhur një ngjarje dhe hajde pas meje dhe shif çfarë do të bëj unë. Do i futem kujt në banesë apo jo.
Gazetari – Do i futesh në banesë?
Shefi komisariatit – Po, hajde më shif mua ti. Dhe a jam brenda kushteve ligjore apo s’jam.
Shefi komisariatit – U njoftua që u vodh banesa.
Gazetari – Po. E denoncoi personi që ma ka vjedhur Ardjani?
Shefi komisariatit – Ore denoncoi personi që më është vjedh banesa.
Gazetari – Po pra, jo për Ardjanin.
Shefi komisariatit – Jo për Ardjanin, po për Paulinin…
Gazetari – Pse kontrolluat atë pikërisht?
Shefi komisariatit – Unë futem aty ku kam dyshimet e mia. Të gjitha veprimet proceduriale që janë kryer me këtë person, me këtë shtetas, mbaj përgjegjësi të plotë ligjore.
Gazetari – Ka kamera komisariati?
Shefi komisariatit – Jo nuk ka. Ngjarja, i dëmtuari, ose kush merr dijeni për një ngjarje, në moment njofton sallën operative.
Gazetari – Po.
Shefi komisariatit – Më është vjedhur banesa.
Gazetari – Po, e ka vjedhur Ardjani, apo Sokoli?
Shefi komisariatit – Më është vjedhur banesa, thotë qytetari.
Gazetari – Kaq, si vajtët ju te Ardjani?
Shefi komisariatit – Grupi hetimor shkon në vendngjarje, konstaton vjedhjen.
Gazetari – S’i shkuat te Ardjani?
Shefi komisariatit – Grupi hetimor, me urdhrin tim, dhe me urdhër të tyne, ngre grupin hetimor, çon shërbimet e policisë dhe verifikon problemin. Ka vjedhje, s’ka vjedhje. U konstatua se ka vjedhje . Thirr ekspert për të kryer veprimet proceduriale. Atëherë vazhdon pjesa tjetër, kush mund ta ketë vjedh këtë banesë?!
Gazetari – Po, kush pyetet.
Shefi komisariatit – Policia, pyes veten time, shërbimet e mia. Pyes të dëmtuarin në radhë të parë, a ke dyshime, si, qysh tek.
Gazetari – I dëmtuari tha emrin?
Shefi komisariatit – O zotëri, i pyes thash unë, se çfarë më tha ai s’je ta merr vesh ti. Kush e dinte se ai do vari veten, se është gjynah tani.
Gazetari – Po është një ngjarje e rëndë, që ka vrarë veten.
Shefi komisariatit – Ta mbaroj, po ngjarje e rëndë, shumë mirë…
Gazetari – Normale se do japësh shpjegime
Shefi komisariatit – Normale do i përgjigjem unë. Ore shumë mirë se vret veten.
Gazetari – Normale s’e do japësh shpjegime.
Shefi komisariatit – Po shumë mirë.
Gazetari – Si shumë mirë që vret veten?!
Shefi komisariatit – Po do jap versionin zyrtarisht.
Gazetari – Po si shumë mirë që vret veten!
Shefi komisariatit – Shumë mirë ëë.
Gazetari – Shumë mirë??
Shefi komisariatit – Po.